E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lojë” homoseksualësh për të mbuluar kokainën, pranga shqiptarëve

“Loja” si një çift të dashuruarish homoseksualë, për të mbuluar trafikun e kokainës, ka marrë fund për dy shqiptarë, të cilët përfunduan pas hekurave të burgut. Dy shqiptarët u kapën “mat” dhe e ndjenë ftohtësinë e prangave në garazhin e vilës së tyre dykatëshe, ndërsa në automjetin e tyre, karabinierët italianë gjetën 11 kilogramë kokainë të pastër dhe të paprekur. Garazhi nuk ishte një vend i dedikuar për parkim automjetesh apo sendesh të tjera të vilës së marrë me qira, por një skutë e paracaktuar për këmbimin e drogës me paratë dhe vendtakim mes palëve të përfshira në këtë trafik. Droga e kapur mbrëmjen e së shtunës nga policia italiane kap një vlerë prej 500 mijë eurosh, ndërsa vlera e saj në tregun e pakicës, të paktën, trefishohet. Aksioni blic i karabinierëve të zonës së Kierit në Itali, i koordinuar nga kapiteni Exhidio Lardo nisi në mbrëmje vonë, disa orë pasi trupat e vëzhgimit ishin duke survejuar gjithë rrugën “Don Antoneli”, ku ndodhej dhe vila e marrë me qira nga shqiptarët. Prej disa ditësh, në këtë zonë ishin vërejtur disa lëvizje të dyshimta të disa automjeteve luksoze, të cilat mblidheshin pranë vilës, ndërsa “vizitorët” shpesh vinin jashtë provincës, madje në disa raste, “miqtë” vinin dhe nga rajone të tjera, a thua se në këtë vilë kishte diçka shumë të veçantë dhe interesante. Vëzhgimi policor zbuloi se mes vizitorëve bënin pjesë edhe disa shqiptarë, që për karabinierët italianë nuk ishin fort të panjohur. Një pjesë e tyre ishin të skeduar dhe të dyshuar për aktivitete kriminale. Ka qenë vetë kapiteni Exhidio Lardo, së bashku me dy kolegë të tij, që ka ndërhyrë në garazhin e vilës ku ndodheshin brenda automjetit dy të dyshuarit mbrëmjen e së shtunës. Dy shqiptarët e përfunduar në burg, janë një 36-vjeçar me profesion shitës qumështi në Itali dhe një marangoz 34-vjeçar, ndërsa në garazh ndodheshin një “Mercedes Class A” dhe një ford “Mondeo”. Pasi hynë dy shqiptarët në garazh, policët kanë pritur gjysmë ore për daljen e tyre dhe pasi kanë kaluar 30 minuta, karabinierët kanë vendosur të ndërhyjnë. E në këtë pikë, dy shqiptarët kanë luajtur gjithçka për gjithçka, duke u shtirur si dy meshkuj të dashuruar me njëri tjetrin. Në këtë pikë, karabinierët kanë qenë të kthjellët dhe kanë nisur kërkimin dhe kontrollin në garazh. Surpriza e parë erdhi gjatë kontrollit në automjetin tip “Ford”, ku të fshehura mes pistonave dhe guarnicionit gjendeshin 5 kilogramë kokainë. Një tjetër kilogram u gjet poshtë platformës së dritave të këtij automjeti. Kokaina e fshehur në Mercedes ishte më e lehtë për t’u gjetur. Dy kilogramë ishin fshehur sërish poshtë platformës së dritave të automjetit, ndërsa 3 kilogramë të tjerë ishin fshehur poshtë sediljes, të mbështjella me ngjitës plastik dhe letër celefon. Menjëherë pas gjetjes së kokainës, shqiptarët janë vënë në arrest. Në këtë moment, dy shqiptarët kanë nisur skenarin e dytë, duke pretenduar se kishin bërë transportimin e drogës, duke fituar vetëm 1 mijë euro dhe se ishte hera e parë që transportonin. Edhe ky justifikim nuk nxori gjë në dritë dhe dy shqiptarët janë dërguar menjëherë në burgun e Kanton Mombelos. Përveç 16 pakove me kokainë, dy shqiptarëve u janë gjetur dhe sekuestruar dhe 1500 euro, të cilat i kishin me vete. Garazhi i përdorur si magazinë ishte marrë me qira nga një shtetase italiane, e cila është e martuar nga ana e saj me një tjetër shqiptar. Megjithatë, autoritetet italiane janë shprehur se çifti është jashtë pistës së të dyshuarve për momentin. Karabinierët kanë nisur marrjen në pyetje të dy shqiptarëve të arrestuar, ndërsa dyshimet kryesore janë se dy shqiptarët janë pjesë e një rrjeti të furnizimit me kokainë nga Hollanda, me destinacion tregun e narkotikëve në Itali.

Përgatiti: H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›