Pranga dy studentëve, vodhën 1 shtëpi me kopje çelësi
Specialistët e komisariatit të Policisë në Gjirokastër kanë ndaluar tre të rinj, dy prej të cilëve studentë në Universitetin “Eqrem Çabej”, pasi dyshohen se në shtator 2010, kanë vjedhur një banesë duke përdorur një çelës kopje. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët e Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë ndaluar 25 vjeçarin Bektash Kore, nga Gjirokastra si dhe dy bashkëqytetarët e tij, Tajar Myrtaj, 22 vjeç, student i vitit të tretë në degën Ekonomik dhe 23-vjeçarin Nebi Shehaj, student në vitin e parë për Ekonomik, për veprën penale të “vjedhje kryer në bashkëpunim”. Tre të rinjtë e ndaluar dyshohet se, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, më 17 shtator 2010, kanë vjedhur shuma të konsiderueshme monetare, si dhe sende me vlerë në banesën e N.M, në lagjen “18 shtatori” të Gjirokastrës, duke përdorur kopje të çelësave të shtëpisë. “Dy të ndaluarit, në periudhën kur ka ndodhur vjedhja e banesës kanë qenë të punësuar si kamarierë në lokalin e djalit të familjes, ku ka ndodhur vjedhja. Ata kanë bërë të mundur marrjen e çelësave origjinalë të shtëpisë dhe në bashkëpunim edhe me të ndaluarin tjetër, kanë pasur mundësi të bëjnë kopje të çelësave të shtëpisë”, - thonë burime në grupin hetimor. Pasi kanë gjetur momentin e përshtatshëm, kur në banesë nuk kishte njeri, duke përdorur çelësin “kopil”, ata kanë hyrë në shtëpi. Në dhomat e brendshme të banesës, fillimisht kanë marrë lekët që dispononte djali i familjes nga fitimet e lokalit, një shumë prej 358 mijë lekësh dhe 685 euro. Më pas, në dhomën e gjumit të pronarit të shtëpisë, ata kanë vjedhur një orë dore, një varëse flori, si dhe disa bizhuteri me vlerë të konsiderueshme monetare. Për gati 9 muaj rresht, specialistët antikrim në Komisariatin e Gjirokastrës kanë punuar intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarje, si dhe ndalimin e tre autorëve të dyshuar të saj.