E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: “Korrupsioni, problem shqetësues në Shqipëri”



Ambasadori amerikan, John Withers, ka deklaruar vetëm pak ditë më parë se korrupsioni mbetet problemi kryesor për Shqipërinë. Njëherësh ai ka kërkuar t’u jepet fund ndërhyrjeve në Gjyqësor, duke marrë si rast çështjen “Gërdeci”. “Korrupsioni mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria në shumë nivele të saj”, - u shpreh ambasadori. Sipas tij, një çështje tjetër e rëndësishme është pavarësia e institucioneve demokratike, veçanërisht e Gjyqësorit. “Një rast që e kemi vënë re ka qenë situata e Gërdecit. Shpresojmë të mos ketë ndërhyrje të tilla, ashtu si kemi vënë re”, - shtoi Withers. Sipas ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, një tjetër çështje shqetësuese për Shqipërinë është liria e medias. “Kohët e fundit kemi dëgjuar për dhunën ndaj gazetarit për shkak të pikëpamjeve të tij, kjo situatë nuk mund të tolerohet”, - vazhdoi ai. Sipas ambasadorit amerikan, një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar edhe trafikimit të qenieve njerëzore. Ambasadori amerikan, John Withers, e bëri këto deklarata gjatë fjalës së mbajtur pak ditë më parë në konferencën “Për të drejtat e njeriut”.

10 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›