E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton asfalt për çdo fshat të Mallakastrës

Kryeministri Berisha ka qenë dje në Cakran, ku ka inauguruar fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj rruge, që është me një gjatësi prej 15 km. Vlera e vënë për ndërtimin e kësaj rruge është 300 milionë lekë. Pas prerjes së shiritit për nisjen e punimeve, Kryeministri ka udhëtuar drejt qendrës së Cakranit, ku përpara qindra të pranishmëve ka premtuar se brenda mandatit të dytë qeverisës së tij do të shënohet lëvizja e lirë e qytetarëve. Cakrani dhe Mallakastra në projektin e kësaj qeverie është një nga zonat më të rëndësishme të vendit. Së pari, gjatë mandatit të dytë, Mallakastra do të ketë një nga rrjetet infrastrukturore më të mira në Shqipëri, ka thënë Kryeministri. Gjithashtu Berisha ka premtuar investime edhe për rrugë të tjera rurale, ndërsa është ndalur te fushata e tij e ullirit, që gjen zbatim në terrenin e Mallakastrës. Berisha ka bërë edhe një skaner të të gjitha investimeve të kryera në këtë zonë. "Shpreh kënaqësinë që këto katër vite ne kemi investuar në Cakran 11 herë më shumë se sa qeveritë socialiste. Por unë jam këtu, për t‘u zotuar para jush, që ne do të investojmë në këtë komunë dhe do të asfaltojmë të gjitha rrugët e fshatrave të Cakranit. Do të ndërtojmë apo rindërtojmë të gjitha shkollat e Cakranit dhe të mbarë Shqipërisë", është shprehur Berisha. Duke ju drejtuar socialistëve të Cakranit, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta për kreun e opozitës, Edi Rama, ndërsa ka prekur edhe një nga forcat në koalicion me PS-në, G99. Edhe në takimin e zhvilluar në Ballsh, qendrën mallakastriote, Sali Berisha ka premtuar më tepër investime infrastrukturore, ndërsa ka thënë se çdo rrugë fshati do të jetë e asfaltuar brenda mandatit të dytë qeverisë së tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›