E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 70 kilogramë hashash Lazarati në kufi, pranga studentit të anglishtes

SHKRUAN: Bledar Shehu 13-06-2011 11:34

Një student i anglishtes, i ngarkuar me çanta hashashi, është arrestuar në kufirin e gjelbër me Greqinë, si pjesë e një rrjeti të trafikut. Operacioni antidrogë i Policisë së Gjirokastrës bllokoi 70 kilogramë marijuanë Lazarati, e cila po trafikohej drejt Greqisë. Dy persona, mes të cilëve edhe studenti i anglishtes përfunduan në pranga, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, si pjesë e grupit që tentoi të trafikonte hashashin përmes kufirit të gjelbër me Greqinë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit në Gjirokastër, në orët e vona të së shtunës, në vendin e quajtur Gryka e Bogazit, një segment rrugor që të çon në drejtim të zonës kufitare me Greqinë, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan katër persona, të cilët lëviznin në drejtim të vijës së gjelbërt të kufirit. “Dyshimet na lindën jo vetëm nga prania e tyre afër zonës kufitare, por edhe disa çanta të mëdha shpine, që kishin me vete”, - thonë burime në Policinë Kufitare në Gjirokastër. Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të grupit të personave, por këta të fundit, porsa kanë diktuar praninë e policisë, kanë braktisur çantat e shpinës dhe janë larguar me vrap. Duke përfituar nga errësira dhe terreni malor, të katër personat kanë tentuar të fshihen në zonën e pyllëzuar, në afërsi të fshatit Peshkëpi e Sipërme. Efektivat e Policisë Kufitare kanë rrethuar zonën dhe pas disa minutash, kanë bërë të mundur kapjen e njërit prej pjesëtarëve të grupit, i cili u identifikua si Gazmend Demushi, 20 vjeç nga Tropoja, student i anglishtes në Universitetin e Gjirokastrës. Gjithashtu, gjatë veprimeve të tyre, efektivat e Policisë Kufitare kanë gjetur edhe tre çanta të mëdha shpine, të mbushura me pako në të cilat kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. “Nga krehja e zonës, poshtë fshatit Peshkëpi e Sipërme, në një punishte guroreje, ne konstatuam një automjet tip “Rover”, me targa AC 723 PX”, - thonë burime në Policinë Kufitare, ndërsa shprehin dyshimet se ky automjet i sekuestruar tashmë kishte bërë transportimin e lëndës narkotike deri në atë zonë. Me qëllim edhe ndalimin e tri personave të tjerë të grupit, në ndihmë të bluve të Kufirit kanë ardhur edhe efektivat e antidrogës në Gjirokastër. “Ne organizuam punën për ndalimin e tri personave të tjerë, në afërsi të përroit të Mamanstirit, që ndodhet në afërsi të Grykës së Bogazit”, - thonë specialistët e antidrogës në Gjirokastër. Falë veprime të shpejta, efektivat blu bënë të mundur edhe kapjen e pjesëtarit të dytë të grupit, 28-vjeçarit Aleksandër Veshi nga Gjirokastra, që rezultoi të ishte edhe drejtuesi i automjetit tip Rover, që u gjet nga ana e Policisë Kufitare. “Me qëllim edhe ndalimin e dy personave të tjerë, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kanë vijuar krehjen e zonës duke ngritur shërbime të fshehta, për të bërë të mundur kapjen e tyre”, thonë burimet policore. Gjatë veprimeve të para procedurale, grupi hetimor konstatoi se në të tria çantat e shpinës të braktisura, kishte 70 pako të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte në total 70 kilogramë mariuanë. Të dy personat e ndaluar, si dhe automjeti tip Rover dhe lënda narkotike, janë dërguar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme hetimore. Sipas skemës së ngritur nga policia, në lidhje me këtë rast të trafikut të lëndëve narkotike me destinacion Greqinë, Aleksandër Veshi, me automjetin “Rover”, ka bërë transportimin e lëndës narkotike, e cila ishte marrë në fshatin Lazarat, në afërsi të vijës kufitare me Greqinë. Prej këtej, tre personat e tjerë do ta transportonin me çanta shpine në brendësi të tokës greke. Mbi dy të ndaluarit rëndon akuza për veprën penale “trafikim i narkotikëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›