Ish-ushtarakët, procedurat për vërtetimet që lëshon Ministria e Mbrojtjes
Zbardhen procedurat që duhet të ndjekin ushtarakët për marrjen e vërtetimeve në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, që u nevojiten për të plotësuar dosjen e pensionit apo për përfitime të tjera të veçanta. Ministria e Mbrojtjes ka detajuar procedurat standarde të veprimit për trajtim kërkesash të ushtarakëve në rezervë, lirim, pension, veteranë, familje dëshmorësh, për lëshim vërtetimesh në strukturat e saj dhe Forcave të Armatosura. Sipas urdhrit të firmosur nga ministri i Mbrojtjes, trajtimi i kërkesave të ushtarakëve në rezervë, lirim, pension, veteranë e të familjeve të dëshmorëve, për lëshim vërtetimesh (modularësh, dublikatash, etj. ), do të bëhet në bazë të nenit 53, të ligjit nr.8485, datë 12.05.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, ku përcaktohet: “Punonjësit kompetentë të administratës janë të detyruar t’u lëshojnë palëve të interesuara, brenda 10 ditësh nga paraqitja e kërkesës dhe pa qenë nevoja për të pritur ndonjë urdhër nga eprorët, vërtetime apo kopje autentike të dokumenteve”. Në këtë urdhër janë detajuar të gjitha procedurat e veprimit për marrjen e vërtetimeve të ndryshme nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe llojet e dokumenteve që lëshon ky dikaster për efekt pensioni apo trajtime të tjera të veçanta. Sqarohet se vërtetimet që nuk janë të përfshira në ato që lëshon Ministria e Mbrojtjes, komandat e forcave, mbështetjes dhe strukturave të tjera të Forcave të Armatosura, duhet të kërkohen në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura. Sakaq, për të marrë në dorë këto dokumente, secili prej personave të interesuar duhet të paraqitet pranë Ministrisë së Mbrojtjes për të plotësuar një kërkesë e cila përcillet në drejtoritë përkatëse, që bëjnë edhe përgatitjen e vërtetimit që kërkohet. Pas plotësimit, dokumenti i kërkuar dorëzohet në Zyrën e Pritjes së Publikut, për t’ia dorëzuar të interesuarit, përkundrejt firmës.
Procedura për ushtarakët në rezervë dhe lirim
Trajtimi i kërkesave për lëshim vërtetimesh në Ministrinë e Mbrojtjes zhvillohet sipas kësaj procedure standarde veprimi:
I interesuari plotëson kërkesën sipas formularit përkatës.
Nëpunësi i Sektorit të Informacionit dhe Pritjes së Publikut, pasi ka verifikuar plotshmërinë e kërkesës, e dorëzon atë brenda ditës së punës për procedurë tek shefi i Sektorit të Informacionit dhe Pritjes së Publikut.
Shefi i Sektorit të Informacionit dhe Pritjes së Publikut, në ditën e dytë të punës, e dërgon kërkesën për procedurë në Drejtorinë e Përkujdesjes Sociale.
Drejtoria e Përkujdesjes Sociale, në ditën e tretë të punës, përpunon dhe dërgon kërkesën për Qendrën e Personel-Rekrutimit (Sektori i Kartotekës në Ministrinë e Mbrojtjes), për të identifikuar dosjen personale të të interesuarit.
Qendra e Personel-Rekrutimit (Sektori i Kartotekës në Ministrinë e Mbrojtjes), brenda 2 ditësh pune, vë në dispozicion të Drejtorisë së Përkujdesjes Sociale (Sektorit të Përkujdesjes Sociale për Ushtarakët në Rezervë, Pension dhe Veteranë), dosjen personale të të interesuarit.
Drejtoria e Përkujdesjes Sociale (Sektori i Përkujdesjes Sociale për Ushtarakët në Rezervë, Pension dhe Veteranë), brenda 3 ditësh pune, përpunon dokumentin e kërkuar (vërtetim, modular), ose përgjigjen përkatëse për të interesuarin, në dy kopje.
Pas firmosjes nga drejtori i Drejtorisë së Përkujdesjes Sociale, dokumenti i kërkuar (vërtetim, modular) dërgohet për vulosje në Zyrën e Sekretarisë dhe Arkivit në MM. Një kopje e tij regjistrohet dhe mbahet në dosjen personale të të interesuarit, kurse kopja tjetër i dërgohet brenda ditës së punës shefit të Sektorit të Informacionit dhe Pritjes së Publikut.
Sektori i Informacionit dhe Pritjes së Publikut, brenda ditës së punës, e dërgon vërtetimin (modularin, dublikatën e vulosur në Zyrën e Pritjes së Publikut për t’ia dorëzuar të interesuarit, përkundrejt firmës.
Procedura për familjet e dëshmorëve dhe veteranët
Trajtimi i kërkesave për lëshim vërtetimesh (modulare, dublikata, etj.) për familjet e dëshmorëve dhe veteranët, zhvillohet sipas kësaj procedure standarde veprimi:
I interesuari plotëson kërkesën sipas formularit, duke bashkëlidhur një certifikatë personale ose fotokopje të kartës së identitetit, një fotografi dokumenti (4x6) dhe vërtetim nga policia, përmes së cilës vërtetohet se ka denoncuar për humbjen e librezës së veteranit.
Nëpunësi i Sektorit të Informacionit dhe Pritjes së Publikut, pasi ka verifikuar plotshmërinë e kërkesës me dokumentacionin si më sipër, e dorëzon atë brenda ditës së punës për procedurë tek shefi i Sektorit të Informacionit dhe Pritjes së Publikut.
Shefi i Sektorit të Informacionit dhe Pritjes së Publikut, në ditën e dytë të punës, e dërgon kërkesën për procedurë në Drejtorinë e Përkujdesjes Sociale.
Drejtoria e Përkujdesjes Sociale (Sektori i Përkujdesjes Sociale të Ushtarakëve Rezervë, Dëshmorëve dhe Veteranëve), kërkon nga stafi teknik plotësimin e vërtetimit (modularit, dublikatës, etj.) brenda dy ditësh pune.
Drejtoria e Përkujdesjes Sociale, brenda ditës së punës, përgatit shkresën përkatëse dhe vërtetimin (modularin, dublikatën, etj.) në dy kopje dhe e dërgon për procedurë në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes.
Pas firmosjes nga ministri i Mbrojtjes, dokumenti i kërkuar (vërtetim, modular) dërgohet për vulosje në Zyrën e Sekretarisë dhe Arkivit në Ministrinë e Mbrojtjes. Një kopje e tij regjistrohet dhe mbahet në dosjen personale të të interesuarit, kurse kopja tjetër i dërgohet brenda ditës së punës shefit të Sektorit të Informacionit dhe Pritjes së Publikut.
Sektori i Informacionit dhe Pritjes së Publikut, brenda ditës së punës, e dërgon vërtetimin (modularin, dublikatën) e vulosur në zyrën e pritjes së publikut për t’ia dorëzuar të interesuarit, përkundrejt firmës.
Llojet e vërtetimeve që lëshohen në Ministrinë e Mbrojtjes
1.Vërtetim për periudhën e shërbimit në Forcat e Armatosura si oficer aktiv, bazuar në të dhënat e dosjes personale.
2.Modular për efekt pensioni, vjetërsie shërbimi, invaliditeti ose familjar (nëse personi ka mbyllur karrierën në Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm).
3.Vërtetimi i vjetërsisë së shërbimit si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm (për efekt të pensionit të parakohshëm). Dërgohet vetëm zyrtarisht në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.
4.Vërtetimi për pagën referuese për efekt të përfitimeve nga sigurimet suplementare, (për efekt të pensionit të parakohshëm). Dërgohet vetëm zyrtarisht në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve.
5.Vërtetim për trajtim të veçantë financiar për vite shërbimi si pilot fluturues në pension. Dërgohet vetëm zyrtarisht në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve (sipas ligjit nr.9128, datë 29.07.2003).
6.Vërtetim page referuese për efekt të përfitimit të trajtimit të veçantë të pilotit fluturues në pension. Dërgohet vetëm zyrtarisht në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve (sipas ligjit nr.9128, datë 29.07.2003).
7.Vërtetim për vite shërbimi për trajtim të veçantë financiar si efektiv lundrues i nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare, në pension. Dërgohet vetëm zyrtarisht në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve (sipas ligjit nr.9361, datë 24.03.2005).
8.Vërtetim page referuese për efekt të përfitimit të trajtimit të veçantë financiar të efektivave lundrues i nëndeteseve dhe polumbarëve të forcave detare, në pension. Dërgohen vetëm zyrtarisht në Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve (sipas ligjit nr.9361, datë 24.03.2005).
9.Vërtetim për bazën e vlerësueshme dhe pagën neto mesatare. Lëshohet nga Sektori i Financës në Drejtorinë e Administrimit të Shërbimeve. (Nëse personi ka mbyllur karrierën në institucionin e MM dhe në SHPFA).
10. Dublikatë të librezës së veteranit në rastet kur humbet.
11. Të dhëna nga dosja e dëshmorit.
Shënim: Në bazë të VKM nr.29, datë 28.01.2002, Komisioni Qendror për
dhënien e Statusit të Veteranit ka përfunduar praktikat për dhënien e Statusit
të Veteranit në datën 30 korrik 2002.
Llojet e vërtetimeve që mund të lëshohen pranë komandave të forcave, të mbështetjes dhe strukturave të tjera të Forcave të Armatosura
1.Modulari i vjetërsisë së shërbimit si ushtarak aktiv për efekt të sigurimeve shoqërore suplementare, i cili dërgohet vetëm në rrugë zyrtare në Drejtorinë e Përkujdesjes Sociale në Ministrinë e Mbrojtjes.
2.Vërtetimi për pagën referuese për efekt të përfitimeve nga sigurimet suplementare, i cili dërgohet vetëm në rrugë zyrtare në Drejtorinë e Përkujdesjes Sociale në Ministrinë e Mbrojtjes.
3.Modulari për efekt pensioni, vjetërsie shërbimi, invaliditeti ose familjar lëshohet nga komanda e njësisë ose repartit ku ka mbyllur karrierën ushtaraku, në bazë të të dhënave të dosjes personale që administrohet në njësi ose në repart.
4.Vërtetime për periudhën që ushtaraku ka shërbyer në Forcat e Armatosura në bazë të të dhënave të dosjes personale.
5.Vërtetim për bazën e vlerësueshme dhe pagën neto mesatare.
6.Vërtetimi për trajtimin me pagesë kalimtare lëshohet vetëm në Qendrën e Personel-Rekrutimit të SHP të FA, e plotësuar nga specialisti i financës.
7.Vërtetimi për kryerjen apo moskryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv lëshohet vetëm në Qendrën e Personel-Rekrutimit të SHP të FA.