E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrengu që po sajon Gjinushi

Në prag të anëtarësimit në NATO, objektiv ky për të cilin qeveria është zotuar se do të punojë deri në fund të afatit kohor që na ndan nga Samiti i Bukureshtit, arritja më e madhe e klasës politike dhe merita kryesore e dy partive të mëdha, PD dhe PS, është vendosja e një detante të përkohshme, për hir të interesave kombëtarë e të integrimit në strukturën e përbotshme dhe më të fuqishme të Sigurisë. Madje bash kjo detantë është edhe arsyeja e sipërmarrjes së përgjegjësisë nga dy partitë e mëdha për reformat kryesore, ndër të cilat thuhet dhe pranohet se është edhe ajo për Reformën zgjedhore. Por bash stimulimi i kësaj rënieje të tensioneve politike, mund të sjellë thjesht dhe vetëm efekte të përkohshme, sa kohë që ekziston dhe vepron Gjinushi, sherrxhiu i përjetshëm dhe trazovaçi i politikës. Dhe kjo sepse tashmë që modeli politik i federalizmit të së majtës është shembur dhe Gjinushi ka humbur përfundimisht shansin për ta drejtuar përkohësisht këtë të Majtë dhe për t’iu imponuar në funksion të synimeve politike, grindaveci proverbial po përjeton një krizë të rëndë personale psikike dhe politike brenda lidershipit të furrik-partisë që drejton, të cilit i premtoi pushtet të sigurt, privilegje dhe mandate të sigurta dhe aspak gjysmake si deri më tash, kur ka mundësuar modelin më unikal në politikën shqiptare: atë të sajimit të çerek dhe gjysmë-deputetëve me mandat 1 dhe dy vjeçar, me rotacion. Model ky i ngjashëm me atë që deshi të krijojë për drejtimin e së majtës, huazuar nga arsenali jugosllav i skemave post-titiste të drejtimit të Federatës...
Pikërisht tani kur konflikti me shkak rivalitetin, është shtruar këmbëkryq në gjysmëspektrin e majtë të politikës, e të cilit i ka ndihur vetë Gjinushi me sherret e tij të pafundme, kryetari i PSD ka vendosur ta transferojë këtë konflikt tek maxhoranca dhe veçanërisht tek qeverisja e saj.
Në Eposin tonë të Kreshnikëve, nga gjenia e popullit janë shkruar vargjet: “Një bajloz i zi ish dalë prej detit... / trim i prapë e belaçi kish kanë / e i kish qitë dheut nji rreng të randë...”.
Tashmë “bajlozi i zi” i së Majtës po synon t’i sajojë një rreng të ri politikës bash në prag të marrjes së ftesës së anëtarësimit në NATO në Samitin e Bukureshtit, me shpresën se dështimi me çdo kusht i këtij prioriteti do të shkatërronte përfundimisht njërin nga objektivat qeverisës dhe do të shkaktonte krizë të rëndë në gjirin e maxhorancës.
Dhe për arritjen e këtij synimi Gjinushi nuk mund të gjejë instrument më efikas sesa ndërsimin e Ramës kundër maxhorancës dhe prishjen e paktit të detantës një muaj para zhvillimit të takimit të Bukureshtit.
Pikërisht këtij synimi i ka shërbyer edhe takimi i mbrëmshëm “kokë më kokë” i Gjinushit dhe Ramës, takim që zgjati pothuajse tre orë.
Po cila mund të jetë skema e Gjinushit, shpalosur në këtë takim shantazhues ndaj shefit të opozitës? Padyshim që nuk është tjetër veçse nxjerrja në plan të parë e “pesë JO-ve”. Nxjerrja në plan të parë e pretendimeve nga më absurdet për të prishur detantën PS-PD, dhe për të nxehur Metën vetëm e vetëm për të krijuar një sherrnajë pafund brenda gjirit të së majtës dhe klasës politike, ç’ka do të krijonte përshtypjen e konfliktit të ashpër politik, që duhet ndëshkuar doemos me refuzimin e ftesës për Shqipërinë në Samitin e Bukureshtit.
Padyshim që Gjinushi e konsideron këtë ftesë jo thjesht si arritje madhore politike të Shqipërisë dhe mbarë shqiptarëve, por veçse një sukses që sipas tij do të rrisë kuotat e mazhorancës aktuale duke e shtruar me këtë rast edhe shtratin e një fitoreje të mundshme në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, gjë të cilën Gjinushi kurrsesi nuk mund ta pranojë. Pikërisht diskutimi i këtyre temave me gjasë edhe kundërshtimi i qëndrimeve të Gjinushit, janë arsyeja e tejzgjatjes e takimit kokë më kokë midis tij dhe Ramës. Po ku e gjen fuqinë Gjinushi për të ndikuar aq shumë tek Rama? Duket qartë se fuqinë e gjen tek argumenti sherr prodhues se kyçi i sukesit politik është bllokimi i kundërshtarit, obstruksionizmi politik dhe parlamentar, pavarësisht se me të tillë instrumenta demokracia mund të vejë në djall.
Rikthimi në kohë i skemave guerilje politike të ’96-ës, është e vetmja platformë dhe strategji që di të ndërtojë Gjinushi, skema këto që padyshim kanë konsumuar edhe kohën prej tre orësh në takimin e mbrëmshëm midis shefit të opozitës dhe njeriut që ende vegjeton në politikën shqiptare si meritokrati produktor i krizave, sherreve dhe prishjes së ekuilibrave që sot janë më të dëmshëm se kurrë dhe që nuk na shërbejnë aspak. Nga Astrit KOLA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›