Ambasadorja Mekllëham: “Duhet më shumë punë për të luftuar korrupsionin”
Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mekllëham, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit deklaroi se në Shqipëri duhet dhe nevojitet një taktikë bindëse për të luftuar korrupsionin. Ajo deklaroi se lufta kundër korrupsionit brenda institucioneve të Drejtësisë është urgjente. “Qeveria britanike vazhdon të mbështesë autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile në këtë luftë, si një prioritet. Mbretëria e Bashkuar e shikon luftimin e korrupsionit brenda institucioneve të zbatimit të ligjit, dukë përfshirë Policinë dhe Drejtësinë, si veçanërisht urgjente”, - deklaroi ambasadorja britanike. Më tej, në deklaratën e saj, ambasadorja tha se në Shqipëri kërkohet më urgjencë lufta kundër korrupsionet për ecurinë e mëtejshme të proceseve integruese të vendit. “Progres-Raporti i 2009-s i Komisionit Europian për Shqipërinë flet për një ‘kulturë mosndëshkimi’ në jetën publike dhe nevojën për të krijuar një praktikë bindëse dënimesh të rasteve të korrupsionit. Të hënën, ministrat e Jashtëm europianë nënvizuan urgjencën e kësaj sfide. Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e integrimit europian të Shqipërisë, por për vetë popullin shqiptar. Korrupsioni ka një kosto shumë të lartë dhe njerëzore”, - tha më tej ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mekllëham. Ajo vuri në dukje se tryeza e rrumbullakët, e organizuar dje nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe OSBE-ja, është një shembull i rëndësishëm i përqasjes së përbashkët që do të nevojitet për të trajtuar këtë problem në vazhdimësi.
10 Dhjetor 2009