E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rrëmbimi” i vajzës së Haklajve, gjykata pushon çështjen e padisë

12/09/2009  Nëna kishte kallëzuar Fatmir Haklajn për rrëmbenin e vajzës

TIRANË- Gjykata e Tiranës pushoi dje çështjen civile ngritur nga bashkëshortja e një prej të fortëve nga familja Haklaj, Tropjë. Gruaja e Fatmir Haklaj ngriti padi në gjykatë kundër vjehrrit dhe vjehrrës për vajzën e saj, duke i paditur për rrëmbimin e vajzës. Por dje gjyqtarja Balliu e ka pushuar çështjen për shkak se palët nuk janë paraqitur. Në seancën e djeshme gjyqtarja Balliu ( Vigani) vendosi: Pushimin e gjykimit të çështjes civile me Nr.2075 Akti. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse. Shpjegohet e drejta e ankimit. U shpall në Tiranë me datë 11.09.2009 ora e përfundimit të seancës 11:46 min. E veja e “mitit” të Tropojës, Fatmir Haklaj, padit në gjykatë ish-vjehrrin, Muharrem Haklaj. Anila Haklaj nëpërmjet një kërkesë-padie civile i kërkon drejtësisë shqiptare ta detyrojë babanë e bashkëshortit të saj të ndjerë t’i rikthejë vajzën e mitur që aktualisht ndodhet në Suedi me statusin e azilantes politike. Vajza është nëntë vjeçe dhe është marr nga gjyshërit pa dijeninë e nënës së saj duke u larguar për në Suedi. Nëna e vajzës kërkoi nga gjykata rikthimin e vajzës së mitur. Vajza me emrin Fatmira u pagëzua vetëm pesë ditë pasi babai i saj u vra nga një atentat në Bujan të Tropojës. Anila Haklaj po përjetonte ditët më të vështira të jetës së saj, pasi kishte humbur bashkëshortin, Fatmirin, kur në jetë solli një vajzë. Krijesa e pafajshme që Anila solli në jetë do të ishte padyshim një ngushëllim i madh për të. Për largimin e vajzës së mitur nga Shqipëria që ende nuk ka mbushur 9 vjeç, e ëma Anila nuk ishte pyetur fare. Ka të paktën katër vjet që se ka parë më sy krijesën e saj të shtrenjtë dhe nuk di asgjë rreth fatit të saj. Ka tentuar disa herë ta zgjidhë këtë problem me familjen e burrit të saj të ndjerë, por mesa duket nuk ja ka dalë dot, ndaj ka vendosur t’i drejtohet gjykatës. Nëpërmjet kërkesë-padisë civile, Anila Haklaj, kërkon që Muharrem dhe Fatime Haklajt, dy prindërit e njeriut me të cilin lidhi jetën t’i rikthejnë vajzën e mitur, Fatmira, e datëlindjes 9 nëntor 1999. Padia është hedhur në short dhe ka nisur shqyrtimi nga gjyqtarja Rezarta Vigani.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›