Zaimi, përfaqësimi i parë në Komitetin Ushtarak të NATO-s
bledar hoti
Për herë të parë, Shqipëria u përfaqësua si vend anëtar me të drejta të plota në mbledhjen e Komitetit Ushtarak të NATO-s. Pas përfundimit të procesit të depozitimit të dokumentacionit zyrtar nga vendet anëtare të NATO-s dhe Shqipëria në Uashington, për pranimin e Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, ditën e djeshme, më 2 prill 2009, Shqipëria u ftua zyrtarisht për të marrë pjesë, si vend anëtar me të drejta të plota, në mbledhjen e Komitetit Ushtarak të NATO-s. Në fjalën e hapjes, Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Giampaolo di Paula, vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë dhe të Kroacisë gjatë rrugës së përshkruar për anëtarësimin në NATO dhe përgëzoi pjesëmarrjen e tyre të parë në mbledhjen e Komitetit Ushtarak të NATO-s. Më pas, Përfaqësuesi Ushtarak i Shqipërisë në NATO, Gjeneralmajor Arian Zaimi, mbajti fjalën përshëndetëse. “Me hyrjen në NATO, më së fundi, Shqipëria mund të ndihmojë me pikëpamjet dhe përvojën e saj në vendimet strategjike, ndikimi i të cilave sendëzon njëherësh, mjedisin tonë si dhe atë të bashkësisë ndërkombëtare. Ne jemi të përkushtuar ndaj zotimeve tona për dhënien e një ndihmese të dobishme e të mirëfilltë, si dhe për të qenë një forcë shtytëse për arritjen e konsensusit me kolegët tanë të vendeve të NATO-s në gjasat vendimmarrëse që do të shtrojë koha para nesh”, tha Zaimi. Në fjalën e tij, ushtaraku Zaimi tha se “Ne jemi krejt të vetëdijshëm se anëtarësimi në NATO shënon vetëm fillimin e këtij procesi”. Ai u shpreh se si shtet jemi të vendosur për të ndjekur rrugën e zbatimit dhe të respektimit të standardeve të NATO-s, ndërkohë që presin me kënaqësi për të rritur nivelin e ndihmesës tonë kombëtare për stabilitetin dhe sigurinë Euro-Atlantike. “Shqipëria nuk është më një vend konsumator i sigurisë, por është prodhues i saj. Si vend partner, Shqipëria ka vënë në dispozicion burimet e saj më të mira, qytetarinë e vet, në formën e mbështetjes me trupa, në shumë prej operacioneve të drejtuara nga NATO. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Nuk është e mjaftueshme për NATO-n dhe, sigurisht, jo aq e mjaftueshme sa për të kënaqur krenarinë tonë të shquar kombëtare”, deklaroi Zaimi. Ai ka garantuar se Shqipëria do të mbështesë me aq mundësi sa të ketë, edhe pse modeste për përshpejtimin e procesit të integrimit të rajonit të Ballkanit në strukturat Euro-Atlantike. Ai ka theksuar se “tashmë, me anëtarësimin në Aleancë, ne mund të mbështetemi në këto lidhje të fuqishme për të përmbushur detyrimet, zotimet e përgjegjësitë tona dhe për të përballuar sfidat e së ardhmes”. “Në këtë çast të shënuar të rigjallërimit e të përforcimit të lidhjeve të Shqipërisë më Aleancën, ne kërkojmë nga ju, vetëm ashtu siç mund të kërkojë miku nga miku, të na ndihmoni në veprimtaritë tona, në rrugëtimin tonë, me bindjen se vendmbërritja e ardhshme, për popujt tanë dhe për botën në tërësi, do të jetë më e ndritur”, ka përfunduar në fjalën e tij atasheu ushtarak shqiptar.
Meta: Anëtarësimi në NATO, meritë e shqiptarëve
Kreu i LSI, Ilir Meta përshëndeti dje anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e madhe të Atlantikut Verior, duke bërë thirrje që ky mesazh lirie të mos përdoret si kapital politik, por të kthehet në mundësi mirëqenieje për shqiptarët. Këtë deklaratë Meta e bëri gjatë një vizite në një nga ndërmarrjet e prodhimit të veshjeve në Tiranë. “Këtë mesazh lirie dhe sigurie nuk duhet ta përdorim si kapital të brendshëm politik, ndërsa duhet të përpiqemi të zgjidhim problemet me të cilat përballet vendi, një ndër to dhe kapërcimi i krizës ekonomike, përmes politikave mbështetëse të qeverise ndaj biznesit”, theksoi kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Meta theksoi se anëtarësimi në NATO është në radhë të parë meritë e popullit shqiptar, i cili sipas kreut të LSI-së është populli më “pro NATO”, edhe më tepër se vetë anëtarët e saj. Ndër të tjera, Meta bëri thirrje që kjo arritje e madhe e Shqipërisë të kthehet në një mundësi mirëqenieje dhe prosperiteti për të gjitha familjet shqiptare. “Ajo që na duhet është që Shqipëria në NATO nuk mjafton për të zgjidhur problemet që kanë shqiptarët dhe për të arritur ato standarde, që kanë vendet më të zhvilluara të NATO-s. Na duhet Shqipëria në punë”, tha Meta.
Rama: NATO, moment historik për Shqipërinë
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilësoi dje si moment historik anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se 4 prilli është meritë e shqiptarëve dhe jo e politikanëve, që e lanë vendin pas në këto 18 vjet. “Nga dje Shqipëria “de juro” është anëtare në NATO. Jemi krenarë që jemi pjesë e aleancës. Anëtarësimi në NATO është meritë e shqiptarëve dhe jo e politikanëve të që na lanë pas për 18 vite”, tha kreu socialist në një deklaratë për shtyp nga selia rozë. “Është dita kur ne duhet ta kuptojmë se këto vlera që kemi përqafuar, liria dhe dinjiteti i njeriut janë tepër të çmuara. Për t’i siguruar ato na është dashur të paguajmë një çmim shpesh shumë të lartë. Është dita për të rishprehur përunjësisht respektin më të thellë për të gjithë ata që dhanë jetën në luftën heroike të popullit shqiptar përkrah aleatëve të mëdhenj kundër nazizmit e fashizmit, por edhe për të gjithë ata që u vranë, burgosën, syrgjynosën në një Shqipëri që për gjysmë shekulli mohoi vlerat e lirisë, demokracisë, pluralizmit, tolerancës”, tha Rama. Më tej, kryetari i PS-së u shprehu mirënjohjen miqve e partnerëve, si dhe një falënderim të veçantë për ushtarakët, që dhanë kontributin e tyre për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut Verior.