E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i ministrisë: Aplikoni për kartat

Për shtetasit që nuk kanë pasaporta, sot është dita e fundit e aplikimit për kartat e identitetit. Sipas Kodit Zgjedhor, shtetasit që në ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor, nuk disponojnë pasaportën dhe kartën personale të identitetit, nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Kjo, sepse në kod është përcaktuar qartë që pranë komisionit të votimit mund të paraqitesh vetëm me pasaportë ose kartë identiteti dhe me asnjë lloj dokumenti tjetër identifikimi. 15 qershori është përcaktuar si afati i fundit për aplikimin e kartës së identitetit për ata shtetas që nuk kanë pasaportë, duke llogaritur kështu që koha e prodhimit të një karte është të paktën 10 ditë. Kështu që të gjithë ata shtetas të cilët aplikojnë sot, duhet që kartat e tyre t‘i tërheqin nëse do të jenë gati para datës 28 qershor, për të pasur më pas mundësinë e ushtrimit të të drejtës së votës. Pas ditës së sotme, sipas vendimeve të nxjerra nga qeveria, mund të shkojnë të aplikojnë për kartat e identitetit të gjithë ata shtetas që kanë pasaporta por që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të aplikojnë për kartat e identitetit. Duke pasur parasysh se koha në dispozicion është mjaft e pakët, sepse vetëm dy javë i ndajnë shqiptarët nga dita e votimit, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme dje ju ka bërë thirrje të gjithë shtetasve pa pasaporta të aplikojnë pranë sporteleve të caktuara në njësitë e tyre vendore për kartat e reja të identitetit. Zëdhënësi ka informuar nëpërmjet mediave se zyrat e aplikimit për kartat e identitetit do të jenë në dispozicion të qytetarëve për 14 orë me radhë, pra do të jenë të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes, ku punohet edhe ditët e shtuna dhe të diela. Gjithashtu, Ministria e Brendshme ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë aplikuar për kartat e identitetit që të paraqiten pranë sporteleve për t‘i tërhequr ato. Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, deri ditën e djeshme kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, apo siç thuhet ndryshe kartën e identitetit, 135400 shtetas. Nga këto, janë prodhuar 1253000 mijë letërnjoftime, ndërsa nga qytetarët, informon kjo ministri, janë tërhequr 932500 karta identiteti. Aktualisht partitë politike janë përfshirë në një debat të madh për kartat e identitetit. Opozita pretendon se ky proces po shkon drejt dështimit, duke u rrezikuar kështu edhe zgjedhjet, sepse, theksojnë drejtuesit e lartë të opozitës, PD-ja dhe mbështetësit e saj po shpërndajnë karta identiteti për mbështetësit e tyre në shumë raste edhe të falsifikuara. Pretendime këto që janë hedhur poshtë vazhdimisht nga mazhoranca dhe qeveria, e cila pretendon se procesi po shkon normalisht dhe aktualisht po ju shpërndahen karta identiteti shtetasve pa pasaporta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›