Deputetët, 3,15 milionë të ardhura në muaj
Megjithë përpjekjet e qeverisë për të reduktuar shpenzimet e shtetit, për të zgjedhurit e popullit, sërish këta të fundit rezultojnë si një nga kategoritë më të mirëtrajtuara financiarisht. Plotë 3.15 milionë lekë të vjetra i kushton mesatarisht buxhetit të shtetit një deputet, jo i qarkut të Tiranës. Shifra është zbuluar dje nga vet institucioni i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka shpërndarë për gazetarët të dhënat e plota, për përfitimet financiare të deputetit Taulant Balla. Megjithëse shpërndarja e këtyre të dhënave për deputetin Balla u bë si kundërpërgjigje, për akuzat që ky i fundit bëri gjatë seancës së djeshme, për afera të pista të pjesëtarëve të mazhorancës, pasqyra e përfitimeve financiare të tij shërben për të kuptuar sesa janë të ardhurat mesatare të deputetëve shqiptarë. Kështu, sipas tabelës së të dhënave, rezulton se një deputet, pa një post drejtues në Kuvend, paguhet me 152.5 mijë lekë të reja, ose 1 milion e 525 mijë lekë të vjetra. Vendin e dytë të përfitimeve për një deputet e zënë dietat që ai merr, për funksionet e tij si përfaqësues i një zone të caktuar elektorale. Në bazë të një vendimi të vet Kuvendit, vlera e një diete ditore është në masën e 4 për qindëve të pagës mujore ose 61 mijë lekë. Ndërkohë që në një muaj, një deputeti i
llogariten afërsisht 12 ditë dieta, e barabartë me 732 mijë lekë të vjetra. Në vendin e tretë të të ardhurave, që përfiton një deputet, është pagesa që ai merr për karburantin e makinës. Megjithëse kjo shumë është e ndryshme për deputetë të ndryshëm, pasi varet nga largësia e qarqeve që ata përfaqësojnë, mesatarisht ajo shkojnë në 420 mijë lekë të vjetra. Përveç tyre, një deputet merr honorare edhe për pjesëmarrjen në komisionet e përhershme. Plotë 20 mijë lekë për çdo mbledhje. Kështu një deputet, si Taulant Balla, që është anëtar i Komisionit të Integrimit, që ka pak mbledhje, arrin të marrë në një muaj plotë 160 mijë lekë honorare. Kjo shumë është më e madhe për deputetët e komisioneve të rëndësishme, si ai i Ligjeve dhe ai i Ekonomisë, të cilët kanë mbledhje thuajse çdo ditë. Për një pjesë të deputetëve, honoraret janë dyfish, pasi si pasojë e ndryshimeve në Rregullore një deputet mund të jetë anëtar në më shumë se një komision. Gjithashtu, shteti i paguan një deputeti edhe 173 mijë lekë të vjetra për telefonin celular dhe 140 mijë lekë për sigurime shoqërore. Pra në total, një deputet i kushton shqiptarëve 3 milionë e 147 mijë lekë.