E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhelozia, studenti ther me thikë shokun e të fejuarës

Xhelozia për të fejuarën ka shtyrë dje drejt krimit një student të vitit të parë të Fakultetit Juridik në Tiranë. 

Dashamir Biçaku

Miriam Tufa, 19 vjeç, u arrestua nga policia me akuzën se ka plagosur me thikë bashkëmoshatarin e tij Dylber Allaraj. Ngjarja ndodhi dje në orën 10:30 në oborrin e Shkollës së Mesme të Përgjithshme në Farkë. Sipas policisë, studenti i Juridikut Miriam Tufa, ka shkuar aty që në orët e para të mëngjesit pas dyshimeve për ngacmime ndaj të fejuarës së tij nga Dylber Allaraj. E fejuara e autorit të plagosjes mësohet se është nxënëse në vitin e dytë të shkollës së mesme në Farkë. Në ambientet brenda oborrit të shkollës mes studentit të Juridikut dhe bashkëmoshatarit të tij Allaraj, është zhvilluar një debat për disa minuta. Më pas, i dyshuari për krimin Miriam Tufa, ka qëlluar dy herë më thikë personin që e akuzonte për ngacmime ndaj të fejuarës së tij dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja
Sipas hetimeve të policisë, Miriam Tufa pasi kishte mësuar për ngacmimet ndaj të fejuarës së tij, ka plagosur me thikë shokun e saj të klasës. Ditën e djeshme i dyshuari shkoi tek shkolla e së fejuarës duke debatuar me 19-vjeçarin Dylber Allaraj. Debati është ashpërsuar dhe në fund i arrestuari ka përdorur një thikë që kishte marrë me vete. Dylber Allaraj ka përfunduar me dy plagë të rënda në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa Miriam Tufa është arrestuar nga policia e Komisariatit nr.1, rreth 30 minuta pas ngjarjes, me akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e rëndë”. Allaraj si zakonisht ka qenë në shkollë dhe në një orë pushimi është takuar me Miriam Tufën student i Fakultetit Juridik në Tiranë. Ky i fundit sipas policisë, ishte i fejuari i një nxënëseje të vitit të dytë të kësaj shkolle, pikërisht shoqe klase me Allarajn. Prej disa ditësh adoleshentja i kishte pohuar të fejuarit të saj se shoku i saj i klasës e ngacmonte me fjalë e herë pas here i fliste duke i krijuar shqetësime. Sapo ka mësuar emrin e shokut së të fejuarës, juristi i ardhshëm ka mbërritur në shkollën ku mësonte e fejuara e tij. Paraditen e djeshme, Tufa ka kërkuar të takohet me “rivalin” e tij dhe e ka ndaluar, sapo e ka parë pranë shkollës. Aty, sipas burimeve të policisë, dy bashkëmoshatarët kanë nisur të grinden mes tyre dhe të shkëmbejnë fjalë fyese dhe ofenduese. Pas debatit, dy protagonistët janë goditur mes tyre me grushte dhe sende të forta. Në një prej këtyre momenteve, 19-vjeçari Tufa nga fshati Lundër i Komunës së Farkës, ka nxjerrë një thikë që mbante me vete dhe ka goditur me të dy here, nxënësin e vitit të dytë. Ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe është shembur përdhe ndërsa autori i krimit është larguar menjëherë. Polici i shkollës ka mbërritur në vendin e ngjarjes në pak sekonda, duke i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe duke lajmëruar komisariatin përkatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›