E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregulla të reja për rinovimin e patentave, ja dokumentacioni përkatës

Rinovimi i lejes së automjetit, i detyrueshëm një herë në 10 vjet për shtetasit nën 60 vjeç

Në bazë të nenit 124, të Ligjit nr.8378 datë 22.07.1998 Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, parashikon se rinovimi i patentës bëhet në periudhat që vijon; çdo 10 vjet kur shtetasi nuk ka mbushur moshën 50 vjeç, kur ka marrë patentën; çdo 5 vjet kur shtetasi ka qenë në moshën 50-60 vjeç, dhe çdo 3 vjet kur shtetasi ka qenë mbi 60 vjeç.

Për të gjithë personat e interesuar gazeta SOT bën të mundur rregullat e reja për rinovimin e liçensave me dokumentacionin përkatës e të gjitha kriteret e duhura. Sipas disa autoshkollave në kryeqytet të gjithë personat që duhet të kryejnë rinovimin e lejes së qarkullimit duke ndjekur parashikimin ligjor të mësipërm një invididi në mënyrë personale, do ti duhet që ta marrë rinovimin e patentës së tij në një kohë që zgjat 8-10 ditë. Ndërkohë që rregullat e reja synojnë që marrja e dokumentave do të jetë edhe prioritet i autoshkollave gjithmonë nëse dy palët bien dakort. Sipas drejtuesve të këtyre autoshkollave, dokumentet për rinovimin e lejeve të qarkullimit janë Karta e Identitetit, vërtetim banor lagje, raport Mjekoligjor, Grupi i Gjakut për personat të cilët e kanë kryer më parë këtë nuk ështe i detyrueshëm, 5 fotografi. Ndër të tjera regullat e reja të cilat kanë hyrë në fuqi reth një vit më parë ndryshojnë lejet e qarkullimit për automjetet. Sipas një urdhri të ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, rreth një vit më parë të gjithë ata që disponojnë një makinë duhet të ndryshojnë lejet e qarkullimit të modelit të vjetër. Në rast të kundërt ndaj tyre nuk do të kryhet asnjë shërbim, si p.sh. kolaudimi i makinës. Për të gjithë personat të cilët nuk e kryejnë rinovimin e deturueshëm të lejes së qarkullimit atëherë masat që mund të merren janë deri në ndalimin e qarkullimit me mjetin përkatës.


Urdhri
Të gjitha lejet e qarkullimit kombëtar të modelit të vjetër do të zëvendësohen me lejet e qarkullimit të modelit DRM-04. Në lejen e re ka më shumë të dhëna mbi automjetin dhe në pjesën e fundit të saj shënohet edhe periudha se kur është kryer kolaudimi i makinës. Konkretisht, të gjithë ata që kanë në posedim një autoveturë, në momentin që shkojnë për të kryer kontrollin fizik të makinës apo siç njihet ndryshe kolaudimin, duhet të jenë të pajisur më parë me lejen e re të qarkullimit. Përpara se të shkojnë për të marrë lejen e re, poseduesit e makinës duhet të kenë marrë me vete edhe një certifikatë personale. Certifikata do të jetë e shoqëruar edhe me një vërtetim nga njësia bashkiake, ku vërtetohet se është banor i asaj zone. Ndryshe nga më parë, Drejtoria e Transportit Rrugor ka vendosur që të gjitha automjetet duhet të kenë edhe çertifikatën e pronësisë. Pas kësaj poseduesi i autoveturës duhet të shkojë në zyrat e lëshimit të lejeve të qarkullimit, e cila ndodhet në Kashar, dhe pasi të dorëzojë këto dokumente merr edhe lejen e re të qarkullimit. Në rast se nuk ndryshohet leja e qarkullimit, atëherë nuk kryhet as kolaudimi i makinës. Sipas ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, një urdhër i tillë fillimisht hyri në fuqi për tre qytetet kryesor të vendit për Tiranën, Durrësin dhe Fierin. Por pas kësaj ky urdhër nisi të zbatohej në të gjitha qytetet e vendit. Leja e qarkullimit duhet të ndryshohet për të gjitha llojet e mjeteve. Sipas ekspertëve, me ndryshimet e bëra në lejen e re ka më shumë elemente sigurie dhe në sajë të këtyre elementeve të sigurisë rritet mundësia për të evidentuar makinat e vjedhura.


Detyrimet
Sipas të dhënave zyrtare, 45% e mjeteve që teorikisht qarkullojnë në Shqipëri, nuk paguajnë taksat. Për këtë arsye është vendosur që pronarëve të këtyre mjeteve tu falen disa vite pagese taksash, në këmbim të pagesës së taksave për tre vitet e fundit. Gjatë 20 viteve të fundit janë lëshuar dokumente për 350 mijë makina, por nga këto vetëm 192 mijë makina shlyejnë detyrimet çdo vit. Duke qenë se mbledhja e këtyre taksave është shumë e vështirë të kryhet në rast se automjeti ndërron pronar, atëherë qeveria ka vendosur që të falë detyrimet e pashlyera për një kategori makinash. Sipas vendimit të qeverisë, për mjetet që janë në qarkullim, të pajisura me leje qarkullimi të modelit të ri, por që kanë taksa të prapambetura, procedurat do të vazhdojnë normalisht duke shlyer vetëm taksat e vitit 2008. Për mjetet që janë në qarkullim, të pajisura me leje qarkullimi të modelit të vjetër, por që kanë taksa të prapambetura, fillimisht do të procedohet me rinovimin e lejes së qarkullimit (modeli i ri) dhe më pas do të bëhet vetëm pagesa e taksave të vitit 2008, por gjithmonë përpara kryerjes së kontrollit teknik. Për mjetet që janë në qarkullim, të pajisura me leje qarkullimi të modelit të vjetër, por që kanë taksa të prapambetura dhe për të cilat kërkohet transferim në një rreth tjetër, do të pajisen me lejen e qarkullimit të modelit të ri në drejtorinë pritëse. Pagesa e taksave të vitit 2008 do të kryhet në drejtorinë rajonale pritëse, pas pajisjes me leje të re qarkullimi dhe më pas vazhdohet me kontrollin teknik të mjetit.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›