E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i shtetit, pezullohen mbetësit e të paregjistruarit

Rreth 200 mjekë dhe stomatologë të rinj për herë të parë do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Kreu i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj, sqaron se të gjithë ata mjekë që kanë përfunduar një vit më parë Fakultetin e Mjekësisë, por edhe ata që kanë kryer praktikën për të paktën 9 muaj, duhet të regjistrohen për të marrë pjesë në këtë provim. Abazaj sqaron se të gjithë atyre mjekëve të rinj që nuk marrin notë kaluese në provimin e shtetit për pesë vjet me radhë, u pezullohet përgjithmonë ushtrimi i profesionit. E njëjta gjë vlen edhe për ata që nuk regjistrohen në këtë provim. “Nuk besoj të ketë ngelur ndonjë pa u regjistruar. Mund të jenë shumë të rrallë ata që kanë mbetur, sepse nuk kanë interes të mos regjistrohen, sepse humbasin një vit nga puna e tyre, nga paga e tyre, nga profesioni i tyre. Ata janë të interesuar të kryejnë praktikën dhe të marrin edhe provimin e shtetit. Në qoftë se ata nuk e kryejnë praktikën ose kanë kryer praktikën dhe nuk kalojnë provimin e shtetit, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë profesion. Provimi i shtetit jepet deri në 5 herë. Nëse ai nuk e merr dhe herën e pestë provimin, sigurisht humbet të drejtën për të ushtruar profesionin, përfundimisht”, - sqaron Abazaj. Tarifat e provimit vijnë në rritje për kandidatët që e japin për të disatën herë provimin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›