Antidroga arreston dy shpërndarës kokaine
Dy persona të dyshuar si shpërndarës të lëndëve narkotike të llojit kokainë janë vënë në pranga dje rreth orës 06:30 nga Specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës. Adrian Karajani, 43 vjeç, dhe Eno Vishi, 30 vjeç, nga Tirana, u arrestuan në flagrancë me 4 gramë kokainë në afërsi të Bërrylit në Tiranë. Specialistët e Antidrogës kanë marrë një të dhënë në rrugë operative, se dy personat e sipërcituar kishin me vete kokainë, të cilën e tregtonin në zonën e Bërrylit. Oficerët u bëjnë shenjë të rinjve ta ndalojnë mjetin e tyre me traga të huaja dhe të zbresin nga mjeti me duart pas koke. Pas kontrollit fizik atyre iu gjetën 4 gramë kokainë, të ndarë në 8 doza. Sipas policisë, Karajani ishte person i njohur si shpërndarës i lëndës narkotike në Tiranë. Ai ishte shoqëruar edhe herë të tjera në polici, por asnjëherë nuk kishin mundur t’ia dokumentonin aktivitetin, pasi veprimet e tij ishin tejet të fshehta, ndaj dhe nuk kanë mundur ta mbërthejnë në pranga. Sipas policisë, gjithnjë Karajani ia kishte dalë ta fshihte lëndën narkotike, por dje ata kanë qëlluar në shenjë, duke i bllokuar atij dhe Vishit disa doza. Madje pas kontrollit të mjetit ata kanë vërejtur se ai ishte pa dokumentacionin përkatës, ndaj dhe e kanë bllokuar në pikën e grumbullimit të policisë së qarkut. Të njëjtat burime thanë për gazetën se të ndaluarit mbanin mbi kroskotin e autoveturës një tabelë me logon e televizionit publik shqiptar. Dy të arrestuarve do t’u duhet të përballen me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim.
#