E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekot e zemrës, s’ka aparatura dhe mjekë specialist

SHKRUAN: Jonida Tashi 09-10-2011 09:58

Sëmundjet e zemrës, të cilat janë edhe në krye të listës për numrin e lartë të vdekjeve në vendin tonë, nuk po trajtohen siç duhet, ndaj edhe po shënojnë shumë viktima. Dy shkaktarët kryesorë të kësaj situate janë mungesa e aparaturave nga njëra anë, sidomos në spitalet e rretheve, dhe ajo e mjekëve specialistë. Shqetësimi ngrihet nga kardiologët më të njohur në vendin tonë, sipas të cilëve mjekët e rretheve nuk kanë aparatura të parametrave bashkëkohorë, ndaj dhe pacientët nuk kanë besim tek ata, duke iu drejtuar edhe për ekzaminime të thjeshta shërbimeve pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Po ashtu, specialistët që merren me diagnostikimin e sëmundjeve të zemrës nuk janë të shumtë në vendin tonë, madje, në spitalet e rretheve ata pothuajse mungojnë fare, duke bërë që edhe aparaturat që përdoren aty për ekzaminime të mos jenë bashkëkohore, çka sjell për pasojë edhe një mundësi më të madhe për të gabuar nga ana e mjekëve në vendosjen e diagnozave. Shefi Kardiologjisë në QSUT, që është edhe shefi i Shoqatës së Ekokardiografisë, Spiro Qirko, thotë se do të ishte e domosdoshme të krijohej një shkollë postuniversitare për specialistët e rinj që merren me ekot kardiologjike. “Ekot kardiologjike bashkëkohore, të themi të drejtën, janë vetëm në Tiranë, në QSUT, kurse pak a shumë në spitalet e tjera janë ekografi standarde. Kjo është dhe një thirrje, njëkohësisht ka edhe mesazhin brenda, për Ministrinë e Shëndetësisë, e cila detyrimisht duhet të interesohet që gjitha spitalet e rretheve të rëndësishme të pajisen me aparatura bashkëkohore dhe mbi të gjitha me ekspertë bashkëkohorë. E theksoj dhe e kam theksuar edhe herë të tjera që ekokardiografia kërkon një diplomë post universitare që duhet të funksionojë ”, - thotë kardiologu i njohur Spiro Qirko. Sipas tij, ekografia është një ekzaminim i thjeshtë, por me marzh gabimi të lartë, ndërkohë që ndikon direkt në përcaktimin e diagnozës së pacientit. Këto deklarata u bënë gjatë konferencës së tretë të mbajtur në Tiranë për ekokardiologjinë, me pjesëmarrje dhe të specialistëve të njohur në Europë, të cilët do të ofrojnë ndihmën e tyre për konsultimin e disa rasteve të vështira te pak pacientë që vuajnë nga zemra. Shoqata Shqiptare e Ekokardiografisë ka zhvilluar dje një konferencë mbi rolin e ekografisë në përcaktimin e diagnozës, ku për herë të parë 6 raste klinike të vështira, të ekzaminuara nga mjekë shqiptarë, do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare. Në këtë konferencë mjekë të huaj dhe shqiptarë kanë shkëmbyer eksperienca ndërmjet tyre në fushën e ekokardiologjisë. Por, megjithëse zgjidhja e vetme brenda vendit për një pacient nga rrethet me sëmundje kardiovaskulare, për të bërë ekokardiogradinë dhe trajtimin mjekësor, ngelet vetëm Tirana, edhe në QSUT duhet pritur në radhë për t’iu nënshtruar një ekzaminimi të tillë, për shkak se në ditë kryhen rreth 20 vizita, ndërkohë që kërkesat janë më të shumta. Në kushtet kur ekspertët e shëndetit evidentojnë se mungojnë specializantë të ekokardiografive dhe aparatura, vendimmarrja klinike si nga mjeku ashtu edhe pacienti bëhet delikate, prandaj vdekshmëria e të sëmurëve kardiovaskularë qëndron në nivele të larta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›