E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjetet e bllokuara në polici, rriten tarifat për parkimin

Tarifa më të larta për parkimin e mjeteve motorike të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore, ndërkohë që çdo ditë vonese është në dëmin financiar të pronarëve të tyre. Një masë e tillë është vendosur që në datën 27 korrik të këtij muaji, ndërsa një ditë më parë, Drejtoria e Policisë së kryeqytetit ka bërë publike tarifat standarde financiare të parkimit të mjeteve të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë. Ndryshimet janë bazuar në udhëzimin e përbashkët, midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, përmes Shërbimit të Qarkullimit Rrugor Tiranë, ku specifikohet: “Krijimi dhe administrimi i të ardhurave që krijojnë institucionet e Ministrisë së Brendshme” (i ndryshuar), ku tarifat e shërbimeve që realizojnë ndaj të tretëve, për të ardhurat nga veprimtaria ekonomike përcaktojnë tarifat standarde”.

Në këtë kuadër, për ditët e qëndrimit të mjeteve të bllokuara në ambientet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, tarifat standarde do të jenë 200 lekë për parking motori, 500 lekë për parking veture; 700 lekë për parking kamioni ose furgon (më pak se 3.5 ton); 1000 lekë, për parking kamioni dhe autobusi (12 +1 vendesh) nga (3.5 ton deri në 10 ton); 1500 lekë, për parking kamioni dhe autobusi (50+1 vendesh) (mbi 10 ton); dhe 4000 lekë, tarifë standarde financiare për shërbim transporti për mjetet e bllokuara nga shërbimi i qarkullimit rrugor.

Krahas sa më lart, policia e kryeqytetit bën me dije të gjithë qytetarët të cilët kanë mjete të bllokuara në ambientet e Komisariatet të Policisë Rrugore, të përshpejtojnë pagesat dhe detyrimet e tyre financiare të parkimit të mjeteve të bllokuara.

Tarifat e reja financiare, për parkimin e mjeteve të bllokuara në ambientet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, kanë filluar më datë 27 korrik 2008, ndërsa policia thekson se mospagimi i tarifave përbën shkelje të dispozitave ligjore të Kodit Rrugor, në nenet 203, 178 dhe 132.

Për këto shkelje specifikohet: vjelja e gjobave administrative; të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e Kodit Rrugor, paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë.

Ndërkohë që pas kalimit të këtij afati, për çdo vonesë, paguhet me 2 % kamatë deri në 1 (një muaj). Ndërsa kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në 3 (tre muaj) dhe pas këtij afati kryhet shitja e mjetit në ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit.

Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, arkëtimi i vleftës do të bëhet brenda 5 ditëve në zyrat administrative të përcaktuara (që kanë të bëjnë me zyrat e hapura nga Posta Shqiptare). Të ardhurat nga gjobat për shkeljet e parashikuara nga ky kod i kalojnë në masën 60 % organit që ka verifikuar shkeljen.

Në këtë kontekst, Drejtoria e Policisë së Tiranës u bën thirrje qytetarëve debitorë që të shlyejnë detyrimet e tyre, për mjetet e bllokuara, të cilat ndodhen të parkuara në ambientet e Komisariatit të Policisë Rrugore, pasi çdo ditë qëndrimi dhe vonese është në dëmin financiar të tyre.

Tarifat për ditët e qëndrimit të mjeteve të bllokuara

200 lekë, për parking motori

500 lekë për parking veture

700 lekë, për parking kamioni ose furgon (më pak se 3.5 ton)

1000 lekë, për parking kamioni dhe autobusi (12 +1 vendesh) nga (3.5 ton deri në 10 ton)

1500 lekë, për parking kamioni dhe autobusi (50 +1 vendesh) (mbi 10 ton)

4000 lekë, tarifë standarde financiare për shërbim transporti për mjetet e bllokuara nga shërbimi i qarkullimit rrugor

Masat për shkelësit

Gjoba duhet të paguhet nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë.

Pas kalimit të këtij afati, për çdo vonesë, paguhet me 2 % kamatë deri në 1 (një muaj).

Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në 3 (tre muaj) dhe pas këtij afati kryhet shitja e mjetit në ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit.

Arkëtimi i vleftës do të bëhet brenda 5 ditëve në zyrat administrative të përcaktuara (që kanë të bëjnë me zyrat e hapura nga Posta Shqiptare).

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›