E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat, nisin më 10 tetor aplikimet

Dokumentet që duhen për t’u regjistruar. Kandidatët do të kenë pesë ditë kohë për të aplikuar pranë fakulteteve për masterat profesional dhe shkencor

Universitetet do të hapin më 10 tetor procedurat e aplikimit për Masterat Profesional dhe Shkencor. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur udhëzimin datë 6.10.2011 “Për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e dytë të studimeve Master Profesional dhe Master Shkencor/Master i Arteve të Bukura, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2011-2012”. Sipas udhëzimit të MASH-it, aplikimet për regjistrim në programet e studimit të ciklit të dytë të bëhen pranë sekretarive mësimore të fakulteteve, nga data 10 deri në datën 15 tetor, prej orës 8:00 deri në orën 18:00, ku kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar. Më konkretisht, dosja e dokumenteve duhet të përmbajë: fotokopje të noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve, të shoqëruar me listën origjinale të notave; dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje të tyre. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e kartës së identitetit ose pasaportës; dy fotografi; mandat-arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2 500 lekësh, paguar në Postën Shqiptare; deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë, në universitetet publike. Për përzgjedhjen e aplikantëve fitues në përputhje me kriteret e pranimit të vendosura nga universitetet, pranë njësive kryesore përgjegjëse të universiteteve për çdo program studimi të ciklit të dytë me kohë të plotë, do të ngrihen komisione Ad-hoc sipas fushave përkatëse. Sipas udhëzimit të MASH-it, universitetet duhet t’i afishojnë listat e kandidatëve fitues në datën 22 tetor, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, dhe të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e përcaktuara. Regjistrimi i aplikantëve, në programet e studimit ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 24 tetor deri më 28, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, këtë vit studimet e ciklit të dytë në universitetet publike të vendit do të kenë mundësi t’i vijojnë rreth 15 mijë studentë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›