E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani dhe Prençi; RENEA, lider në punën e Policisë së Shtetit

Një ditë pas zjarrit të rënë në pallatin 15-katësh në “Rrugën e Kavajës”, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, zhvilluan dje një takim më forcat e Repartit RENEA, të cilët morën pjesë në operacion. Në takim, ministri Nishani shprehu mirënjohjen për kurajën, trimërinë dhe humanizmin që u tregua nga efektivat e këtij reparti në operacionin e shpëtimit në ngjarjen e së hënës. Ndërkohë që u ka

përcjellë gjithashtu efektivave të repartit RENEA mirënjohjen, vlerësimin dhe konsideratën e lartë të autoriteteve më të larta shtetërore për shpëtimin e jetëve të njerëzve, ku bënë të mundur shmangien e një tragjedie. Ndërkaq, nga ana e tij kreu i policisë, Ahmet Prençi, falënderoi efektivat dhe drejtuesit e repartit RENEA për profesionalizmin dhe guximin e treguar në operacionin për shpëtimin e njerëzve.

Sakaq, Prençi evidentoi faktin se forcat e repartit RENEA gjithmonë kanë qenë elitë dhe në ballë të punës për realizimin e detyrave institucionale të Policisë së Shtetit. Me këtë rast ai nënvizoi nevojën që ashtu si deri tani, reparti RENEA të ruajë rolin lider të forcave speciale të Policisë së Shtetit, nëpërmjet perfeksionimit të vazhdueshëm të veprimeve të tyre në situata emergjence. Reparti special RENEA arriti të nxirrte rreth 50 persona për 30 minuta nga një pallat që rrezikonte jetët e qytetarëve nga flakët. Ngjarja ndodhi paraditen e së hënës në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë, ku falë ndërhyrjes së repartit special RENEA u mundësua evakuimi në kohë rekord i banorëve të rrezikuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›