E Diel, 1 Nëntor 2026

Zapatero para eurodeputetëve Ja plani për makinat elektrike

BE pritet të parashtrojë një plan masiv për rritjen ekonomike
Kryeministri spanjoll, Zapatero, ka dhënë dje detaje të mëtejshme në lidhje me vizionin e tij për strategjinë ekonomike të Bashkimit Europian në vitin 2020, në të cilën përfshihet edhe marrja e masave për promovimin e makinave elektrike të prodhuara në Europë. Duke folur para europarlamentarëve në një seancë të posaçme, Kryeministri i cili është edhe drejtuesi i BE-së për këtë 6-mujor që Spanja ka drejtimin e organizatës, tha se bashkimi me 27 anëtarë do të nisë një projekt shumë të madh dhe të guximshëm, për të promovuar prodhimin e makinave elektrike, të cilat në një të ardhme jo të largët do të jenë shumë të përdorura dhe do të zëvendësojnë makinat me karburant që ekzistojnë sot. “Dje jam takuar me një grup kompanish, disa prej më të rëndësishmeve në Europë dhe diskutuam për rëndësinë e bashkëpunimit dhe integrimin e koordinimit të forcave në lidhje me përpjekjet për prodhimin e makinave elektrike”, deklaroi Kryeministri para eurodeputetëve. “Nëse tregjet tona nuk kanë një kornizë rregulluese dhe përcaktuese për të përfituar mbështetje financiare dhe ne nuk kemi një standard të përbashkët për sa u përket teknologjive, atëherë do të jetë e vështirë për Europën që të ndërmarrë një rol lidershipi sikundër pretendon”, shtoi Zapatero. Ministrat e Industrisë së vendeve të BE-së pritet që të lançojnë një plan në takimin e 8 shkurtit në qytetin spanjoll të San Sebastianit. Rritjen ekonomike të Europës do ta mbështesë shumë edhe rritja e vetëmjaftueshmërisë së rezervave energjetike. Ky ishte mendimi i Kryeministrit spanjoll, vendi i të cilit ishte një nga më të goditurit prej krizës ekonomike të vitit 2008. “Gjatë viteve të fundit, konsumi energjetik është rritur së tepërmi dhe për këtë na duhet që në radhë të parë të reduktojmë varësinë ndaj furnizuesve me energji. Nëse nuk do ta bëjmë këtë, atëherë është e kotë që të pretendojmë për rritje ekonomike”, ka thënë Zapatero. 58% e furnizimit me gaz dhe naftë në Europë vjen nga vende të cilat nuk janë pjesë e saj. Kryesisht me gaz Europa Perëndimore furnizohet nga Rusia, e cila jo rrallë e ka përdorur këtë si një armë politike për të vendosur supremaci në rajon dhe për të diktuar politikat e saj. Liderët europianë do të takohen shumë shpejt për të diskutuar në lidhje me pikat kyçe dhe më të rëndësishme të projektit të tyre ekonomik për ardhmërinë e organizatës dhe të vendeve që bëjnë pjesë në të.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›