Rrëfimi i gardianes që gjeti trupat e pajetë
Përpara se të vriste veten me kontakt elektrik, i burgosuri i qelisë numër 5 në burgun e Peqinit, Mynyr Muça, i ka lidhur gojën bashkëshortes dhe më pas e ka vrarë atë duke e mbytur me duar. Më pas, pasi e ka vendosur atë në krevat, në të njëjtën mënyrë ka lidhur dhe veten e tij dhe më pas ka realizuar vetëvrasjen me një qark elektrik me ndihmën e kabullit të ventilatorit që gjendej në dhomë. Personi që i ka gjetur të parët trupat e pajetë të të dy bashkëshortëve, ka qenë një gardiane grua. Elida Broshka ka treguar një ditë më parë për “T.Channel” se, “kur erdha dhe trokita në derë, nuk mora asnjë përgjigje. Atëherë vendosa të hap vetë derën dhe fillimisht pashë gruan të mbuluar me çarçaf, ndërsa burri ishte shtrirë”. Ndërkohë, Shkëlqim Kalemi, drejtori i burgut të Peqinit thotë se “në momentin kur na njoftoi polici, ata ishin të dy të shtrirë. Thirrëm menjëherë mjekun dhe pasi u konstatua që ata kishin vdekur lajmëruam organet e posaçme”. Mynyr Muça, vuante dënimin në të njëjtin burg bashkë me dy vëllezërit e tjerë, Blerimin dhe Bardhylin për një përplasje me armë me policinë, gjatë së cilës viktima kishte humbur një këmbë. Ndërkohë, burime nga burgu pohojnë se dy vëllezërit e tij kanë pritur shkëmbimin e cigareve në qelinë numër pesë për vdekjen e Mynyrit, por jo për të kunatën, Thëllëzën, të cilën e gjykonin hapur për largimin e saj gjatë kohës që i shoqi u arrestua. Sipas specialistëve, vdekja ishte e paralajmëruar, pasi pas dënimit të Mynyrit e shoqja e kishte braktisur por më pas duket se ishte penduar dhe ishte kthyer pranë familjes së tij. Një gjë e tillë ka nxitur prindërit e të dënuarit, të cilët kërkonin që djali i tyre të mos e pranonte më si grua. Pasditen e së martës, pas takimit me të atin dhe vajzën 6-vjeçe, Mynyr Muça ka hyrë në dhomën speciale me të shoqen.