E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i një mjeku: 2500 autopsitë e mia në morg

FIER - Kostandin Kërin në Fier të gjithë e njohin me emrin doktor Koçi. Ai ka një jetë që punon në shërbimin anatonomo- patologjik, ose thënë ndryshe, në morgun e spitalit të Fierit.

Qëndrimi mes të vdekurve për të nuk është një tabu, ashtu si shumë të tjerë, madje ai vetë thotë se vajtja në një varrim është për të më e vështirë sesa ekzaminimi i një trupi për të gjetur shkakun e vdekjes. E teksa ende në vend autopsia nuk preferohet nga familjarët e të vdekurve, doktor Koçi e cilëson atë të domosdoshme.

Doktor, fillesat tuaja në morgun e Fierit janë prej vitit 1980. A mund të bëni një krahasim midis asaj periudhe dhe ditëve të sotme?

Në ato vite morgu ishte turp ta quaje të tillë pasi mungonte gjithçka, duke filluar nga frigoriferi deri edhe te mjetet e domosdoshme, dorashkat që përdoreshin për autopsitë dhe veglat e tjera të punës për këtë qëllim. Ndërsa dhomat ku ndodheshin zyrat e mjekëve ishin gjithë lagështirë dhe për dokumentimin e punës që bëhej, punohej me një makinë shkrimi të vjetër. Godina e morgut gjithashtu ishte gjithë lagështirë dhe në disa vende muri ishte i krisur dhe gati në të shembur. Mund të them se sot ky shërbim është krejt ndryshe. Ai është vendosur në ambientet e spitalit pediatrik, ku siç e shikoni, ka kushte pune shumë të mira, zyrat e mjekëve anatonomë janë të pajisura me kompjuterë, me laboratorë ku gjithçka regjistrohet dhe dokumentohet sipas rregullave. Të njëjtën gjë mund të themi edhe dhomat e tjera ku bëhen analizat dhe diagnostikimet e të vdekurve për të zbuluar shkaqet e vdekjes, mekanizmin e saj, të cilat bëhen me kërkesë të prokurorisë.

Si e cilësoni profesionin tuaj?

Në shumë vite si mjek jam përballur me situata të vështira, në luftë mes dhimbjes dhe forcës dhe këtë jo të gjithë e bëjnë. Të gjallët kur kujtojnë morgun drithërohen në trup. Është një profesion sa i vështirë, edhe delikat pasi në shumë raste, krahas punës, përballesh edhe me njerëzit që kërkojnë të marrin trupin e të afërmit të tyre pa bërë autopsinë. Në fakt unë e shoh si gabim një gjë të tillë, pasi së pari duhet gjetur shkaku i vdekjes e pastaj t'i bëhen nderimet e fundit.

Sa autopsi keni kryer që prej fillimit të punës suaj?

Nga viti 1980 e deri më sot kam bërë rreth 2500 autopsi. Para viteve '90 numri i ekzaminimeve arrinte në 350 në vit, përfshi këtu ato të anatomisë patologjike dhe të mjekësisë ligjore. Në çdo rast autopsie apo ekzaminimi mjeko-ligjor, mjeku duhet të jetë shumë i kujdesshëm për përcaktimin e saktë të shkakut dhe diagnozës që ka sjellë humbjen e jetës, duke mos nënvlerësuar as gjërat më të vogla. Në të tilla raste ne punojmë me një vendim të prokurorisë. Mund të them se gjatë këtyre autopsive kanë ndodhur qindra raste që të shoh anomali tepër të rënda biologjike, të tmerrshme. Ka pasur raste që një person futet në morg për t'u interesuar për një njeri të tij të vdekur por del me shpejtësi i frikësuar. Hija e rëndë që ka ky institucion, të bën gjithnjë të mendosh se ia vlen të jetosh dhe se hallet dhe problemet e përditshme mund të kalohen.

Cila është pika juaj e dobët?

Punoj në prani të të vdekurve, por ndihem keq kur shkoj në ndonjë varrim. Pikërisht sot jam kthyer nga një i tillë dhe ndihem ende i dërrmuar. Ndryshe më ndodh me autopsinë. Tek trupi i të vdekurit përqendrohem të shikoj shkakun dhe se sa mundësi kishte ai t'i shpëtonte vdekjes. Kam 30 vjet që punoj në morg dhe më pëlqen ky profesion, pavarësisht se aty ndeshem me trupa të vdekur, të shpërfytyruar nga ndonjë aksident, gjakmarrje, hakmarrje , vetëhelmim apo vetëvrasje ose vrasje me armë zjarri. Më duhet të bëj ekzaminimet, pasi në çdo rast duhet të bëhet ekspertiza mjeko-ligjore.

Kur e keni ndier veten më keq?

Më ka ndodhur një rast kur në Qafën e Llarit ndodhi një aksident automobilistik. Një mjet tip "Saurel" kishte rënë në greminë dhe si pasojë vdiqën nëntë vetë. Mes tyre ishte dhe një mik imi. Ishim bashkë me kolegun Bani Samarxhiu. Jemi ndier keq sepse përveçse e njihnim, kishim të bënim me trupa të shëndoshë, të cilët nuk vuanin nga asnjë lloj sëmundje.
Edhe në ngjarjen e Levanit në vitin 1997 jam ndier keq, pasi u vranë shumë vetë, aq sa s'kishim ku t'i fusnim. Duhej të punonim në kushte të vështira, pasi kishte edhe nga ata që trupi u ishte dëmtuar shumë. Jemi munduar atëherë që t'u jepnim pamje për ta bërë sa më pak të tmerrshme kontaktin me familjet, që i shihnin për herë të fundit. Rast tjetër është ngjarja pranë hyrjes kryesore prej hekuri të ish-hotel turizmit ku u vranë katër vetë. Të gjitha rastet janë të vështira, por është detyra jonë si mjekë t'i përballojmë.

Rasti më i fundit që mbani mend?

Ishte një ngjarje që tronditi mbarë vendin. Bëhet fjalë për deputetin socialist Fatmir Xhindi. Isha në shtëpi kur më telefonuan dhe më thanë se duhet të shkoja me urgjencë në spital. Aty mësova se do të ekzaminoja trupin e një deputeti të vrarë. Jam tronditur shumë. Duart më dridheshin, por duhet të bëja detyrën. Deputeti ishte gjithë gjak. E pastruam dhe filluam ekzaminimin e trupit. Shumë plumba kishte marrë në trup, të cilat i kishin marrë jetën aty ku ishte qëlluar. Ishte shumë i vështirë. Të tilla raste janë edhe ekzaminimet e të njohurve, të shokëve të fëmijërisë, ndërsa ndihem shumë keq kur ekzaminoj fëmijë të vegjël. Ndoshta, kjo më ndodh për shkak të moshës.

Çfarë shihni si problem në profesionin tuaj?

Te ne ka një mendësi jo të mirë te familjarët, të cilët mendojnë se nuk është e nevojshme bërja e autopsisë tek personi i vdekur. Por në fakt, një gjë e tillë është e domosdoshme, pasi zbulon edhe shkakun e vdekjes dhe një gjë e tillë do të bënte që vetë familjarët të ndiheshin më të qetë.

Si e përjeton familja punën tuaj?

Edhe ajo ka pasur shqetësim. Unë kam tre fëmijë. Fillimisht ishte shumë problem, pasi zilja e telefonit binte në çdo orë. Unë jam në gatishmëri 24 orë pa ndalim, kështu që kam apo nuk kam hall vetiak, më duhet t'i përgjigjem çdo thirrjeje. Dihet që një gjë e tillë i shqetëson, por gjithsesi ata tregohen të duruar dhe e respektojnë punën time. Ka raste që më presin zgjuar, pasi shqetësimet e mia janë pjesë e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›