E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria vazhdon të "punojë" për llogari të Delijorgjit

GËRDECI

Mbetjet e gëzhojave të tunxhit në ish- fabrikën e demontimit transportohen ng mjetet e Ushtrisë në magazinat e "Albademil" pa pagesë

Ky veprim i kryer nga forcat e Ushtrisë përpara shpërthimit, u cilësua si shkelje nga prokuroria gjatë hetimit të kryer prej saj

TIRANË- Në kohën kur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet po vazhdon procesi gjyqësor në ngarkim të 28 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e shpërthimit në Gërdec, pranë këtij ish-reparti të tankeve vazhdojnë punimet për pastrimin e zonës nga predhat dhe municionet që ditën e 15 marsit 2008 ndodheshin në fabrikë.

Për pastrimin e zonës së shpërthimit, Ministria e Mbrojtjes mësohet se ka kontraktuar prej muajsh me një kompani angleze e cila ka punësuar një numër të madh ish-ushtarakësh shqiptarë, të cilët po vazhdojnë punimet për pastrimin e zonës së kraterit dhe mbledhjes së municioneve/shtimje të shpërndara nga shpërthimi.

Të gjithë këto mbetje municionesh/shtimje me gëzhoja tunxhi të kalibrave nga 20 mm deri në 152 mm që ende po nxirren dhe pastrohen nga territori i ish-repartit të tankeve, po grumbullohen në stoqe nga kompania angleze. Më pas këto mbetje po transportohen me mjetet e Forcave të Armatosura të Ushtrisë duke i deponuar në magazinat e kompanisë "Albademil" në fshatin Murraç të Librazhdit.

Transportimi, sipas burimeve zyrtare pranë Shtabit të Përgjithshëm të FA, po kryhet nga mjetet transportuese të repartit të Xhenios me shpenzimet e vetë Forcave të Armatosura. "Transportimi i tyre bëhet me mjetet transportuese të repartit të Xhenios me urdhër të Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura.

Të gjitha shpenzimet e këtyre transportimeve mbulohen nga Ministria e Mbrojtjes, pasi të gjitha llogaritë bankare të kompanisë "Albademil" janë të bllokuara me vendim gjykate dhe mbetjet e municioneve/shtimje që ndodhen në Gërdec janë të kompanisë "Albademil"- thanë për "Shekullin", burime të rezervuara pranë Shtabit të Përgjithshëm.

Mbulimi i këtyre shpenzimeve vazhdon të bëhet nga Ministria e Mbrojtjes edhe pse Prokuroria e Përgjithshme nga hetimet 12 mujore të çështjes së shpërthimit në Gërdec, mori të pandehur të gjithë ish-kuadrin komandues të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes për akuzën e "shpërdorimit të detyrës", pikërisht për çështjet e transportit.

Kjo pasi në kontratat me kompaninë "Albademil" nuk kishin parashikuar shpenzimet e transportit që do kryheshin për llogari të subjektit privat. Këto shpenzime, sipas kërkesës për gjykim, janë mbuluar nga ndërmarrja MEICO dhe i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 88.2 milionë lekë të reja.

Në të kundërt, vazhdimi i transportimit rë municioneve nga Gërdeci në magazinat e fshatit Murraç të Librazhdit, për llogari të Delijorgjit, nga prokuroria cilësohet thjesht si një detyrë e Ushtrisë për pastrim të zonës.

"Kompania angleze është kontraktuar për pastrimin e zonës, duke i grumbulluar në stoqe të gjitha mbetjet e municioneve/shtimje me gëzhoja tunxhi të kalibrave nga 20 mm deri në 152 mm dhe më pas ata i transporton Ushtria drejt magazinave të kompanisë "Albademil" në Librazhdë.

Pas deponimit, forcat e ushtrisë me anë të një procesverbali lajmërojnë prokurorët e çështjes së Gërdecit, për sasinë e dorëzuar pasi i gjithë materiali që ndodhet në kraterin e shpërthimit, i përket kompanisë "Albademil", pasuritë e së cilës janë bllokuar me vendim gjykate"-thuhet nga prokuroria për faktin e transportimit të këtyre mbetjeve të municioneve falas nga Ushtria.

Dëmi i transportit falas 88.2 milionë lekë

Sipas prokurorisë, të pandehurit në kontratat e shitjes së municioneve të ndryshme kompanisë "Albademil" nuk kishin përllogaritur shpenzimet e transportit.

Sipas prokurorisë, nga mos përfshirja e këtyre shpenzimeve në kontratën e shitjes së municioneve të pandehurit kanë përmbushur ofertë/kërkesën e shoqërisë SAC-inc me qëllim realizimin e përfitimeve të padrejta materiale të shoqërisë "Albademil" të administruar nga i pandehuri Mihal Delijorgji dhe Patrik Henri.

"Me këtë veprim, të kryer nga të pandehurit, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, me synim përfitimin material të padrejte të shoqërive "Albademil" dhe "SAC-inc", në mbulimin e shpenzimeve të transportit, kanë sjellë pasoja të rënda interesave të ligjshme ekonomike të shtetit pasurisë ushtarake në administrim të Forcave të Armatosura në vlerën e rreth 88.2 milionë lekëve të reja"-thuhet për transportin në kërkesën për gjykim të Prokurorisë.

Kjo mospërfshirje e shpenzimeve të transportit është cilësuar nga prokuroria si kryerje e veprës penale të "shpërdorimit të detyrës" nga të pandehurit që tashmë po gjykohen

Oficerë anglezë për të pastruar territorin në Gërdec

Në kraterin e shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec, prej muajsh punojnë për pastrimin e zonës rreth 50 punonjës të gjithë pensionistë të Forcave të Armatosura të Ushtrisë të cilët janë punësuar nga kompania angleze për pastrimin e zonës.

Mësohet se kjo kompani për çdo punonjës paguan rreth 800 dollarë në muaj, duke i pajisur me të gjitha mjetet e punës të teknologjisë së lartë për konstatimin e predhave (hekurit) të mbuluar me baltë. Gjithashtu, mësohet se edhe vetë drejtuesit e kompanisë angleze të përbërë prej ushtarakëve të vjetër punojnë bashkë me ata shqiptarë.

88.2 milionë lekë të reja në total është cilësuar dëmi i shkaktuar nga transportimi falas i municioneve për demontim nga mgazinat e ushtrisë në gërdec me mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.

******************

PADIA
Rrëzohet padia e parë civile e viktimave të Gërdecit

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, e kryesuar nga gjyqtari i vetëm Agim Bendo, pak ditë më parë vendosi kthimin e padisë civile të familjes Kodra ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë "Albademil" për plotësimin e saj.

Ky lajm konfirmohet mbi bazën e vendimit me nr. akti 14514/3645 që i përket paditëseve Sabri, Glodian, Fiqierete, Rajmonda dhe Adnan Kodra, që të gjithë banues në Kamëz por në momentin e shpërthimin punonin pranë kësaj punishte demontimi.

Shpërthimi i kësaj fabrike, solli dëmtime të ndryshme ndaj pesë paditësve, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë me një kërkesë padi, duke kërkuar "shpërblimin e dëmit pasuror dhe jo pasuror në vlerën prej 17 milionë lekëve të reja".

Sipas vendimit të gjykatës, kjo padi duhet kthyer paditësve pasi është konstatuar se ajo është e metë dhe e pa plotë. "Padia nuk është shoqëruar me të gjithë provat shkresore; nuk është paguar taksa gjyqësore e objektit të padisë që është 1 % i vlerës së kërkuar si dëmshpërblim si dhe ndërgjyqësia nuk është e plotë; nga aktet në dosje konstatohet se është emërtuar gabim njëri nga ndërgjyqësit"-thuhet në vendimin e firmosur nga gjyqtari i vetëm Agim Bendo.

Sipas këtij vendimi, këto të meta që janë konstatuar dhe renditur në vendim, i janë bërë të ditur paditësve që në seancën përgatitore, duke i lënë kohë dy javore për përgatitjen e tyre. Por, që nga ajo ditë dhe deri në ditët e shpalljes së vendimit, këto të meta nuk ishin korrigjuar, duke shtyrë gjyqtarin Bendo të vendosë kthimin e saj paditësve, pa asnjë veprim si e pa plotë dhe me të meta, së bashku me aktet përkatëse të saj.

Sipas paditësve, ditën e shpërthimit shtetasit Sabri, Glodian, Fiqierete, Rajmonda dhe Adnan Kodra po punonin pranë kësaj fabrike, ku nga shpërthimi i magazinave ku ishte deponuar baruti kanë pësuar dëmtime të rënda për shëndetin e tyre. Dëmtime këto që janë konstatuar edhe në kartelat mjekësore, ku kopjet e tyre i ishin dorëzuar Gjykatës bashkë me padinë ndaj palës së paditur Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë "Albademil".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›