E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi nga qelia: Krasniqët dhe shqiptarët e krimit

SHKRUAN: Kevin Heldman 13-06-2011 11:42

Për të kuptuar historinë e krimit të organizuar në New York, ku, këtë javë, filloi gjyqi për vëllezërit tejet të dhunshëm Krasniqi dhe bashkëpunëtorët e tyre, nën akuzat e vrasjes dhe trafikut të drogës, m’u desh të shkoja në Michigan. Për pesë orë, në një burg në kufirin kanadez, u ula përballë Ketjol Manokut. Ai është dënuar për vrasje. Mocioni i fundit iu refuzua një ditë para mbërritjes sime. Ai peshon 90 kg dhe është 1.82 i gjatë, me kokë të qethur dhe me mjekër prej vikingu. I thashë se dukej i pathyeshëm. M’u përgjigj se më parë ishte më i madh dhe më i fuqishëm, por një aksident i kahershëm automobilistik e ka lënë me dhimbje dhe tani nuk stërvitet dot si më parë. E vetmja gjë që mungonte nga profili klasik ishte një tatuazh; dokumenti i burgut tregonte se nuk kishte asnjë. Por sigurisht, gjatë intervistës ai ngriti mëngën dhe ja ku ishte: një tatuazh i bërë në burg; një shqiponjë dykrenëshe, e gjatë nja 20cm dhe që zinte pjesën e sipërme të krahut; përfaqësuese e shqiptarëve kudo. 30-vjeçari Ketjol (Keti) Manoku ka jetuar sipas kodit të luftëtarit që kur ishte një ushtar i vërtetë në Ballkan. Më vonë, ai mbeti një ushtar edhe në rrugët e Amerikës. Shtatë vitet e fundit i ka kaluar pas hekurave të burgut, ku do të mbetet, vigjilent, për gjithë jetën e tij. Me një sinqeritet të ftohtë thotë se burgu është gjë e lehtë. Si gjimnazi. Tregon se njëherë në Shqipëri policët e rrahën deri sa bluza e tij gri u bë flakë e kuqe; ditën tjetër policët u paguan dhe ai u la i lirë. Thotë se ka qëlluar me armë për herë të parë në moshën 11 vjeç - një version rus i kalibrit 45. Bashkë me miqtë e tij pa njëherë 2 burra të qëlloheshin mu para syve. Njëri vdiq menjëherë, ndërsa tjetri më vonë nga plagët e marra. Shoku i Manokut u ul dhe i mori kapelen nga koka burrit të vdekur dhe e vendosi në kokën e vet. “Ktheja kapelën të vdekurit” i tha Manoku shokut.

Shumë prej miqve të tij në Shqipëri tani janë të vdekur. Më 1997, kur Shqipëria u marros, ishte ende adoleshent. Të gjitha llojet e municioneve dhe armatimeve (të policisë, ushtrisë, artileria e rëndë) u lanë në mëshirë të fatit dhe ranë në duart e njerëzve. Një ditë bashkë me shokët ishte ulur dhe po rrinte para një ofiçine, kur para këmbëve u ndalet një makinë dhe prej saj dalin disa burra. Njëri pre tyre, duke tundur një AK-47, i thotë njërit prej shokëve të Manokut: “Ku është makina ime?” Kallashnikovi u drejtua nga gjoksi i djaloshit. Pati të shtëna dhe shoku i Manokut u qëllua shumë herë. Manoku u sul të merrte armën, mekaniku e rrëmbeu dhe e hodhi përtej gardhit dhe burrat u larguan. Nuk pati arrestime.

Shkolla nuk i pëlqente dhe e braktisi kur ishte 16 apo 17 vjeç. Ushtrinë e kreu në moshën 19-vjeçare; me terma shumë të paqartë, e përshkruan si një farë Force Speciale. Nuk thotë shumë për trajnimin, përveçse që i mësoi si të ishte i përgatitur për të qenë i dhunshëm. Më pas shkoi në Greqi, u përfshi në disa krime dhe e riatdhesuan. Mbante pesë pasaporta false. Në vitin 2001, në kërkim të një jetë më të mirë, shkoi në Amerikë. Hyri ilegalisht nga Meksika, pa ditur as edhe një fjalë anglisht.

Amerika e tij shqiptare

Kishte të afërm në Michigan. Punonte në restorante dhe në fillim jetonte në lagjet ghetto. Tregon se njëherë dy adoleshentë zezakë, në biçikleta, ndalën atë bashkë me një shok. E nuhati që po dridheshin pak. Ai dhe shoku u kapën armët, pastaj u morën biçikletat dhe i hodhën. Armët i shiti. E la restorantin dhe filloi punë të tjera. Punoi si security, ndihmoi në organizimin e koncerteve me këngëtarë shqiptarë dhe drejtoi për pak kohë një kompani të vogël pastrimi. U përfshi gjithashtu në disa punë ‘të fortësh’, duke detyruar njerëzit të paguanin borxhet që u kishin kriminelëve. P.sh. nëse një shqiptar futej ilegalisht në Amerikë për 12 000 USD; ai paguante 8 000 në fillim, por pasi mbërrinte refuzonte të paguante pjesën e mbetur. Manoku ishte personi që dërgohej për ta bindur tjetrin të përmbushte detyrimet.

Tregon se dikur zbuloi se rrinte me informantë shqiptarë të FBI-së, e cila po e vëzhgonte. Në një rast ishte në kafene me vëllezërit Krasniqi - dy prej kapove shqiptarë të New York-ut, gjyqi i të cilëve sapo filloi - kur një vajzë që e hiqte veten si studente arti erdhi disa herë, duke kërkuar të vizatonte njërin prej tyre për një detyrë klase. Manoku thotë se kur ajo shkoi në banjo ai i kontrolloi dosjen e vizatimeve dhe gjeti portrete shumë përshkruese të tyre. I zhduku pikturat. Ajo nuk u kthye më dhe bashkë me të u zhduk edhe furgoni i përgjimit që parkohej jashtë kafenesë gjatë vizitave të saj. Flet edhe për një mik të ngushtë që u vra gjatë një koncerti në Michigan, si dhe për udhëtimin drejt New York-ut për të vizituar vëllezërit Krasniqi. Atje bëri një tur në shtëpinë e mafiozit Paul Castellano. Më pas rrëfen për dy miq shqiptarë që shkuan në Chicago për një pazar droge me disa latino: u vranë dhe trupat e tyre u dogjën. Thotë se shkoi për të parë çfarë kishte ndodhur. Arrestime nuk pati. Tregon edhe sesi njëherë i theu dhëmbët një burri dhe kaloi ca kohë në burgun e kontesë. Rrinte në kafenetë shqiptare të Detroit-it, ku takoi edhe vëllezërit Krasniqi. I prezantoi një tjetër gangster shqiptar i quajtur Elton (Tony) Sejdarasi.

Manoku nuk ishte i dhënë pas kostumeve dhe qethjeve të hijshme, gjëra që u pëlqenin Krasniqëve. (Një burim nga radhët e policisë i quajti Krasniqët gentleman gangsters). Stili i Manokut nuk mund të konsiderohet stil. S’ka rroba të tipit hip-hop apo bling (stoli të ekzagjeruara floriri apo argjendi): i urren ato. (‘Ata shohin shumë filma,’ thotë për gangsterët e stilit hip-hop.) Edhe kur ishte jashtë, nuk vishte kostume sportive të mira, më thotë. Nuk ishte i pasur dhe as nuk po kërkonte të bëhej i pasur.

Krasniqët janë miqtë e mi, thotë. Ndonjëherë ata përkthenin për të. Sejdarasi, i cili tani po bashkëpunon me federalët në gjyqet që po zhvillohen në New York dhe ka pranuar fajësinë, sigurisht që nuk është një mik. Manoku e quan Sejdarasin burracak dhe thotë se gjithmonë ai ka qenë hallka më e dobët në rrjetin e tyre. Ka të njëjtën urrejtje dhe përçmim për njërin që pranoi një marrëveshje me prokurorët -Florjon Çarçanin- dhe dëshmoi kundër tij dhe dy të tjerëve: Edmond Zoica, burgim të përjetshëm, dhe Oliger Merko, 8 dënime të përjetshme. Manoku fajëson Çarçanin se gënjeu në këmbim të një dënimi më të lehtë dhe se i shkatërroi jetën.

Shkëmbim zjarri në Detroit

Siç duket, ka pasur disa fërkime mes dy grupeve me të rinj shqiptarë. Diçka mes atyre nga Veriu dhe atyre nga Jugu i Shqipërisë, apo një mungesë e perceptuar respekti, apo diçka me një femër, ose një përleshje fizike, apo ndoshta të gjitha së bashku. Kur kërkoj më shumë detaje, Manoku përgjigjet me shumë ‘e lëmë me kaq.’ Tregon se pas një zënke ai kërkoi një takim për vendosjen e paqes: u shtrënguan duar dhe sherret, të paktën kështu mendohej, u lanë pas si diçka e së kaluarës. Një javë pas këtij takimi, 2 djem nga Veriu u zunë pritë 2 nga prej të tijve. Manoku bëri disa telefonata dhe ata nuk u zmbrapsën; me pak fjalë ata thanë se kështu do ishin gjërat tani e tutje. Dy net më vonë, më 17 korrik, 2004, rreth orës 23:30, ai po vërdallisej te parkingu i një kompleksi apartamentesh bashkë me disa shokët. Miku i Manokut, Merko, martohej të nesërmen. Atë natë Manoku po provonte pijen e tij të parë; një gjysmë gote birrë për të festuar. At’herë ai nuk e dinte, por shumë shpejt do të futej në burg për të gjithë jetën. Manoku tregon se një furgon me pesë veta brenda u fut në parking. Ai u thirri “ǒkemi”. Tregon se nga dritarja e furgonit del një AK-47. Manoku thotë se u hodh poshtë një gëmushe dekorative ku kishte fshehur një pistoletë 0.9, të cilën e nxjerr dhe u thotë, “Ulni armët!” Makina bën me shpejtësi në drejtim të tij dhe ai qëllon. Plumbat kapin 4 nga 5 djemtë që ndodheshin në furgon. Një nga ata, Marikol Jaku, 20-vjeç, vdes, të tjerët plagosen. (Një nga të plagosurit e asaj nate, Ilirjan Dibra, katër vjet më vonë do të pranonte fajësinë e sulmit, me qëllim lëndimin serioz të personit, para gjykatës së kontesë Macomb.)

Prokurorët thonë se më vonë Merko u mundua të rimerrte 2 000 USD, dy armë dhe dy kuti me municione që i kishte dhënë një miku. Ai i donte armët për të vrarë dëshmitarët e thirrur nga shteti. Miku ia kishte kthyer armët policisë ditën e sulmit me armë; në fund Merko sulmoi atë. Nusja e Merkos dhe familja e saj shesin shtëpinë dhe biznesin dhe largohen nga shteti; prokurorët thonë se ai i kërcënoi se, nëse hapnin gojë apo shkonin në polici, do t’ua hidhte shtëpinë në erë. (Manoku e mohon këtë.) Merko largohet për në Worchester, Massachusetts dhe më pas për në Paterson, New Jersey, ku Emigracioni dhe FBI e arrestuan shtatë muaj më vonë. Sipas një gazete, kur u lexua vendimi i gjykatës, Zoica, për një moment, vendosi kokën mes duarve. Merko dhe Manoku nuk shfaqën asnjë lloj emocioni. Shteti gjithashtu i akuzoi për konspiracion dhe vrasje të paramenduar, duke theksuar se ata, për një kohë të gjatë, kishin planifikuar disa skenarë të ndryshëm për vrasjen e djemve nga Veriu: duke hapur zjarr në një kafene, duke qëlluar me AK-47, ndërsa ecnin me motor, duke i qëlluar nga afër, ndërsa ata prisnin në trafik. Gjithashtu, ishte edhe një incident tjetër i mëparshëm, një akuzë federale, që shteti e përdori kundër tyre: Ka patur një zënkë mes një shqiptari që unë po e quaj Q (një mik i djemve veriorë që u qëlluan në makinë nga Manoku) dhe një burri të quajtur Drini Brahimllari, një mik i Manokut dhe djemve të tij. Manoku, Zoica dhe dy të tjerë, nga grupi i tyre gjetën Q-në dhe një shok disa ditë pas zënkës në një shesh parkimi. Manoku u thotë Q-së dhe shokut të tij të futen në makinë. Brenda në makinë, Manoku i drejton armën Q-së, ndërsa Zoica i nxjerr thikën. Zoica po rrëmbehej ca, duke e kërcënuar Q-në se do e vriste. Manoku i kap dorën dhe i thotë Zoicës të mos e lëndojë. Manoku shtie. Q-ja dhe shoku i tij hidhen nga makina dhe vrapojnë. Dy javë më vonë Q thirret përsëri nga Manoku, kësaj here te parkingu i Tirana Café. E marrin dhe e çojnë te apartamenti i Brahimllarit, ku ai ndjek Manokun dhe Merkon. Brahimllari dhe Çarçani janë brenda. Sheshi është mbuluar me plastmasë, me shumë gjasa për të parandaluar stërpikjen e dhomës me gjak. Q-ja kalon anash një tavoline, ku janë vendosur në radhë 10-20 thika kuzhine. Ai i thotë Q-së të ulet në gjunjë. Merko sjell një pistoletë dhe një jastëk vendos jastëkun para kokës së Q-së dhe i afron armën. Merko i thotë Brahimllarit të ngrejë volumin e televizorit. Merko e shan Q-në, e kërcënon dhe i thotë se ai ka treguar mungesë respekti. Q lutet për jetën (Merko më vonë i thotë Çarçanit se e la të jetonte sepse ai iu përgjërua). Merko i thotë Q-së se ka dy ditë për të mbledhur 1 000 USD për sherrin me Brahimllarin dhe faturat për ndihmën mjekësore që iu desh të merrte. Një ditë vonesë dhe ai do të vritej. Ata e çuan me makinë te kafeneja. Q i tregoi gjithçka të atit. Ditën tjetër Q dhe i ati shkuan te një park publik, ku u takuan me Brahimllarin dhe Çarçanin. I ati pagoi dhe kërkoi që i biri të lihej i qetë. Kontaktova me Q-në, duke i kërkuan falje për ndërhyrjen në privatësinë e tij dhe e pyeta nëse donte të thoshte gjë, qoftë edhe si anonim. (Ai është shpërngulur nga Michigan-i). Tha se do e vlerësonte shumë nëse nuk i përmendej emri në artikujt e mi. “E kam lënë pas atë histori dhe tani gjërat po më shkojnë mirë” më tha. “Faleminderit për mirëkuptimin.”

Çarçani është në një burg federal në Arizona dhe lirohet në vitin 2014. Brahimllari u largua për në Shqipëri, por u ekstradua për në Shtetet e Bashkuara, ku po vuan dënimin me burg dhe pret një tjetër riatdhesim. Agjenti i FBI-së që punoi në çështjen në Michigan e quajti Merkon “pothuajse një lider”. Ai thotë se, nëse ka ndonjë që mund të kallë frikë në komunitetin shqiptar, ky ishte Merko që e kishte ndërtuar reputacionin mbi faktin se një herë ia kishte hedhur paq një akuze për tentativë vrasjeje. Agjenti thotë se djemtë veriorë nuk kishin armë me vete: kallashnikovi nuk u gjet kurrë. Thotë se për Manokun ata ishin një shënjestër e lehtë. Ai ishte mu aty, pra edhe sikur të kishin një armë nuk do të kishin shanse.

Pasoja dhe rrëfime

Manoku thotë se i vjen keq që vrau Jakun. Nuk ishte ky qëllimi; vetëm doja t’i plagosja, më tregon. Shton se nuk duhet të kontaktoj me familjen e Jakut; mjaft kanë vuajtur. Ai thotë se në atë kohë do të ishte rrëfyer për “vrasje nga pakujdesia apo vrasje e shkallës së dytë”. Nëse e ke bërë krimin duhet të paguash haraçin. Këmbëngul se nuk ka patur konspiracion për të kryer vrasje. Në burg luan letra dhe shah. Stërvitet me 2 burra me të cilët shoqërohet (nuk ka miq në burg), njëri prej tyre meksikan dhe tjetri afrikano-amerikan. I pëlqejnë shumë komeditë e Adam Sandler dhe Ben Stiller. Vë në dukje se nuk ka folur kurrë me policët, dedektivët, FBI-në, apo, përpara se të fliste me mua, gazetarët. Gjatë gjyqit dhe kohës kur u lexua dënimi nuk foli një fjalë. Këmbëngul se nuk do asgjë nga unë dhe, në një dhomë plot me makineta ëmbëlsirash, nuk pranoi asgjë si qerasje. Nuk e preku Coca-Colan dhe Skittles që ia ofrova.

Lexoi listën e të paditurve të përfshirë në gjyqin e pritshëm në New York. I njeh. Thotë se janë nga ata me të cilët ai dhe shokët e tij u përplasën në Michigan. Por nuk do të fliste rreth kësaj. Beson në një Zot, megjithëse thotë se nuk është fetar. Lexon Kuranin dhe Biblën. E pyes se çfarë do të bënte ndryshe, nëse do t’i jepej një shans ta jetonte sërish jetën e tij. Ndalet për pak sikur, edhe pse në rrethanat që është, një gjë e tillë nuk do t’i shkonte në mend. Thotë se, nëse do t’i duhej ta niste sërish nga fillimi, do të parapëlqente një shtëpi të thjeshtë, një biznes të vogël dhe një familje të tijën, por pa plane të mëdha. Ka krime të tjera për të cilat i vjen keq dhe për të cilat nuk është dënuar, por nuk do të më tregojë as e mua e as shtetit më shumë sesa ndërkohë dimë.

Ka njerëz të lirë dhe me jetë të suksesshme në këtë vend apo tjetërkund dhe nuk ka për t’i tradhtuar, thotë. Do t’i marrë gjërat me vete në varr. E pyeta nëse do të ishte 70 vjeç dhe po jepte frymën e fundit, a do të më rrëfehej? Jo, më thotë. Emocionet nuk bënin për të, përjashto rastet kur fliste për spiunët, mendimi për të cilët e zemëronte shumë. Për shembull për Sejdarasin tha: Ai do të jetë i fortë dhe në të njëjtën kohë edhe polic. E pyeta nëse e torturonin vdekjet e shokëve apo kundërshtarëve apo nëse ndihej i dërrmuar nga humbja e lirisë? Jo, m’u përgjigj. A qante ndonjëherë? Nuk mundej dhe as e mbante mend nëse ishte në gjendje të derdhte lot. Thotë se do që të qajë; në çdo funeral që ka marrë pjesë ku të gjithë qanin edhe ai përpiqej sepse donte të ndjente çka ndienin edhe ata. Por nuk mundej.

Me të ëmën u takua në vitin 2008, për herë të parë qëkur la Shqipërinë në vitin 2001. Ajo erdhi dhe qëndroi te një xhaxha në Michigan për pak kohë dhe e vizitoi në burg. Ishte diçka emocionale kur e pa të derdhte lot.

Çfarë ndodhi në të vërtetë? Pse? Si? I kërkova detaje. Nuk është spiunim, i thashë. Është e vërteta dhe rrjedhimisht ia vlen të tregohet. Më tha se ishte i pajtuar te revista ‘Rolling Stone’ për një vit dhe e kishte lexuar fjalë për fjalë. Kam shkruar për atë revistë. Ishte një artikull ku dikush u thye dhe rrëfeu gjithçka para gjyqit dhe një tjetër ku subjekti më futi në botën e tij duke kryer krime në praninë time. Manoku më tha se i pëlqente të lexonte histori të tilla, por vetë nuk do ta bënte. “Nuk dua të rrëfehem”, ngulmoi.

Apeli im për Ketjol Manokun ishte dhe vazhdon të jetë ky: Nuk po përpiqem të të çliroj nga paditë apo të të fundos, të të paragjykoj apo të bëhem i famshëm duke të shfrytëzuar ty dhe jetën tënde, sekretet e tua, mjerimin tënd apo lavdinë tënde prej gangsteri. Mos m’u rrëfe mua; rrëfeju komunitetit shqiptar që u trondit aq shumë nga incidenti në vitin 2004. Rrëfeju një tjetër Keti të vogël, një 16-vjeçari shqiptar që i ka parë të gjitha filmat dhe sheh Shqipërinë e tij të ‘97-ës në një geto amerikane. Një ditë dikush nuk e respekton dhe i duhet të vendosë të jetë një burrë zakoni. Tregoji atij të vërtetën, si është e gjitha, çfarë duhet të bëjë e të mos bëjë dhe çfarë mund t’i ndodhë e çfarë jo.

I thashë të më niste një letër dhe ta rrëfente historinë me fjalët e veta, që të mos kishte merakun e ndryshimit të fjalëve të tij. (Kjo e shqetësonte: Ai më paralajmëroi se do të kisha “pasoja” nëse ia ndryshoja fjalët). Më tha se ndoshta do e bënte. Ra dakord në parim me idenë e “hedhjes dritë: mbi ngjarjet e jetës së tij dhe në veprimtarinë e krimit të organizuar shqiptar në New York dhe Amerikë.

Gjatë bisedës duket se po përparonim drejt kësaj ideje. Në fillim, rreth orë 9 të mëngjesit, më pat thënë se nuk ekzistonte diçka e tillë si mafia shqiptare. Pak para orës 2 të pasdites, kur po e mbyllnim, isha sfilitur nga përpjekjet për ta bindur se ajo që po bëja ia vlente: me orë të tëra në superstradë, i ngatërruar, zhveshur, bërtitur dhe i keqtrajtuar nga gardianët e burgut. I thashë se, nëse shkruaja ç’pretendonte ai, se nuk ka mafia shqiptare, megjithëse lexuesit e informuar e dinë se ekziston, nuk do doja që ndokush të mendonte se ai ishte injorant në këtë çështje. A po e mohonte ekzistencën e mafias shqiptare sepse kështu duhej, apo se nuk donte të thyente ndonjëfarë kodi? “E kuptove”, më tha. I shtrëngova dorën, ika dhe u bëra gati për të ngarë 6 orë nëpër superstradën I-75 drejt komunitetit prej nga rridhte.

Shqipëria e vogël e Detroit-it

Kur u futa në klubet shqiptare pranë Detroit-it, më shumëse 300 milje larg burgut të Manokut, takova një burrë i cili vinte nga i njëjti qytet me të në Shqipëri dhe që gjithashtu e njihte edhe nga rrugët e Michigan-it. “Këta janë djem që mendojnë se një armë i bën zota dhe kështu turpërojnë komunitetin shqiptar”, më tha. Më tregoi për njerëz që i njihte që nga Shqipëria: njerëz normalë, bojaxhinj dhe punëtorë që, krejt papritur, kthehen nga njerëz në “armë”. Ndoshta Merko dhe Manoku, në fakt, nuk janë ushtarë, ndoshta ata janë kthyer në armë.

Distriktet Macomb dhe Oakland janë plot me qendra tregtare, ku ndodhen shumë retorante fast-food. Aty punojnë shumë nga emigrantët shqiptarë. Mes rrugëve 11 dhe Main fus kokën brenda një makine policie dhe flas me një polic. Oficeri më tha se Detroit-i është shumë i paorganizuar për të patur banda jetëgjata. Shton se Hell’s Angels janë përpjekur të ngrenë një klub këtu prej kohësh, por nuk di asgjë për shqiptarët.

Shkova te parkingu i kompleksit të apartamenteve, ku ndodhi përleshja me armë e Manokut. Fola me më të parët njerëz që takova, duke u prezantuar e duke u kërkuar falje për ndërhyrjen. Ishin shqiptarë. Sigurisht ata e dinin për incidentin; të gjithë kishin dëgjuar për të. Më treguan për të gjitha kafenetë shqiptare, baret e restorantet në këtë zonë: Café Tirana, Eagle Café, Great Sport, Mocha Café, Goodfellas.

Një grua që po kthehej nga puna më tha se i vinte keq, ishte vonë dhe duhet të shkonte për të marrë djemtë nga stërvitja. Në largim e sipër tha se mendonte se familja e prekur nga incidenti dikur jetonte përballë, por ishte shpërngulur. Një adoleshent shqiptar, ndoshta 14 vjeç, ishte i parapërgatitur për të mos më thënë asgjë. Një grua e re ulur në shesh me fëmijë në duar shihte fëmijë të tjerë që luanin ndërsa makinat parakalonin me 45 milje në orë. Më tha se vinte nga Kosova dhe ishte gati të fliste. U shfaq një zezak; me varëse floriri dhe cigare dhe më pyeti si ishte puna. Më pyeti nëse ishte im vëlla që ishte qëlluar; në të kundërt pse e vrisja mendjen kaq shumë.

Një grua e bardhë në mesomoshë, që po qëndronte në verandën e saj duke u kujdesur për lulet, më tregoi për shqiptaren skizofrene në banesën përballë dhe tha disi me trishtim “unë jam minoritare këtu”.

Erdhën edhe tre të rinj nga Salvadori. Si, si kanë dëgjuar për armë, hashash dhe hajdutë. Ne jemi të mirë, nga një vend i mirë, thonë.

Në një kafene shqiptare një burrë që tha se e njihte Manokun që në Shqipëri, më tregoi se ai ishte jevgjit - në njëfarë mënyre jo aq shqiptar sa ç’ishte vetë. Takova edhe një shqiptaro-amerikan 25-vjeçar, me një diplomë nga Universiteti i Michigan-it, që punonte si menaxher në ndërtim. Ai pranoi se disa nga këta kriminelë janë të fortë - pranoi se njihte disa - por shtoi jo krejtësisht pa simpati “këta djem janë mëtues të lavdisë (hot-shot wannabes). Është e gjitha luftë adoleshentësh për punë kurvash”. Më tregoi se gjysma e shqiptarëve me të cilët bëri gjimnazin u bënë repistë. Një prej tyre, siç pa në një video, ishte i rrethuar nga makina luksoze. Mendonte se ai ishte varfanjak; çdo herë që e takonte nëpër kafene i duhej ta qeraste. Më vonë mori vesh se një nga repistët njihte dikë te koncesionari i makinave dhe ai i la që ta xhironin aty klipin e këngës.

Në disa bare të mbushura kryesisht me pleq shqiptarë që luanin domino, më të rinjtë duhet të bënin rolin e përkthyesit. Në një prej tyre më ftuan të ulem në tavolinë. Rreth meje u formua një turmë e vogël. Të vjetrit e mbanin mend Shqipërinë e ’97-ës. Një vajzë e re që punonte aty dhe që kishte mbërritur në Amerikë para pak muajsh tha se më mirë do ish të mos e kishte lënë atdheun. Ajo u ul dhe i dëgjoi me vëmendje historitë e mia, duke më dhënë herë pas here kafe e ujë. Më vonë fola me të te bari dhe i bëra pyetje, derikur pronari më bërtiti që ta lija të qetë. I duhej të punonte. Ajo mori një kartëvizitë para se të largohesha. As ajo dhe as bosi që më bërtiti nuk më morën para.

Federalët

FBI ka një task-forcë për krimin e organizuar nga Ballkani. Njësia u shpërbë njëherë, por u ngrit sërish dy muaj më parë. Në një prej kubikëve ndodhet një flamur shqiptar me shqiponjën dykrëneshe. Agjenti mbikëqyrës Lou DiGregorio u mor me mafian italiane për 20 vjet. Më tha me përsëritje se djemtë në lojën e krimit shqiptar janë të pamëshirshëm. DiGregorio mban një kopje të Kanunit në tavolinën e punës. Thirri një agjent, emrin e të cilin më kërkoi të mos e përdorja; dikë që ka punuar në këto çështje për njëfarë kohe. Ishte një burrë inteligjent, shakaxhi, i sigurt në vete dhe i rrahur me jetën e rrugës. Lexoi artikullin tim të parë dhe më tha se i njihte të gjitha emrat e paraqitur aty dhe se kishte folur me shumë prej të paditurve. Më pyeti se nga e kisha marrë një pjesë të informatave dhe u duk i habitur dhe i zhgënjyer që kisha qenë në gjendje ta nxirrja këtë informacion. Media të pengon nganjëherë, tha ai. Preferonte të ruante elementin e surprizës.

“Ke folur me xhaxhanë e Grezdës?” më pyeti. I thashë që po. “Si t’u duk?” Oficeri i informimit të publikut ulur me ne ndërpreu: është gazetar. “Ti ke qenë në klubet e Bronx-it, ti di gjithçka ndërkohë, çfarë mund të të tregoj më shumë?” tha agjenti. Pak përkëdhelje, pak ironi. Unë dija edhe ato që s’dija, megjithatë e njëjta gjë vlente edhe për atë. Zbulova nga një tjetër agjent, tani i stacionuar në Cleveland, por që është marrë me krimin ballkanas në Michigan (çështja Manoku, rrëmbimi i Krasniqëve etj.) se agjenti nga New York-u që sapo takova është më i miri që ka FBI-ja për krimin shqiptar dhe ballkanas.

Di Gregorio tha se kriminelët shqiptarë i kujtojnë disi mafian italiane të shkollës së vjetër, përpara se të rriteshin mafiozët e lindur në Amerikë, të cilët nuk ishin më të varfër, të uritur e të dëshpëruar. Ata janë futur në një ndeshje boksi ku tjetri është i peshës së rëndë, tha ai, po hapen më shumë sesa kanë këllqet në krimin ndërkombëtar dhe veçanërisht në shitjen dhe transportimin e drogës brenda dhe jashtë Amerikës.

Ai ka të drejtë sa i takon dëshpërimit të shqiptarëve, të cilin, me sa duket, ata e marrin me vete, pavarësisht sa shumë i largohen atdheut. Shqiptarët ishin të izoluar nga bota gjatë komunizmit; ata iu nënshtruan një spastrimi etnik dhe kolapsit ekonomik. Fëmijët e tyre mbajnë armë dhe i qëllojnë njëri-tjetrit nëpër rrugë.

*Marrë nga CapitalNewYork.com. Vijon nesër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›