E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shmanget katastrofa, pusi i naftës në flakë

Pakujdesia e një fshatari gati sa nuk ka shkaktuar një katastrofë të vërtetë në rrethin e Fierit, kur teksa i ka vënë flakën parcelës së tij, zjarri ka përfshirë një pus nafte duke iu drejtuar puseve të tjerë. Fatmirësisht, ka qenë ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve dhe e policisë së Fierit, të cilët kanë mundur të vënë nën kontroll situatën duke bërë të mundur shuarjen e zjarrit në pusin e naftës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Zharrëz, kur Ferit Grembi i ka vënë flakën parcelës së tij me barë të thatë, për të hapur të mbjellat e reja, por i ndihmuar dhe nga era, zjarri është përhapur deri në një pus nafte që ndodhej aty afër. Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe sipas të dhënave, zjarri u është drejtuar puseve të tjerë të shumtë që ndodhen në zonën naftëmbajtëse. Përpjekjet e Grembit për të shuar zjarrin kanë qenë të kota, derisa bashkëfshatarë të tjerë të Zharrëzës kanë lajmëruar policinë. Pas një pune të shpejtë nga zjarrfikëset, kjo e fundit ka mundur të shuajë zjarrin, duke shmangur kështu një katastrofë të vërtetë në fshatrat përreth ndoshta dhe më gjerë. Pas ngjarjes, policia tha se Ferit Grembi është shoqëruar në komisariat, ku tashmë do t’i duhet të përgjigjet për zjarrvënie.

As nuk e ka menduar se zjarri që po ndizte në barin e thatë të tokës së tij, do të rrezikonte puset e naftës në seri që ndodheshin disa metra më tej. Ferit Grembi, një banor i fshatit Zharrëz në qarkun e Fierit, më kot është mundur më pas të shuajë zjarrin e ndezur me duart e tij, teksa flakët afroheshin gjithnjë e më shumë puseve. Sipas të dhënave të policisë lokale, kjo e fundit ka marrë njoftimin nga disa banorë të tjerë të fshatit dhe menjëherë shërbimet e saj janë nisur për në vendngjarje. Sipas policisë, flakët kishin depërtuar deri në afërsi të një pusi, por fatmirësisht nuk ishte ndezur ende nafta që sadopak rridhte nga nëntoka. Për më tepër, burimet policore pohojnë se flakët po ndihmoheshin dhe nga era dhe në këtë situatë rrezikoheshin puset e tjerë në radhë. Megjithatë, forcat e rendit, si dhe ato të zjarrfikëses i janë përveshur punës për shuarjen e zjarrit. Për më se një orë, të gjithë kanë punuar për shuarjen e flakëve, derisa më në fund gjithçka është vënë nën kontroll. Pas ngjarjes, mësohet se autori i zjarrvënies, Ferit Grembi, është shoqëruar në komisariatin e policisë së Fierit. Ndërsa policia tha se zjarri i djeshëm ka rrezikuar shumë puset e naftës, çka do të shkaktonin një katastrofë të vërtetë për gjithë zonën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›