E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “Do të rritet çmimi i energjisë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ministria e Ekonomisë nis negociatat me kompaninë çeke “ÇEZ”, për kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndajres. Pjesë e tyre do të jetë edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, e cila, sipas ministrit të Energjetikës, Genc Ruli, është e pashmangshme në kushtet kur janë rritur kostot e prodhimit të energjisë.
“Objektivi politik për qeverinë shqiptare për privatizimin në sektorin e energjisë, ka marrë në konsideratë dhe rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të cilat do të synojnë të mbulojnë koston”, - u shpreh ministri Ruli. Këtë deklaratë ministri Ruli e bëri gjatë Forumit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore. Kjo nismë e cila bazohet në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar një vit më parë në Vjenë nga të gjitha vendet, synon krijimin e një tregu të përbashkët energjetik dhe mbrojtjen e konsumatorëve, veçanërisht atyre të varfër. Po ashtu, ministri ka pranuar se privatizimet në fushën e energjetikës do të sjellin një valë papunësie në sistemin energjetik në vend. Ruli nënvizoi se “në përfundim të një procedure tepër intensive të strukturave përkatëse të Ministrisë, të konsulentëve ndërkombëtarë dhe institucioneve ndërkombëtare financiare në Shqipëri dhe të një procesi tepër transparent, u realizua tenderi për privatizimin e paketës 76% të aksioneve shtetërore të shoqërisë OSSH-së, u përcaktua kompania fituese dhe fillojnë negocimet për kontratën e blerjes së aksioneve. Në hartimin e dokumentacionit ligjor për privatizimin e kësaj kompanie, si dhe për privatizimet strategjike të kryera më parë, u patën në konsideratë dhe trajtimi i punonjësve që parashikohen të mbesin pa punë, si rezultat i këtyre privatizimeve”, - tha ministri. Për sa i përket stabilizimit të situatës me furnizim energjie dhe balancimit të çmimit të shitjes me atë të tregut të blerjes, Ruli theksoi se “Objektivi politik i Qeverisë Shqiptare për privatizimin e sektorit të energjisë elektrike, natyrisht që ka marrë në konsideratë dhe rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të cilat do të synojnë që të mbulojnë kostot, si dhe eliminimin e ndërsubvencioneve ndërmjet grupeve të ndryshme të konsumatorëve. Rritja graduale e tarifave të energjisë elektrike, për të mbuluar kostot, por jo në mënyrë të menjëhershme, ishte një ndër arsyet kryesore edhe në zgjedhjen që Qeveria Shqiptare bëri për Modelin e Tregut të Energjisë Elektrike. Kështu, duke filluar nga 1 marsi i vitit 2008 tarifat e energjisë elektrike u rritën me rreth 16 %. Në këtë rritje u pat parasysh dhe mbrojtja sociale. Kështu, për konsumatorët familjarë tarifat u ndanë në dy blloqe: blloku i parë, për një konsum deri në 300 kvh/muaj, ka një çmim jo më të madh se sa çmimi i mëparshëm dhe blloku i dytë, për një konsum mbi 300 kvh, ka një çmim të bazuar në koston margjinale të energjisë elektrike. Së dyti, për të mbrojtur konsumatorët familjarë vulnerabël ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike, Qeveria Shqiptare ka identifikuar për këtë kategori një grup prej 270.000 konsumatorësh dhe një skemë mbrojtëse sociale është krijuar për këtë kategori konsumatorësh (për një konsum deri në 200 kvh/në muaj, kompensohet rreth 30% e faturës mujore). Shqipëria vazhdon të ketë probleme në furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve. Mungesa e burimeve primare të energjisë, e burimeve dhe rrjeteve të gazit, kapacitete të kufizuara në prodhimin e energjisë elektrike dhe në lidhjet ndërsistemore, si dhe varësia e plotë e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, janë disa nga vështirësitë më të cilat ne po ballafaqohemi. Në këtë kuadër, përveç reformave të mësipërme, një program investimesh për rritjen dhe diversifikimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe ndërtimin e linjave të reja të interkonjecionit, janë prioritete të Qeverisë Shqiptare. Kështu ne jemi duke realizuar disa projekte për ndërtim kapacitetesh të reja në TEC-e dhe HEC-e (rreth 1,200 MV), si dhe po ndërtojmë lidhjen e re ndërsistemore me Malin e Zi. Gjithashtu, po parashikojmë të ndërtojmë lidhje të reja ndërsistemore me Kosovën, Maqedoninë dhe Italinë. Këto projekte të reja jo vetëm do të rrisin sigurinë e furnizmit me energji elektrike por do të hapin dhe vende të reja pune”, - përfundoi ministri i Ekonomisë.

“Në hartimin e dokumentacionit ligjor për privatizimin e kompanisë OSSH, si dhe për privatizimet strategjike të kryera më parë, u patën në konsideratë dhe trajtimi i punonjësve që parashikohen të mbesin pa punë, si rezultat i këtyre privatizimeve”

“Objektivi politik i Qeverisë për privatizimin e sektorit të energjisë elektrike, natyrisht që ka marrë në konsideratë dhe rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të cilat do të synojnë që të mbulojnë kostot, si dhe eliminimin e ndërsubvencioneve ndërmjet grupeve të ndryshme të konsumatorëve”

“Për konsumatorët familjarë tarifat u ndanë në dy blloqe: blloku i parë, për një konsum deri në 300 kvh/muaj, ka një çmim jo më të madh se sa çmimi i mëparshëm dhe blloku i dytë, për një konsum mbi 300 kvh, ka një çmim të bazuar në koston margjinale të energjisë elektrike”

“Qeveria Shqiptare ka identifikuar për këtë kategori një grup prej 270.000 konsumatorësh dhe një skemë mbrojtëse sociale është krijuar për këtë kategori konsumatorësh (për një konsum deri në 200 kvh/në muaj, kompensohet rreth 30% e faturës mujore)”
Ky lajm është publikuar: 19/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›