E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia ruse rrah për vdekje një gazetar

Një gazetar rus ka vdekur, pasi që është rrahur nga ana e policisë, kanë njoftuar autoritetet dhe kolegët, duke thëlluar kështu brengën për shkak të abuzimeve nga ana e policisë, pas një serie të skandaleve të ndërlidhura me dhunë dhe korrupsion.

Gazetarët në qytetin Tomsk në Sibir, rreth 3100 kilometra në lindje të Moskës, theksuan se kolegu i tyre, Konstantin Popov, është torturuar nga ana e policisë. Ata kërkuan shkarkimin e menjëhershëm të zyrtarëve më të lartë të policisë rajonale.

Komiteti Federativ për hetime, i cili nuk e identifikoi viktimën, theksoi se viktima është dërguar në spital më 4 janar, pasi që kishte pësuar dëmtim të organeve të brendshme, si rezultat i rrahjeve nga ana e policëve, të cilët e kishin arrestuar për shkak se kishte qenë i dehur.

Kryetari i degës në Tomsk i Unionit të Gazetarëve të Rusisë, Alexei Sevastianov, theksoi se Popov është goditur me një objekt, të cilin ai nuk deshi ta identifikojë. “Ai është torturuar”, tha Sevastianov.

Popov ka punuar për revistën rajonale Tema. Kryeredaktori i kësaj reviste, Konstantin Karpachiov, theksoi se gjasat janë të vogla që Popov është vrarë për shkak të punës së tij.
“Kjo mund t’i ndodhë çdo njeriu. Kjo dëshmon se terrori policor është i drejtuar kundër të gjithëve”, tha Karpachiov.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›