E Diel, 1 Nëntor 2026

Ftesa për NATO, pesë ambasadorë njihen me reformat

Ambasadorët gjatë takimeve me përfaqësues të lartë të shtetit kanë kërkuar vazhdimin e reformave
TIRANË- Pak muaj para zhvillimit të Samitit të Bukureshtit, pesë ambasadorë të NATO-s kanë nisur dje një vizitë dyditore në Shqipëri, gjatë së cilës do të informohen dhe ndjekin nga afër zhvillimin e vendit tonë, progresin e arritur në fushën e reformave, si dhe për të diskutuar më tej ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Me ftesë të ministrit të Jashtëm, ambasadori i Britanisë së Madhe, ambasadori francez, ambasadori gjerman, ambasadori holandez dhe ambasadori danez kanë zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, si Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha, por edhe ministra të kabinetit qeveritar, si atë të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe të Jashtëm, Lulzim Basha. Thuajse në të gjitha takimet, theksi është vënë tek përmbushja e reformave që duhet për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe ambasadorët e pesë vendeve anëtare kanë inkurajuar autoritetet shqiptare në vazhdimin e tyre. Gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi, ambasadorët e NATO-s duke vlerësuar rolin moderues të Shqipërisë në rajon, kanë inkurajuar vazhdimin e reformave me të njëjtin ritëm, si rruga e domosdoshme për të marrë rezultatin e pritshëm nga Samiti i Bukureshtit, ndërsa kreu i shtetit i ka garantuar ata për përmbushjen e detyrimeve që do të mundësojnë integrimin euroatlantik. Ambasadorët e pesë vendeve anëtare të NATO-s janë takuar edhe me kryeministrin Berisha, ku ndërsa kanë vlerësuar zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në vendin tonë gjatë viteve të fundit, sërish kanë inkurajuar vazhdimin e mëtejshëm të reformave, si domosdoshmëri për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit. Nga ana e tij, Kryeministri ka bërë një ekspoze të gjithë anshme të reformave dhe është ndalur veçanërisht në reformën elektorale dhe në drejtësi, ku tha se ekziston një klimë e mirë bashkëpunimi edhe me opozitën për të përmbushur reformat që mundësojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›