E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia reagon ndaj planeve raketore të SHBA-së

Rusia do të forcojë flotën e saj në Baltik, si reagim ndaj planit të SHBA-së për të stacionuar raketat Patriot në Poloni, ka njoftuar sot agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA, duke cituar zyrtarë anonimë të flotës detare.

“Elementet sipërfaqësore, nënujore dhe të aviacionit të flotës së Baltikut do të forcohen”, citoi RIA një zyrtar anonim të flotës detare të Rusisë.

SHBA-ja do të stacionojë raketat në Poloni, pasi që më herët hoqi dorë nga stacionimi i elementeve të mburojës së vet të planifikuar anti-raketore në Europë.

“Duke u ndërlidhur me planet për të stacionuar raketat Patriot në Poloni, gjatë 5 deri 7 viteve të ardhshme, do të ketë ndryshime të jashtëzakonshme në qasje, për të definuar obligimet dhe potencialin ushtarak të flotës në Baltik”, shtoi ky zyrtar.

Një zëdhënës i flotës detare të Rusisë nuk deshi të komentojë këtë deklaratë. Varshava këtë javë theksoi se raketat patriot do të stacionohen në qytetin verior Morag, në afërsi të enklavës ruse në Baltik, Kaliningradit.

Një burim i lartë në Ministrinë e Jashtme të Polonisë theksoi se Varshava nuk është edhe gjithaq e brengosur për shkak të planeve të raportuara të Rusisë.

“Le të ruajmë qetësinë. Ky forcim i flotës, nëse realizohet, nuk paraqet kërcënim për Poloninë”, theksoi ky zyrtar.

“Ka tashmë dy vjet që rusët kanë njohuri për stacionimin e raketave Patriot. Prandaj nuk ka arsye që të reagojmë ndaj komenteve jozyrtare”, shtoi ai më tutje.

Polonia dhe SHBA-ja nënshkruan në nëntor të vitit të kaluar marrëveshjen, e cila hapi shtegun për stacionimin e raketave patriot në territorin polak.

Polonia, e brengosur për shkak të politikës gjithnjë e më të ashpër të jashtme të Rusisë, për një kohë të gjatë është ankuar se në territorin e saj nuk ka ushtarë amerikanë apo instalime të mëdha ushtarake, përkundër dërgimit të forcave të veta në kuadër misioneve të SHBA-së në Irak dhe Afganistan.

Shumë polakë Rusinë ende e konsiderojnë si kërcënim potencial për sigurinë e tyre, në veçanti pas luftës së Rusisë me Gjeorgjinë, në gusht të vitit të kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›