FMN parashikime pesimiste për ekonominë shqiptare, rritja 1.5 për qind
Ekonomia shqiptare është rritur në tremujorin e parë të këtij viti, por ritmet e rritjes kanë qenë më të dobëta se zakonisht. Rritja ekonomike shënoi shifrat 1. 5 për qind. Ndërsa për periudhën në vazhdim pritet një rritje në masën 2.3 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto.
Shifrat janë bërë publike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë një konference për shty ku FMN analizoi ecurinë ekonomike të vendeve të rajonit dhe eurozonës. Sipas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar Shqipëria duhet të mbajë në norma të qëndrueshme nivelin e deficiteve.
Analiza
Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikojnë një rritje prej 2.3 % të GDP gjatë vitit 2010 për Shqipërinë. Ekonomisti në Departamentin Evropian të Politikave dhe të Studimeve Rajonale të FMN-së, Johan Mathisen, tha dje gjatë një konference në Tiranë mbi parashikimet ekonomike të rajonit, se "Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë që njohu rritje ekonomike gjatë vitit 2009, ndërsa për këtë vit rritja ekonomike për Shqipërinë parashikohet 2.3 %". Ndërkohë që vitin që vjen, sipas Mathisen, Shqipëria do të njohë një rritje më të madhe, që llogaritet në 3.3 %, por ai kërkoi politika të kujdesshme fiskale nga ana e qeverisë. "Qeveria duhet të bëjë kujdes me politikat fiskale", deklaroi Mathisen. Sipas tij, menaxhimi i flukseve hyrëse të kapitalit është një tjetër sfidë e qeverisë shqiptare. "Menaxhimi i flukseve hyrëse kërkon politika makroekonomike të adaptueshme dhe përmirësimin e rezistencës së sektorit financiar nëpërmjet politikave të matura dhe forcimin e kuadrove ndërkufitare të stabilitetit financiar", theksoi eksperti i FMN-së. Sipas Mathisen, Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të rajonit ka qenë më pak e ndikuar nga kriza ekonomike për shkak se ka ditur të shmangë flukset e tepërta të kapitalit. Mathisen u ndal edhe në në sfidat e menaxhimit të flukseve hyrëse të kapitalit në Evropën në zhvillim. "Flukset hyrëse të kapitalit ishin të mëdha në Evropën në zhvillim dhe ranë më shumë gjatë krizës se në ekonomitë e tjera", tha Mathisen, ndërsa nënvizoi faktin se flukset e mëdha hyrëse krijuan dobësi makroekonomike dhe në sektorin financiar, defiçite më të mëdha të bilancit të pagesave, rritje të shpejtë të kreditimit, pozicione fiskale të përkeqësuara dhe rritje të nivelit të borxhit të familjeve në shumë prej vendeve në rajon.
Menaxhimi i kapitalit
Menaxhimi i flukseve të kapitali është mbase sfida më e madhe me të cilën përballen politikë bërësit në Evropën në zhvillim. Evropa në zhvillim është i vetmi rajon në të cilin kapitali erdhi me furi nga vendet e pasura evropiane në ekonomitë fqinje me rritje të shpejtë dhe kjo ndikoi rajonin për të ngushtuar hendekun e të ardhurave. Një pjesë e madhe e flukseve hyrëse përpara krizës ishte e motivuar nga perspektiva e normave të larta të kthimit në Evropën në zhvillim se sa në tregjet vendase dhe ishte e lidhur me nivelin e të ardhurave në vendet e pritës. Flukset hyrëse të investimeve të huaja direket u tërhoqën nga rritja ekonomike e shpejtë dhe nga urbanizimi, por kishte tendencë të ngadalësoheshin kur vendi bëhej më i pasur. Huatë ndërkufitare për bankat dhe korporatat nga ana tjetër u përshpejtuan kur ekonomitë u maturuan dhe u tërhoqën nga sektori në rritje i shërbimeve. Liberalizimi i ekonomive dhe reformat strukturore dhe institucionale tërhoqën edhe më shumë flukse hyrëse.
Ornela Manjani
Last Updated on E Enjte, 20 Maj 2010 21:07