Topalli: Më 28 qershor shqiptarët do e rivotojnë këtë qeveri
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka vijuar turin e saj elektoral në Qarkun e Elbasanit. Gjatë këtij takimi me gratë dhe vajzat e Elbasanit, Topalli, duke vlerësuar figurën e nënave shqiptare, ka kërkuar votën më 28 qershor, për të çuar deri në fund ndryshimin e nisur. "Ne, tha Topalli, jemi një komb energjik, ne kemi familje të forta, ne do vijojmë ndryshimin e Shqipërisë. Nuk ka një qeveri tjetër që për një kohë kaq të shkurtër të ketë investuar kaq shumë. Nuk ka një rast tjetër që të jetë shkruar për të, qeveri kampione në luftën kundër korrupsionit. Një qeveri që ka marrë notën 10 në reformat ekonomike, një qeveri që ka marrë notën 10 në rritjen ekonomike në kohën e një grizë globale financiare, një qeveri e cila ka marrë notën 10 në procesin e integrimit. Shqipëria ka marrë dhjetë gjatë kësaj periudhe. Ashtu si më 28 qershor, ne do të votojmë numrin 10, Partinë Demokratike", është shprehur Topalli. Më tej Topalli ka renditur edhe njëherë disa nga sukseset e kësaj qeverie, siç është anëtarësimi me të drejta të plota në NATO, aplikimi për vend kandidat në BE, realizimi i reformave të suksesshme në ekonomi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimi i sistemit të arsimit etj. Gjithashtu ajo ka premtuar se gjatë mandatit të dytë qeverisës kjo qeveri me Berishën Kryeministër do të realizojë të gjitha projektet e nisura deri më tani. Sipas Topallit, do përfundojë reforma në sistemin shëndetësor, do mbyllen punimet në rrugët e nisura, do hapen vende të reja pune, do shtohet buxheti për arsimit, do rriten pagat për arsimtarët, mjekët, si dhe pensionet.