E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti për pronën, marrin peng fqinjin 25-vjeçar

Një 25-vjeçar është marrë peng në rrethin e Lezhës, e më pas është keqtrajtuar dhe hedhur në një zonë të mbuluar me shkurre, ferra e pisha në fshatin Kune. Sipas burimeve zyrtare të policisë, 25- vjeçari Edi Nika nga fshati Ishull ka rënë viktimë e një prite të bërë nga dy fqinjët të tij, për të kaluar më pas disa orë të tmerrshme. “Gëzim dhe Aleksandër Mhillaj kanë qenë duke e ndjekur Nikën dhe në momentin që ai ndodhej pranë makinës së tyre, e kanë qëlluar me sende të forta”, -bëjnë me dije burime nga policia. Ora ka qenë 19.30 minuta, kur Nika është futur me forcë në makinën e drejtuar nga 27-vjeçari, Gëzim Mhillaj, i ndihmuar edhe nga vëllai i tij. Pasi kanë ushtruar dhunë mbi fqinjin, ata e kanë hedhur atë në një zonë të pyllëzuar në Kune, ku nuk kalonin njerëz. Ka qenë fat për 25-vjeçarin, që është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore nga një çift i ri. Këta të fundit e kanë dërguar atë në drejtim të spitalit të Lezhës, ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Policia e Lezhës ka marrë dje në pyetje 25-vjeçarin, i cili ka akuzuar dy fqinjët e tij për pengmarrje. “Kam qenë duke u kthyer në shtëpi, kur kam vënë re makinën e Gëzim dhe Aleks Mhillajt, që ishte në mes të rrugës. Kam vazhduar rrugën normalisht, por sapo jam afruar, ata kanë dalë nga makina dhe më kanë qëlluar me sende të forta. Kam nisur të përmendem vetëm në Vain, pasi edhe gjatë rrugës ata më qëllonin”,-ka denoncuar për policinë Mhillaj. Ai ka shpjeguar se shkak për këtë ngjarje është bërë një konflikt i vjetër pronësie mes dy familjeve, e cila nuk ka gjetur ende zgjidhje. Pas këtij denoncimi, Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Mhillaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›