E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ta pengojmë Kosovën

Tadiç: Serbia duhet të bëjë çmos që shumica e shteteve të botës të mos e njohin pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, mori pjesë në mbledhjen e KS të KB-së kushtuar Kosovës dhe para nisjes për në Nju Jork tha se në mbledhje po shkon me mesazhin, që askush nuk ka të drejtë ta pengojë Serbinë për ta mbrojtur integritetin, e as t’i rrezikojë integrimet e saj evropiane. Tadiç ka thënë mbrëmë, se është thellë i bindur që këto dy objektiva janë të ndërlidhura mes tyre, sepse pa integrim nuk mund ta mbrojmë integritetin e vendit, e pa mbrojtjen e integritetit nuk mund t’i sigurojmë integrimet evropiane. “Me ruajtjen e këtyre dy objektivave jetike ne po ballafaqohemi me sfida e vështirësi. Nuk është lehtë ta mbrojmë Kosovën tonë në rrethanat e reja të krijuara të politikës së jashtme, e nuk është lehtë të sigurohet as integrimi në BE”, ka theksuar presidenti serb. Ai ka thënë se Serbia, me anë të aktiviteteve në KS, si dhe në organizatat e institucionet tjera ndërkombëtare, duhet ta mbrojë interesin e vet. Sipas tij, objektivi i parë fillestar në këtë rrugë është mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme në shtator, dhe Serbia duhet të bëjë çmos që shumica e shteteve të botës të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, sipas tij, Serbia në KS duhet ta ngrejë iniciativën e re për vazhdimin e negociatave mbi statusin e Kosovës. Njëkohësisht, deri në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme, Serbia duhet të luftojë në të gjithë organizmat ndërkombëtare dhe midis shteteve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që t’i gjejë ato që do të jenë të luhatura, të cilat duhet t’i bindë për nevojën e vazhdimit të negociatave të reja. Sa u përket zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, Tadiç ka thënë se përfaqësuesi i UNMIK-ut me siguri do ta paraqesë këtë problem në KS, dhe ka vlerësuar se Serbia gjendet përpara vështirësive të caktuara lidhur me këtë. Sepse nga njëra anë Serbia duhet ta tregojë sovranitetin e vet me mbajtjen e zgjedhjeve të 11 majit “në mbarë territorin e shtetit”, ndërsa në anën tjetër, nuk duhet ta sjellë në pikëpyetje Rezolutën 1244, me të cilën kompetencat në Kosovë i janë dhënë Misionit të KB-së. Duke theksuar se Serbia nuk e njeh legjitimitetin e Misionit e BE në Kosovë, Tadiç ka vlerësuar se edhe zgjidhja për këtë mision mund të gjendet në KS dhe ka rekomanduar që Serbia nuk do të ketë kurrfarë problemi me atë mision nëse mandatin ia japin KB. Tadiç ka shtuar se në mbledhje do të vërë në dukje edhe nevojën që trupat dhe institucionet e KB-së ta ruajnë kredibilitetin e vet, sepse qytetarët e Serbisë janë të pakënaqur me aktgjykimin lirues të Ramush Haradinajt, për të cilin, siç ka thënë ai, ka prova se ka kryer vepra të rënda penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›