E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallakastër, vret me shotgan 45-vjeçarin për hakun e babait

Një 45-vjeçar, baba i tre fëmijëve, është vrarë për hasmëri në fshatin Poçem të Mallakastrës. Asqeri Merkaj u vra mesditën e djeshme me një shotgan, ndërsa policia arrestoi autorin e krimit, Lefter Malajn. Policia pohoi pak minuta pas krimit se ngjarja ka si motiv hakmarrjen e lindur para dy vitesh, në fshatin Poçem, midis dy familjeve. Autori i krimit ka rënë në pranga 1 orë pas ngjarjes, në një nga lokalet e shumta pranë vendburimit të ujit në këtë zonë. Në çastin e ndalimit prej forcave të rendit, ai nuk ka bërë rezistencë dhe ka dorëzuar armën e gjahut shotgan, të cilën e mbante me leje. Punonjës të policisë, të cilët po hetojnë krimin pohuan se vrasja ndodhi rreth orës 14.00. Viktima, që punonte në një kantier ndërtimi në autostradën Levan- Tepelenë, ka qenë duke ecur përgjatë shtratit të rrugës, në një luginë poshtë fshatit Drizar në komunën Kutë. Në këtë çast, ai ka parë përballë autorin e dyshuar. “Lefter Malaj ka zbrazur tri herë armën shotgan drejt viktimës, duke e lënë atë të vdekur përtokë” - bëjnë me dije burime të policisë në vendngjarje. Më pas, 45-vjeçari Merkaj ka përshkruar një rrugë dytësore, duke përfunduar në një nga lokalet e kësaj zone, afër vendburimit të famshëm të ujit të Poçemit. Këtu, ai ka qëlluar një herë me armë në ajër, duke lajmëruar marrjen e gjakut të babait të tij Aliko Malaj, vrarë më 28 maj të vitit 2009 nga vëllai i viktimës së djeshme, Përparim Merkaj. Burime të policisë pohojnë se Lefter Malaj ka pranuar autorësinë e krimit, por ka hedhur poshtë versionin se kishte si qëllim vrasjen e hasmit të tij. “E vrava për vetëmbrojtje, pasi tentoi i pari të më vriste”, - mësohet të ketë pohuar për grupin hetimor, version i cili pritet të zbardhet në të ardhmen. Zanafilla e kësaj hasmërie fillon në datën 28 maj të vitit 2009, në vendin e quajtur fusha e Poçemit. Asokohe, babai i autorit, Aliko Malaj, është vrarë duke ndërtuar një stallë lopësh, në një tokë që pretendohej se ishte pronë e familjes Merkaj. Policia arrestoi autorin, i cili është duke vuajtur dënimin, por djali i viktimës i mori jetën dje vëllait të tij. Forcat e policisë së Mallakastrës kanë rrethuar zonën, duke bërë të mundur arrestimin në një kohë rekord të Malajt. Sipas ekspertëve në vendin e ngjarjes, viktima është qëlluar me armë gjahu, fishekët e së cilës ishin të mbushur me saçme të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›