E Shtunë, 31 Tetor 2026

50-vjeçarja me të meta mendore, “e burgosur” në Policinë e Fierit

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fier. Një grua rreth 50-vjeçare, që dyshohet se ka probleme mendore, është acaruar dhe ka shfaqur shenja agresiviteti në furgonin e linjës Gjirokastër-Tiranë dhe nuk ka dashur të zbresë nga automjeti.. I ndodhur në këto kushte, shoferi e ka dërguar në spitalin civil të Fierit dhe këta të fundit e kanë përcjellë për në spitalin psikiatrik të Vlorës. Por duket se odiseja e “vajtje-ardhjeve” të gruas fatkeqe nuk përfundon këtu. Spitali psikiatrik i Vlorës nuk e ka pranuar për shumë kohë pacienten dhe tashmë ajo ndodhet në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së qarkut Fier. Në një njoftim për shtyp, zëdhënësi i kësaj policie u bën thirrje gjithë institucioneve, që në bazë të autoritetit që ato kanë, të bëjnë të mundur dërgimin e gruas 50-vjeçare në Spitalin Psikiatrik të Vlorës.

Ngjarja

Ka qenë ora 18:00 e ditës së djeshme, kur në afërsi të fshatrave të Patosit, ka ngritur dorën para një furgoni të linjës Gjirokastër-Tiranë, një grua rreth të 50-ve. Duke e konsideruar si një pasagjere të zakonshme, drejtuesi i furgonit ka ndalur automjetin dhe e ka marrë gruan. Në qytetin e Fierit, gruaja ka shfaqur shenja të agresiviteti dhe egërsie. Në këto kushte, drejtuesi i furgonit, bashkë me mjetin dhe “gruan e pabindur”, i është drejtuar spitalit civil të Fierit. “Ajo rrinte pa folur dhe kur unë afrohesha për ta zbritur, ajo egërsohej” - u ka thënë më pas bluzave të bardha të spitalit civil të Fierit, drejtuesi i furgonit. U binda që është e sëmurë mendore, ndaj e solla këtu. Në të njëjtën kohë, drejtuesi i furgonit ka lajmëruar edhe policinë për ngjarjen dhe është larguar. “Na morën në telefon nga salla operative e drejtorisë së policisë” - thotë zëdhënësi i saj, i cili bashkë me inspektorin e zonës shkuan në spitalin civil të Fierit. “E shoqëruam shtetasen për në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, së bashku me bluzat e bardha fierake. Atje drejtoria e spitalit nuk e pranoi për arsye se gruaja nuk flet, nuk jep gjeneralitetet e saj dhe nuk ishte e shoqëruar nga një pjesëtar i familjes. Të ndodhur në këto kushte, e kemi shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Fierit kemi njoftuar edhe komisariatet e rretheve fqinjë për identifikimin e saj dhe për ta marrë të afërmit. Ose instancat lokale të bëjnë çështë e mundur të bindin Psikiatrinë e Vlorës që ajo të strehohet atje si e sëmurë, pasi ne nuk kemi ambiente as staf profesional, as ka kuptim që gruaja të rrijë në ambiente të papërshtatshme për gjendjen e saj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›