E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi i Marash Hajatit: Me Dritëroin në vaporin që çonte në Moskë yjet shqiptare

...Me ne të gazetarisë u bashkua edhe poeti i njohur e i talentuar në atë kohë Drago Siliqi. Ai do të ndiqte studimet për letërsi në Institutin “Gorki”. Së bashku me të edhe me Dritëroin zumë vend në një kajutë marinarësh. Bota e detit dhe e lundrimit për ne ishte e panjohur. Ditët e para që na turbulloi vapori, s’na eci ta shijonim. Më pas sikur e morëm veten e dolëm në kuvertë. Filloi bile dhe kënga. Apo nuk ishin me ne Ibrahim Tukiqi, Avni Mula, Gjoni Athanas, Rozmari Jorganxhi etj. Edhe ata fillonin studimet në konservatorin “Çajkovski”.

Marash Hajati

Dritëro, prit pak!

Kurrë s’kam filluar ndonjë shkrim apo letër, dërguar mikut e shokut, duke kërkuar ndihmë te figurat letrare apo me simbolet. Mirëpo ky 80-vjetori yt seç më ngacmoi fantazinë e dola pak nga rruga e ceremonive, e fjalimeve e gotave me raki e verë. Jo se ato i heq nga “protokolli”, por sepse në përfytyrimin tim ky 80-vjetori yt na çon sot ne të gjithëve, miq e shokë, poetë e shkrimtarë, publicistë e gazetarë, personazhe dhe aktorë, shkollarë e politikanë e po të tërë në rresht me ty, ndalemi përpara një porte të madhe të një kështjelle-monument, ku brenda janë rreshtuar si në muret e kalave, shpata e dyfeku, parzmorja e përkrenarja, mitralozi e topi. Një arsenal i heshtur, skalitur bukur. Një epikë e madhe. Në çdonjërën nga ato ekspozime ka një poezi, ka vargje, ka poemë, ka tregimin, ka romanin, ka edhe një Mato Grudë me top, që bën roje. E në këtë ceremoni disi ndryshe përpara kështjellës së madhe, presim të hapet porta kalasë e ti të nisësh rrugëtimin e dhjetëvjeçarit të nëntë të jetës sate. Por përpara se kjo orë të trokasë, ne miqtë e tu, shokët, lexuesit, kemi shumë gjëra për të kujtuar e treguar, sepse vitet e tua kanë qenë edhe pjesë e jetës sonë, e historisë, e ngjarjeve që kanë lënë gjurmë. Brenda këtyre 8 dekadave është krijimtaria juaj, ekskluzive, siç thuhet tani në këto kohët tona, por që pa kufi na përket edhe neve të tjerëve. Aty në ato faqe shkronjash ke bashkuar aq bukur epikën me lirikën. Kur thua “Në rrugë dola”, ke dalë bashkë me ne, jo vetëm. Aty ndihen edhe “Hapat në asfalt”, edhe kur flet për shtigje malesh e trotuaresh apo ligjëron për baballarët e deri tek e madhërishmja “Nënë Shqipëri”. Aty gjejmë edhe veten tonë, trimin e luftëtarin, gjejmë ata që ishin dje me dyfek e tërë ata që erdhën më pas deri në ditët tona. Kanë ardhur me një botë tjetër, me pasionin e fjalën e ëmbël “dashuri”, me mençurinë e dijen, me admirim për truallin, për tokën, për familjen. E gjithë forca e pasioni i krijimtarisë sate, ka dalë edhe nga ajo fletorka e vogël, që mbaje te koka edhe natën, kur ishim studentë në Petërburg e na zgjoje me ato gërvishtjet e lapsit mbi letër. Po, po, aty në atë kështjellë të 8 dekadave janë shokë e personazhe. Zylon?! Po ne nga një Zylo e kishim kudo në punë, në zyrë e në jetë. Sot na ngacmojnë bëmat, trimëritë, humori i sinqertë e veprimet aq komike të Zylos. Po se mos faqet e librit të Zylos janë mbyllur aty ku ti ke shkruar “Fund”! Sa Zylo ka sot edhe në këtë tranzicion litar që po kalojmë. Nxirre edhe njëherë stilolapsin dhe shiko sa Zylo partiakë, servilë, lëpirës, shushunja, matrapazë flamujsh, që për kuletën të puthin aty ku s’thuhet. Eh, kush do na shkruajë ndonjë gjë për Zylot e sotshëm!!

Dola pak nga tema. Në këtë tetëdhjetëvjeçar tëndin po kthehem përsëri te pena jote, kur skaliti “Udhëtoj i menduar”, ”Poemë për babanë e për veten”, “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës” e deri te gjinitë e mëdha si: “Komisari Memo”, “Zhurmat e erërave të dikurshme”, “Njeriu me top”, “Fytyra e dytë”, “Trëndafil në gotë” e, ku t’i rreshtosh të tëra! Kam lënë të përmend në fund një libër tëndin. Titullin e ka “Devoll, Devoll”, por ai nuk është thjesht titull. Devolli është diçka e lidhur me shpirtin tënd, me mendjen e jetën. Jo ashtu thjesht e me lehtësi i je drejtuar atij emri, Devoll. Në atë ligjëratë, unë kështu e kuptoj, i ke shprehur Devollit dashurinë e shpirtit e i ke thënë: me ty jam, me ty jam trim, me ty di të këndoj, të pi verë e raki, me ty edhe të punoj e të dashuroj si i marrë.

Unë nuk jam i vetëm, që kam kuptuar se çfarë është Devolli për ty e devollitët. Ai është lumë e tokë, është ujë e male, është fushë e ugare, është pjesë e qiellit e “idhnak” i përmbytjeve. Këtu te ky Devoll është edhe Menkulasi me kullën e të parëve të tu, ngritur në ugare e “mbytur” në fruta e prodhime të misrit e të bukës. Një ditë si çdo ditë, Devolli mori rrugën e kapërceu drejt fushave, grykës së maleve e monopateve, për t’i shtuar ujin detit. Ti një ditë po me Devollin dole nga Menkulasi për në rrugën e gjatë të Gjirokastrës, në gjimnazin e dëgjuar të atij qyteti, për të shtuar dijet. Në Gjirokastër gjete kala të vërtetë, të moçme e hijerëndë, ngritur pak larg mbi Drinon gjarpërues. Vetë Gjirokastra është qytet-mal. Shtëpi si në skulptura rreshtuar me gurë e mbuluar me rrasa. Ato qëndrojnë njëra bri tjetrës e tjetra mbi tjetrën. Aty oborri është çati e çatia kopsht për fruta e pjergulla. Gjimnazi në qendër të qytetit. Ashtu ka mbetur edhe sot, stoli me kangjella rreshtuar si dijet. Me zhurmë, mësues e profesorë të dëgjuar në vite. Me histori nxënësish që më vonë u bënë personalitete. Unë për gjimnazin e Gjirokastrës këtë di. Vetë më ke rrëfyer dhe për bëma e shpoti edhe për shokët e miqtë. Si vite të arta i ke shënuar në gjerdanin e 8 dekadave. Mirëpo edhe më shumë se kaq, për ato vite di të tregojë shkrimtari e humoristi i këndshëm Gaqo Veshi. Ai ka publikuar goxha gjëra, por i thotë: - Ehu, sa kam për të thënë unë për Dritëroin!!!

Takimi në gjimnaz

Ne Dritëro për herë të parë jemi takuar, kemi rrokur duart e parë sy më sy me njëri-tjetrin aty nga fundi i gushtit, fillimi i shtatorit në vitin 1952. Ishim katër gjimnazistë, maturantë të atij viti, që u takuam në Tiranë. Ti, unë, Fadil Kokomani nga Durrësi, Vangjel Lesho nga Lushnja. I pesti që u bashkua me grupin tonë e që do ndiqnim studimet për gazetari qe Janaq Gjeçi, në atë kohë ishte korrespondent i “Zëri i popullit”. Vinte më i rritur dhe e mbanim si kujdestar të grupit. Për ne është nostalgji e mall, për lexuesin me siguri janë kureshtje, kur i sjellim në kujtesë një copë informacioni nga ai vit i largët. Ne nga ana jonë mbaheshim disi me mburrje, edhe pse mbetëm orë e ditë të tëra duke u sorollatur dyerve të Ministrisë së Arsimit. Po nisemi sot, po nisemi nesër… në të vërtetë s’kishte vend për t’u inatosur. Nuk e vramë shumë mendjen. Të rinj ishim, flinim në konviktin e shkollës “Nëna mbretëreshë”, emër që përmendej në historinë e shkuar. Aty ishte edhe mensa. Për fat, Ministria e Arsimit në atë kohë pat qenë e vendosur në godinën pranë sheshit “Skënderbej”, në krah të Teatrit të kukullave sot, e orët i kalonim hijeve me takime e biseda Dukej sikur kishte zbritur aty tërë Shqipëria e atyre viteve. Ne të dy të ardhur nga ekstremet më të largëta, unë nga Shkodra ti nga Gjirokastra, u lidhëm më afër bashkë. Pa le ato bisedat e dialogët pa numër. I sjell ndër mend edhe sot. Ti fol për Naimin e Çajupin, unë qit për Mjedën e Migjenin. Ti përmend luftën e Mashkullorës e Çerçizin, unë trimat e Veriut, Isa Boletinin e Bajram Currin. Pa le pastaj kur “merrnim” nëpër gojë mësuesit e profesorët, mësimet bëmat e shakatë. Në Gjirokastër ka pasur edhe mjaft pedagogë shkodranë. Shyqyr që i dinim gjithë ato gjëra, se si do i mbyllnim kohët e gjata të pritjes e të kureshtjes për t’u nisur. Dita erdhi. Kam fiksuar 9 shtatorin 1952, sepse na thanë se të nesërmen, më datë 10, do niseshim. Mbase nuk do të kishte ndonjë rëndësi të madhe ajo datë 9 shtator, po të mos ishte propozimi yt: -Shiko, Marash, ne do nisemi që sonte. Do të shkojmë tek unë në Sukth. Atje është vendosur familja ime. Do të shkojmë te babai im, Xha Rizai. Kështu e thërresim të gjithë. I kemi hipur trenit. Në atë kohë ishte komoditet të udhëtoje me hekurudhë. Vetëm pak vite më parë ishte ndërtuar një rrugë e tillë. Arritëm në të errur. Vetëm muret e bardha të shtëpisë njëkatëshe binin në sy. Jemi takuar e gëzuar. - Ka sjellë Dritëroi një mik shkodran, thonin. Mirëpo mua më kishte ngelur mendja te Xha Rizai, sepse, veç të tjerash, gjatë rrugës në tren Dritëroi më kishte treguar shumë gjëra, se ai ishte punëtor i madh, kishte qenë emigrant, për çfarë ta pyesësh të përgjigjet. Vërtet ashtu e kam edhe sot në kujtesë, ulur aty pranë vatrës, mbledhur me ato gjymtyrët e gjata, profilin e fytyrës pak të përkulur. Gjithçka më bëri shumë shpejt për vete. Mbase u bashkuan në një edhe tregimet e xha Rizait, edhe kureshtja e nisjes, por nuk di a vumë gjumë në sy deri në orët e para të mëngjesit.

Babai i Dritëroit na foli për një botë të panjohur e në mënyrë të veçantë fjala u soll për emigracionin, për Amerikën, për lundrimet e gjata në det e oqean. Bile na tha edhe si duheshin ruajtur e paketuar “zairet”, ushqimet për të mos mbetur pa ngrënë. Ato ishin kohë të jetuara rrugëve të vështira të jetës së xha Rizait, që i njihte mirë. Ndaj erdhi edhe surpriza e asaj nate. Të nesërmen herët, kur u nisëm po me tren për në Durrës, krahas valixheve të drunjta Rizai na vuri pranë edhe një trajsë sa një hejbe e na foli me shumë vëmendje. Mbrëmë nuk ju fola kot për ushqimet. Ja këtu keni edhe kuleçë, që rrojnë shumë edhe pula të pjekura, edhe djathë, por mbajini në vende të freskëta kur të flini. Unë u çudita për shpirtin e kujdesin e atij njeriu. S’kishim as çfarë të shpjegonim, as të kundërshtonim. Xha Rizai ashtu e kishte njohur jetën.

Udhëtimi me vapor drejt Rusisë

Atë ditë më 10 shtator i kemi hipur në “qafë” Adriatikut e jemi nisur nga Durrësi për të përshkuar 7 ditë deri në Odesën e largët të Rusisë. Vaporin komod “Bjello Ostrov” ne studentët, udhëtarët e zhurmshëm e “pushtuam” që në orët e para të paradites. Anija ngriti spirancat, zgjidhi hekurat me tokën shqiptare e duke u kolovitur nisi rrugën e gjatë në det të hapur. Vapori, që i ngjasonte një vile lundruese, siç mësuam nga marinarët, kishte qenë pranë e Carit e përdorej nga familja e tij për udhëtime në vendet e brigjet e Mesdheut. Një shok i yni, që kishte vite në Moskë, u tha marinarëve: - Medemek ju dhe ne i bie të jemi nipërit e Carit. Qeshëm me zë të lartë. Në fakt nga paraqitja mund të merreshim pa frikë si nipat e Carit, sepse ishim goxha çuna, por që na tradhtonte veshja e valixhja. Vaporit mbas revolucionit, natyrshëm i ishte bërë një rikonstruksion “socialist” e përdorej edhe për transport mallrash. Aty në atë udhëtim të dukej se ishte një shkollë e madhe lundruese shqiptare. Veç studentëve të vjetër, që ktheheshin nga pushimet, ishim edhe ne, 60 të rinj. Gjithë ata specialistë të ardhshëm të vendit. Aty mund të takoje: inxhinierë, ndërtues, juristë, gjeografë, historianë, që do të ishin nesër brezi i ri i intelektualëve të shtetit. Me ne të gazetarisë u bashkua edhe poeti i njohur e i talentuar në atë kohë Drago Siliqi. Ai do të ndiqte studimet për letërsi në Institutin “Gorki”. Së bashku me të edhe me Dritëroin zumë vend në një kajutë marinarësh. Bota e detit dhe e lundrimit për ne ishte e panjohur. Ditët e para që na turbulloi vapori, s’na eci ta shijonim. Më pas sikur e morëm veten e dolëm në kuvertë. Filloi bile dhe kënga. Apo nuk ishin me ne Ibrahim Tukiqi, Avni Mula, Gjoni Athanas, Rozmari Jorganxhi etj. Edhe ata fillonin studimet në konservatorin “Çajkovski”. U bashkuan me ne edhe marinarë ruse, që këndonin shumë bukur. U veçua në ato koncerte Rozmari Jorganxhi, që këndoi dy këngë ruse: “Strekoza” e “Suliko”. Thoshin se kjo e dyta ishte kënga që pëlqente shumë Stalini. Ne të gazetarisë e të letërsisë recituam sa mundëm e bereqaversën në ato programe artistike nuk mbetëm pa duartrokitje. Në detin Egje e në detin Marmara, sikur u qetësua koha e dallgët trazovaçe e përkundnin më pak vaporin. Në portin e Pireut të Greqisë kalatat ishin aq afër, sa njerëzit mund t’i zije me dorë. Gjithë kureshtje po shikonim jo Greqinë, por një vend kapitalist. Kjo na bënte shumë përshtypje. Kur pamë ca punëtorë ngarkim-shkarkimi, që hanin bukë e ullinj, kaq deshëm e të gjithë si në garë iu vërsulëm kapitalizmit. Ja si e shfrytëzon ai klasën punëtore.

Ngushticat e Bosforit e të Dardaneleve, me të famshmen Çenakala, i përshkuam ditën. Stambolli që shtrihej pa anë e pa fund nën një vello të bardhë, të dukej si një skenë gjigante xhirimesh për filma. Qyteti na pëlqeu shumë, por për arsye politike i gjetëm mjaft të meta. Bile dyfish më shumë, sepse jo vetëm ishte vend kapitalist, por na kishte mbajtur 500 vjet në robëri. Në të dalë në gjerësinë e Detit të Zi, hapësirat e tokës u zhdukën sërish. Ato ditë, edhe pse dallgët nuk dukeshin të forta, lëkundjet ishin më të egra. Marinarët thoshin që janë trazirat e ujit në thellësi, që nuk duken. Kot nuk thonë se ku dhemb dhëmbi vete gjuha. Dragoja na mbyti mua e Dritëroin me bezdinë e udhëtimeve. Vaporin e kishte inat, se po ike nga toka s’ke më qetësi. Shikoni si lëkundet natë e ditë. Edhe treni, thoshte ai, s’ka siguri, pa le aeroplani që të tret fare. S’ka more vëlla, vazhdonte duke qeshur Dragoja me atë ‘th’-në e theksuar në të folur, si rrugëtimi me gomar. E sheh veten në rrezik, vë këmbët në tokë e çdo gjë në rregull. Nuk na pëlqen t’i paragjykojmë gjërat e sidomos ato të dhimbshme, të trishtueshme, por vite më vonë miku ynë i dashur Drago Siliqi, në një moshë djaloshare, admiruese e krijuese, humbi jetën në një katastrofë ajrore mbi Mongoli, kur po kthehej nga Pekini. Të kishte qenë parandjenjë ajo frika e udhëtimeve…?!

Ditën e 7-të të lundrimit, mbasi lamë pas Varnën e Bullgarisë si dhe Konstancën e Rumanisë, arritëm në Odesë, porti më i madh i gjithë pellgut. Ne aq ishim rraskapitur, sa na u duk se erdhëm në ditën e 7-të të krijimit të botës. Mirëpo, edhe pse Odesa ishte shumë e bukur, mendjen e kishim drejt Moskës. Ndoshta nga ai kurioziteti nuk i ndjemë fare ato 50 orë rrugëtim me tren, edhe pse pothuaj çdo dy orë vinte nga një stacion ndalimi. Më të mërzitshmet në tren ishin ushqimet, gjëra të paketuara, pale çaji që ishim fryrë me të edhe në mensat e konviktit në Shqipëri. Të vetmen gjë, që kujtuam gjithë rrugës, ishte pakoja e madhe me pula të pjekura, që pati përgatitur xha Rizai për ne. Në vapor ku e ku ishte ushqimi më i mirë krahasuar me atë të trenit. Ajo dihej. Po hyre në vapor pasagjerësh, në kushtet edhe të detit, kategoria e ngrënies ishte e 9-të, çka do të thoshte të haje sa të doje e çfarë të doje. Atje, në vapor, si patëm ngrënë mirë ca pjesë të pulave të pjekura për merak, të tjerat i hodhëm në det. Apo nuk turreshin pas tyre delfinët. Dhe ja, aty në tren, kaq herë na doli parasysh ajo hejbe plot ushqime. Nuk thonë kot, kur s’ke pulë, pi çaj.

Në orët e para të mëngjesit të 18-19 shtatorit, s’më kujtohet saktë, kishim dalë të gjithë në dritaret e vagonëve. Njoftimi ishte kumtuar disa herë se për pak arrinim në Moskë. Ne studentët, syrin pishë. Pasagjerët e tjerë ishin si të përgjumur. Ku kishim kohë ne të mërziteshim me atë hov djaloshar që kishim për të parë Moskën. Unë s’kisha njohur gjullurdi më të organizuar. Zinim konviktin e s’mbanim mend adresat për t’u kthyer. Tërë ato ditë që prisnim njoftimin, se ku do studionim, dilnim me një grup për të vizituar “Sheshin e Kuq” e aty bashkoheshim me një grup tjetër, që do të endej nëpër metro. Sa dilnim në një stacion, niseshim për në sheshin “Pushkin” apo në Universitet. Shyqyr që shokët tanë më të vjetër, që kishin 2-3 vjet aty, nuk u mërzitën me sorollatjet tona, pa nami do bëhej.

Por edhe zhurma, dhe euforia, edhe ngarko-shkarko bagazhet, patën një fund. Një njoftim na mblodhi të gjithëve në ambasadën shqiptare. Mihal Prifti, një meso burrë i zoti, diplomat karriere, na uroi për fatin që ne do të bëheshim universitarë, intelektualë të zotë, e aty në atë takim mësuam se ne të gazetarisë, të historisë e filozofisë, por edhe të profesioneve të tjera sipas shpërndarjes nga Ministria e Arsimit në Bashkimin Sovjetik, na caktuan në Petërburg. Të tjerët, veç Moskës, u dërguan edhe në qytetet si, Kievi, Odesa e me radhë. Edhe pse ne të grupit tonë nuk kishim qenë kurrë në Petërburg, që nga ai çast filluam të flasim për të, si të shkonim në shtëpinë tonë. Kishim të drejtë, sepse aty më pas kaluam pesë vjet studime. Pjesë e veçantë e jetës.

Vizita në Shën Petërburg

Kam shkruar edhe herë të tjera për ato kohë e për gazetarinë, por sot do të përmend një moment të veçantë, që lidhet edhe me mua edhe me Dritëroin, po edhe me shokët e tjerë. Sapo arritëm në Petërburg, na hipi një interesim i madh për të njohur e regjistruar gjithçka nga qyteti. Me kolegët rus, me ato që dinin e kishin lexuar e në mënyrë të veçantë me ato që na treguan shokët shqiptarë, grumbulluam një informacion të gjerë për qytetin, ku aty ishin të gjitha, edhe Petërburgu, ish-kryeqyteti e krenaria e Rusisë. Edhe Pjetri i Madh, që e themeloi. Po ishte Ermitazhi, si një kulm i muzeve të botës. Ishin dhjetëra institute e Universiteti. Aty ishin edhe Smolni, edhe Kryqëzori ‘Aurora’, edhe revolucioni, dhe lufta, dhe kopshti madhështor “Pushkin”, dhe trashëgimia e Dostojevskit. Elita e artit dhe e kulturës ruse, ishte edhe qyteti mbi 300 urat e kryesorja petërburgasit shumëmilionësh me një traditë në qytetari. Të gjitha këto i mblodhëm shpejt si në një guidë dhe a e dini pse?

Është disi për të qeshur, por shumë njerëzore. Ai nxitim u bë për të grumbulluar fakte, për të shkruar letrat e para e për t’u thënë ku ishim e si ishim. Kishim aq shumë miq e shokë që prisnin t’u thoshim diçka nga Universiteti. Dritëroi mbante në xhep një letër me adresa. Blemë zarfe e letër, këputëm fletë nga mesi i fletoreve e qëndruam deri vonë natën, si të ishim në provimet më të vështira e bëmë gati secili nga një turrë me letra për në Shqipëri. Për sekret, unë kur pashë se aty ishin po të njëjtat gjëra, u ndërrova letrave vetëm emrat. Përjashtim bënin këtu vetëm letrat e shtëpisë, që i fillonim, si qëmoti: jemi mirë me shëndet, lus Zotin që dhe ju kjo letër t’ju gjejë shëndoshë e mirë. Turrat e letrave i kemi çuar vetë në Postën Qendrore të Petërburgut, që ishte si një kishë e madhe me dhjetëra sportele, kabina, zyra shtypi e gazetash. I çuam atje se kishim merak, se mos na mbetnin pa i dërguar, po t’i hidhnim në ato kuti postare të rrugëve. Është interesant fakti që, edhe pse bota sot ka bërë një revolucion marramendës në fushën e komunikimit, të elektronikës e telefonisë, të kamerave, të lidhjeve online me çdo cep të botës, përsëri ai komunikim i famshëm me letër e zarf të mbyllur ka te mjaft njerëz një siguri sekreti e besimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›