E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullatorët financiarë bankierëve: Doni apo sdoni ndryshimet do të bëhen

Davos
Në një takim dyorësh me dyer të mbyllura janë debatuar çështjet e  ndryshimit

Zyrtarë të ndryshëm qeveritarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa kanë parashtruar planet e tyre për reformat financiare që duhet të ndërmerren në industrinë bankare.  Ata u kanë kërkuar bankierëve bashkëpunim, por nga ana tjetër kanë theksuar se ndryshimi do të vijë duan, apo nuk duan ata. Pas një takimi dyorësh përfaqësuesi i qeverisë amerikane bëri të qartë se qeveritë e vendeve të ndryshme, pasi futën shumë para në tentativën për të shpëtuar gjigantët e ekonomisë, do të bëheshin më llogarikërkuese ndaj bankave. Bankierët më të mëdhenj të botës, që kanë ardhur këtë vit në Forumin e Davosit duket se nuk kanë qenë shumë të kënaqur edhe pse e kanë cilësuar takimin që u zhvillua me dyer të mbyllura një takim konstruktiv. Takimi vjen pas ditëve të tensionuara në resortin alpin në Zvicër në lidhje me planet qeveritare për të pasur një kontroll më strikt ndaj industrisë financiare në mënyrë që të shmanget përsëritja e krisës financiare të vitit 2008 që e çoi gjithë botën në një situatë recesioni dhe çoi në falimentim shumë institucione financiare. Bankat kryesisht nuk kanë qenë dakord me propozimet për rregullat e reja duke thënë se SHBA dhe vende të tjera rrezikojnë që të shmangin rikuperimin gradual nëse do të vendosin rregullore shumë të ashpra për funksionimin e bankave. Kjo mbledhje nuk ishte në axhendën zyrtare të forumit, por shumë shpejt u shndërrua në ngjarjen më domethënëse të ditës. Edhe shefi i FMN-së tha se duhet patjetër një reformë bankare e thellë, por nga ana tjetër ai shprehu dyshimin se mos ndoshta gabimet e bëra gjatë krizës mund të përsëriteshin.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›