Kapet i kërkuari, tentoi të vriste bashkëjetuesen
Arrestohet në Tiranë një i kërkuar, pasi kishte tentuar të vriste një grua, me të cilën bashkëjetonte. Bëhet fjalë për Sajmir Binjakun, 36 vjeç, i cili rreth një vit më parë plagosi dhe tentoi të vriste bashkëjetuesen, pasi ajo i kishte ikur nga banesa për shkak të një sherri mes tyre. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se arrestimi i tij u bë në Tiranë nga forcat e operacioneve speciale dhe menjëherë i është dorëzuar Drejtorisë së Policisë në Elbasan, e cila e kishte shpallur në kërkim. Sipas të dhënave, 36-vjeçari ka plagosur dhe kanosur me armë zjarri një grua të divorcuar, me të cilën bashkëjetonte. Sipas dosjes penale, ngjarja ka ndodhur më 22 mars të vitit 2009, kur ai është zënë me 31-vjeçaren Marjeta K. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shtërmen, në shtëpinë e të vëllait të 31-vjeçares, pasi ajo ishte larguar nga banesa e Binjakut. Policia sqaroi se motivi i largimit ishte një konflikt mes tyre. Menjëherë Kovaçi ka sinjalizuar policinë, e cila pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka arritur të kapë autorin e krimit, por që është gjykuar në gjendje të lirë. Policia tha në atë kohë se e kishte goditur gruan me mjete rrethanore dhe gjatë tentativës i ishte bllokuar edhe arma e zjarrit, të cilën e dispononte pa leje. Ky person ka qenë i dënuar edhe më parë për kundërshtim të punonjësve të policisë. Më 19 dhjetor të vitit 2007, ai u arrestua në flagrancë po në Elbasan, sepse te “Kryqëzimi i Luleve”, për shkak të detyrës, kishte kundërshtuar punonjësit e policisë, duke i goditur me grushte.
#