E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i Bllacës, reagojnë institucionet e Kosovës

PRISHTINE- Institucionet kanë reaguar ndaj paraqitjes së Nazim Bllacës që thotë se “nën urdhrat e SHIK-ut ka marrë pjesë në 17 aksione të vrasjeve, plagosjeve, rrahjeve e shantazheve”.
EULEX, ka bërë të ditur se çështja e Bllacës ka kaluar në duart e Zyrës së Prokurorisë Speciale, e cila po zhvillon hetimet.

Ndaj paraqitjes publike të Bllacës ka reaguar presidenti i Kosovës. Në një komunikatë për media thuhet se presidenti “ka përcjellë me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e fundit pas prezantimit të deklaratave publike të një qytetari - shtetas i Republikës së Kosovës, për krimet dhe veprat e tjera të kundërligjshme, të bëra në Kosovë”.
Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë “që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur të gjitha krimet e bëra në Kosovë dhe për dënimin e autorëve të tyre”.

Paraqitja e Bllacës u bë tri ditë pasi që deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, në një seancë të Kuvendit të Kosovës, hodhi akuza të ashpra për përfshirje në krime politike ndaj disa deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar sot se zhvillimet e ditëve të fundit “janë sinjale nga qarqe të caktuara, që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe futjen në anarki të institucioneve të Kosovës”.
(e.n/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›