E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbehet aktivisti i UÇK-së

Bashkëshortja ka denoncuar zhdukjen e 56-vjeçarit Ismet Kryeziu

TIRANË - Një veprimtar i lëvizjeve luftarake të shqiptarëve në trojet etnike jashtë kufijve të Shqipërisë është denoncuar si person i zhdukur që prej së shtunës në Tiranë. 56-vjeçari Ismet Kryeziu është deklaruar i humbur që nga data 15 e këtij muaji. Gruaja e tij, Anila Leli, dy ditë më parë është paraqitur në Komisariatin Nr. 4 në kryeqytet dhe ka thënë përpara oficerëve të policisë, se i shoqi nuk ishte kthyer në shtëpi, pasi kishte dalë mesditën e së shtunës, për të mos u kthyer më. Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme policore, ndërsa të tjera burime të sigurta bëjnë të ditur për “Korrierin” se kanë nisur hetimet në lidhje me pistën më të mundshme, atë të rrëmbimit. Në hetime mësohet të jenë përfshirë edhe agjentë të antiterrorit, çka mendohet se të gjithë dyshimet çojnë drejt rrëmbimit të tij.

Kryeziu është ndër elementët e parë të një strukture luftarake të themeluar në fundin e vitit ‘88-‘89 në Kosovë dhe në territoret etnike shqiptare të shtetit të sotëm maqedonas. I quajtur Fronti Kombëtar, struktura në të cilën bënte pjesë Kryeziu furnizonte me armatim shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ai ka qenë një ndër personat që mendohet se mbante lidhje të afërta me Remzi Hoxhën në të njëjtën strukturë. Mandej, Kryeziu është arrestuar në një operacion të dyshuar si të bashkërenduar nga Shërbimet Sekrete Serbe (UDB), Shqiptare (SHIK) dhe maqedonase në vjeshtë të vitit 1995. Operacioni u shtri në Shqipëri, shtetin maqedonas dhe në Kosovë, dhe rezultoi me më shumë se 200 të arrestuar në të tre vendet, shumica në Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe në Shkup. Të gjithë të ndalurit, përfshi Avni Klinakun dhe Mehmet Çokun në Prishtinë, ishin aktivistë pararendës të UÇK-së. Pas arrestimit në Tiranë në vitin 1995, Kryeziu mundi të dalë nga burgu vetëm me ndërhyrjen e ambasadorit të një shteti të fuqishëm islamik tek ish-presidenti Sali Berisha, sot kryetar i qeverisë. Për Kryeziun u tha se ndërhyrja e Berishës kishte qenë e drejtpërdrejtë tek ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi. Ndërkaq, Çoku prej disa vjetësh jeton në Danimarkë, ndërsa Klinaku udhëheq një forcë të re politike në Kosovës, pasardhëse e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Të gjitha këto struktura synojnë ndërtimin e një shteti të përbashkët shqiptar, pavarësisht prirjeve të majta.

Denoncimi 

Dy ditë më parë, në Komisariatin Nr. 4 të Tiranës është paraqitur bashkëshortja e Ismet Kryeziut, shtetasit kosovar i cili jetonte prej vitesh mes Prishtinës dhe Tiranës. Sipas burimeve policore, mësohet se e shoqja, Anila, ka denoncuar zhdukjen e burrit të saj, i cili nuk është kthyer në shtëpi që nga data 15 nëntor, vetëm katër ditë më parë. Mësohet se Leli është shfaqur e shqetësuar gjatë dhënies së deklarimeve, duke qenë se Kryeziu prej shumë vitesh kishte qenë i lidhur ngushtë më UÇK-në dhe një herë edhe i arrestuar. Mësohet se ajo ka pritur 48 orë nga zhdukja e të shoqit, përpara se t’i drejtohej policisë për ndihmë. Në komisariat gruaja ka dhënë detaje për aktivitetin e Kryeziut dhe personat me të cilët ai shoqërohej kohët e fundit.

Hetimet    

Policia e ka trajtuar fillimisht denoncimin si rast normal zhdukjeje, pa ditur se emri i tij kishte pas një larmi ngjarjesh dhe historish. Por me t’u njohur me pozicionin e personit që po kërkohej, oficerët e komisariatit kanë vënë në dijeni eprorët e tyre, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e strukturave të tjera. Megjithëse janë marrë në pyetje disa persona që mendohet se kanë pasur njohje dhe kontakte me Kryeziun, asnjë informacion nuk është bërë i ditur lidhur me atë që ka rezultuar deri tani nga hetimet. Hetuesit janë treguar mjaft të rezervuar, por edhe të kujdesshëm për çdo lloj informacioni që do të mund të dëmtonte zbardhjen e çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›