Dëmshpërblimet, banorët e Vorës në protesta
Nuk janë vlerësuar dëmet materiale në mënyrë të saktë dhe grupet e vlerësimit të këtyre dëmeve janë të korruptuara. Këto kanë qenë ankesat e disa prej banorëve të Vorës, të cilët kanë shpërthyer në protesta ditën e djeshme. Sipas tyre listat e publikuara janë të pasakta për vlerësimin që u janë bërë dëmeve, pasi dëmtimi material i tyre është më i madh. "Këto lista nuk janë aspak të drejta pasi jo vetëm që nuk marrim vlerën reale të dëmeve, por duket që janë tallje ndaj banorëve, që përveç traumave psikologjike, kemi pësuar edhe dëme materiale",- theksoi njëri nga banorët e Vorës. Sipas tyre ajo çka është më skandaloze është fakti se janë bërë dallime mes banorëve të zonës, duke bërë vlerësime për dëmet aspak reale. Në këtë mënyrë ata kanë shpërthyer me ankesat e tyre dhe kanë kërkuar që të merren masa emergjente për zhdëmtimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i predhave. "Dëmet materiale nga shpërthimet nuk kanë ndodhur për fajin e banorëve, por për fajin e institucioneve shtetërore që kanë lejuar këtë katastrofë. Tashmë këta qeveritarë të paguajnë dëmet materiale që na shkaktuan, se dëmet shpirtërore nuk do të mund t'i paguajnë kurrë",- theksuan banorët e Gërdecit. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili deklaron fillimin e procesit të dëmshpërblimeve për të gjitha familjet e dëmtuara si dhe listën e plotë të dëmeve të publikuara dhe thekson se, për çdo ankesë, do të ngrihet një grup i posaçëm. Ndërkohë që është ngritur edhe një Fond tjetër Emergjence "Marqinet 1", kryesisht për ato familje që kanë pësuar dëmet më të rënda. e.bardhi