Tentoi të vrasë policët, Paja dënohet vetëm me 6 vjet

Apeli
Ilir Paja ishte dënuar në Shkallën e Parë me 15 vite burg, ndërsa në Apel atij iu riklasifikua vepra penale
TIRANË- Zbutet masa e dënimit nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ndaj mjeshtrit të arratisjeve nga burgjet italiane, të pandehurit Ilir Paja. Togat e zeza të kësaj gjykate, pasi morën në shqyrtim ankimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe mbrojtjen ligjore të të pandehurit Paja, vendosën prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, duke i ndryshuar kualifikimin e veprës penale për të cilën është dënuar me 15 vite burg dhe shqyrtimin e dosjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar.
Kështu pesëshja gjykuese e Apelit vendosi që Paja, 36 vjeç, të deklarohet fajtor për veprën penale të "plagosjes së rëndë" dhe "armëmbajtjes pa leje", duke u dënuar përfundimisht në aplikim të gjykimit të shkurtuar me 6 vjet e 8 muaj burg. Sipas vendimit, efektivët e policisë të cilët tentuan ta arrestonin Pajën mesditën e 6 shkurtit 2008 nuk kishin shenja dalluese që ishin agjentë policie.
Për këtë fakt, i pandehuri Paja nuk ka mundur të dallojë se personat që e kishin rrethuar me pistoleta në drejtim të tij ishin oficerë policie apo persona që dëshironin ta vrisnin a grabisnin.
Për këtë fakt, sipas gjykatës, i pandehuri ka tentuar të ikë duke manovruar me makinë, me të cilën e ka marrë zvarrë njërin nga agjentët e policisë duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Gjithashtu, masa përfundimtare e dënimit është bërë duke i ulur 1/3 e dënimit të pandehurit Paja, që përfundimisht u dënua me 6 vjet e 8 muaj burg për "plagosje të rëndë" dhe "armëmbajtje pa leje".
Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në vendimin e datës 28 janar 2010 vendosi të deklarojë fajtor të pandehurin Paja për kryerjen e veprës penale të "vrasjes" së mbetur në tentativë dhe "armëmbajtjes pa leje" duke e dënuar përfundimisht me 15 vjet burg.
Ndërkaq, prokurori i çështjes në leximin e konkluzioneve përfundimtare si në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rëna edhe në atë të Apelit kërkoi nga togat e zeza dënimin e Pajës me 25 vjet burg për akuzën e "vrasjes në rrethana cilësuese" të mbetur në tentativë ndaj efektivëve të policisë që organizuan aksionin për arrestimin e Pajës paraditen e datës 6 shkurt 2008.
Sipas vendimit, mjeshtri i arratisjeve nga burgjet italiane, i pandehuri Ilir Paja, i njohur nga mediat italiane edhe si "Ufo i arratisjeve" paraditen e 6 shkurtit të vitit 2008 pas rrethimit nga forcat e policisë, ka tentuar të largohet me veturën e tij, duke marrë zvarrë agjentin e njësisë së operacioneve speciale të Drejtorisë së Policisë, B.H. Nga kjo përplasje, efektivi i policisë pësoi dëmtime të rënda, duke rrezikuar jetën.