21 janari, tri çështjet e errëta në duart e agjentëve të FBI
Tiranë- Pikat e errëta të 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër demonstrues dhe u plagosën 7 të tjerë, mbeten ende të pazbardhura, edhe pse po mbushen katër muaj nga ngjarjet e dhunshme. Të paktën tri çështje tepër të rëndësishme, që mund të çojnë drejt zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje, vazhdojnë të mos marrin zgjidhe nga hetimet që po kryen Prokuroria e Tiranës. Shpresa e vetme në këtë situatë duket se janë ekspertët amerikanë, të cilët kanë ofruar ndihmë teknike, madje kanë asistuar nga afër hetimet e Prokurorisë shqiptare. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se ekspertëve të FBI-së do t’u besohen të paktën tri çështje, të cilat mund të hedhin dritë mbi ngjarjet ku u vranë katër persona, deri në zbardhjen e plotë të këtyre vrasjeve. Eksperimenti hetimor që do të kryhet në bulevard, aty ku ndodhën vrasjet dhe plagosjet, është një nga hapat e rëndësishëm të hetimit, që do të çojë në identifikimin e autorit të vrasjes së Hekuran Dedës, i vetmi nga viktimat, të cilit nuk i është gjendur predhë në trup. Rikthimi i filmimeve të regjistruara nga kamerat e kryeministrisë është një tjetër pjesë e rëndësishme e këtyre hetimeve. Ndërsa për ekspertizën shkencore të çështjes, prokuroria pritet të kërkojë ndihmë nga ekspertët amerikanë për predhat, të cilët laboratori i kriminalistikës ka deklaruar se nuk kanë elemente identifikueshmërie.
Eksperimenti hetimor
I pari në radhën e veprimeve të rëndësishme hetimore, që do të kërkojë asistencën e ekspertëve amerikanë është eksperimenti hetimor me anën e të cilit mund të zbardhet vrasja e Hekuran Dedës dhe plagosja e 7 personave me armë zjarri. Pasi ka përcaktuar pozicionin e qartë të gardistëve dhe viktimës, prokuroria ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të FBI-së për kryerjen e këtij eksperimenti në Bulevard. Më herët ka pasur një tentativë për kryerjen e një veprimi të tillë, me disa prej të plagosurve, e cila sipas akuzës ka pasur si qëllim përcaktimin e qartë të vendndodhjes së tyre më 21 janar dhe krijimin e një skene të saktë të vendit të ngjarjes. Eksperimenti hetimor, sipas prokurorisë, pritet të identifikojë autorin e dyshuar të vrasjes që ka qëlluar mbi demonstruesin Hekuran Deda, i vetmi prej viktimave të cilit nuk i është gjetur predhë në trup. Po kështu, nga i njëjti eksperiment pritet të identifikohet edhe autori i plagosjes së gazetarit Fatos Mahmutaj, i cili ka qenë në të njëjtën platformë me të ndjerin Hekuran Deda, në momentin e ngjarjes. Pjesë e riprodhimit të ngjarjes pritet të jenë edhe të plagosurit, të cilëve gjithashtu nuk u janë gjendur predhat të trup, edhe pse mjekët kanë konfirmuar se plagët janë shkaktuar me armë zjarri. Ky veprim hetimor, që konsiderohet i rëndësishëm për zbardhjen e ngjarjes pritet të kryhet sapo ekspertët e caktuar për këtë çështje, të mbërrijnë në vendin tonë për të asistuar prokurorët dhe hetuesit shqiptarë.
Ekspertimi i predhave
Predhat e gjetura në trupat e viktimave, fillimisht u konsideruan si provat më të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes nga prokuroria. Tre nga katër demonstruesit e vrarë kanë pasur predha në trup, të cilat së bashku me predhat e gjetura përreth vendit të ngjarjes iu nënshtruar ekspertimit balistik. Një pjesë e tyre u krahasuan me armët e gardistëve të caktuar me shërbim më 21 janar, por nga ky ekspertim u bë i mundur vetëm gjetja e njërit prej gardistëve. Vrasja e Ziver Veizit është e vetmja vrasje që ka një autor të dyshuar, ndërsa për tre viktimat e tjera, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, nuk ka ende një autor. Fillimisht prokuroria dërgoi për ekspertim në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës predhën e gjetur në trupin e Faik Myrtajt, e cila dyshohet se është qitur nga një pistoletë tip Berta e kalibrit 9 mm. Hetuesit sekuestruan të gjitha pistoletat e gardistëve, ndërsa ekspertët kryen ekspertizat balistike respektive, por pa mundur të përcaktojnë armën që ka qëlluar mbi Faik Myrtajn. E njëjta procedurë u ndoq edhe për Aleks Nikën, predha e të cilit mbërriti pak ditë më parë nga Turqia. Por sipas ekspertëve, kjo predhë nuk ka elemente identifikueshmërie. Të njëjtën përgjigje, ekspertët dhanë edhe për predhat e gjetura në ambientet e UNHCR-së, si dhe ato të gjetura në ambientet e një banke te Kullat Binjake. Në këto kushte, prokuroria ka vendosur të kërkojë ndihmën e ekspertëve amerikanë, duke dërguar kështu për riekspertim predhat. Për këtë çështje, organi i akuzës është duke ndjekur procedurat zyrtare dhe së shpejti pritet dërgimi i predhave drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pamjet filmike
Një tjetër çështje e rëndësishme e hetimit të 21 janarit janë pamjet filmike të marra nga kamerat e kryeministrisë. Pak kohë pas ngjarjes, prokuroria sekuestroi në Kryeministri serverin që regjistron pamjet filmike të marra nga të gjitha kamerat e vendosura brenda dhe jashtë ambienteve të Këshillit të Ministrave. Pas ekspertimit teknik që iu krye serverit, ekspertët e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës deklaruan me anë të një shkrese zyrtare se serveri nuk ka asnjë pamje të arkivuar. Sipas akt-ekspertimit teknik, rezulton se të dhënat e mbledhura nga serveri i kamerave ishin fshirë në datën 22 janar në orën 01:00 të mëngjesit. Menjëherë, prokuroria mori dëshmitë e punonjësve të IT, të cilët kanë deklaruar se serveri riformatohej në mënyrë automatike, duke përjashtuar kështu çdo hije dyshimi për një nga provat më të rëndësishme që prokuroria mendoi se kishte siguruar deri në raportin e ekspertëve. Duke qenë se laboratori i kriminalistikës nuk mund të rikthejë pamjet e fshira, grupi hetimor ka vendosur të kërkojë ndihmë nga FBI, pasi laboratori i Byrosë Federale të Hetimit mund të rikthejë të dhënat e fshira. Tashmë është dërguar drejt Shteteve të Bashkuara letërporosia për këtë çështje, ndërsa nuk dihet nëse organi i akuzës ka dërguar edhe serverin për ekspertim.