E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi në gjyq: Njerkën e mbyta se më tha që burri shkonte me vajzën

TIRANE – “Që im shoq shkonte me njerkën, kisha shumë vite që e dija dhe isha mësuar me këtë gjendje, ndërsa arsyeja që e mbyta ishte fakti që ajo më tha se im shoq kishte shkuar edhe me vajzën tonë. 

 Madje që nga mosha 13-vjeçare”. Kjo ishte dëshmia tronditëse e 61-vjeçares Vasilika Mazniku, dje në Gjykatën e Tiranës para trupit gjykues që po shqyrton çështjen. Mazniku, e cila akuzohet për “vrasje me mjete rrethanore në kushtet e tronditjes së rëndë psikike”, dëshmoi e qetë dje para gjykatës, ndërsa tregoi versionin e saj të ngjarjes, të cilin e kishte rrëfyer më parë para organit të akuzës gjatë marrjes në pyetje. Mazniku pohoi se ditën e krimit, më 3 shtator të vitit të kaluar kishte “nisur” grindjen e zakonshme me njerkën e burrit të saj, Bozhana Mazniku, 76 vjeçe. Ajo tha se prej 35 vitesh, jetonte në një banesë private me njerkën e bashkëshortit, të cilën e kishin trashëguar nga vjehrri. Banesa e tyre ndodhet në rrugën “Sitki Çiço” përballë shkollës 9-vjeçare, “Niket Dardani”, aty ku ndodhi edhe krimi në familje. Gratë kishin nisur debatin në momentin që në banesë ndodhej Sotir Mazniku, 65 vjeç, bashkëshorti i të arrestuarës dhe thjeshtri i viktimës. Në një moment pasi u flet dy grave ai del për të blerë cigare, ndërsa Bozhana i thotë Vasilikës se thjeshtri shkonte me të sa herë të donte dhe për më tepër ai kishte bërë seks vazhdimisht edhe me vajzën e tij, që nga mosha 13-vjeçare. Familja Mazniku ka tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem, njëri nga të cilët është prift dhe shërben në një kishë të kryeqytetit. Sipas Maznikut kjo ka qenë pika kulminante e grindjes së dy grave, pas të cilës ajo e ka mbytur plakën me përparëse. Pas kësaj, mbrojtja e të pandehurës duke pohuar edhe faktin se ajo vuante nga çrregullime mendore, i kërkoi gjykatës aplikimin e gjykimit të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua nga trupi gjykues. Gjykata vendosi ta shtynte seancën gjyqësore duke i lënë kohë prokurorit për të paraqitur konkluzionet përfundimtare.                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›