E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në pallat, faji i punimeve pa kushte sigurie

Rrjedhja e gazit nga gjeneratori i sistemit të ventilimit në bodrumin e pallatit 15-katësh në “Rrugën e Kavajës”, ka ardhur si pasojë e punimeve jashtë çdo lloj kushti të sigurimit teknik gjatë kryerjes së punimeve. Një ditë pas rënies së zjarrit që u kthye në një tmerr për dhjetëra familje, ekspertët e policisë kanë përcaktuar se ka qenë pikërisht mungesa e kushteve më minimale në punë nga punonjësit e firmës “Termo–Impianti” sh.p.k., çka ka çuar në rrjedhjen e gazit nga gjeneratori. Detajet e fundit rreth hetimit të ngjarjes së të hënës janë mësuar një ditë më parë nga burime pranë policisë së kryeqytetit, sipas të cilave, dy prej punëtorëve të kësaj firme, Dashamir Lila, 39 vjeç dhe Myftar Sulaj, 58 vjeç, të dy banues në kryeqytet, janë nën hetim në gjendje të lirë dhe materialet e tyre i janë dërguar prokurorisë. Ndërkohë, të dhënat e para nga policia për dëmet materiale të shkaktuara në apartamentet e banorëve nga bloza dhe tymi i zjarrit, përllogariten në të paktën 15 milionë lekë të reja, por sipas tyre, kjo shifër pritet të rritet edhe më, pasi ekspertët janë ende duke verifikuar dëmet e shkaktuara.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se personat e asfiksuar nga zjarri, të cilët u shtruan në spital të hënën, janë jashtë çdo rreziku për jetën, si dhe kanë lënë ambientet e spitalit. Ndërkohë duke marrë shkas nga situata e krijuar në zonë, doli në pah mungesa e rrugëve të lira për makinat e shërbimit të zjarrfikësve. Sipas të dhënave nga MNZ, ky nuk është rasti i vetëm, pasi thuajse çdo ditë në kryeqytet një shtëpi përfshihet nga zjarri dhe pengesa e vetme kryesore është mungesa e rrugëve të lira për shuarjen e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›