E Diel, 1 Nëntor 2026

Brokaj: Mblidheshim fshehtas për krijimin e PS, por Ramiz Alisë i spiunonin nga brenda

 

Ferdinand Dervishi

Ata ishin shtatë apo tetë iniciatorë që në vitin e zhvillimeve të vrullshme 1991, takoheshin fshehurazi në zyrën e kryeparlamentarit të kohës Kastriot Islami, duke diskutuar seriozisht se si të shpallnin një parti të re, krejt të ndryshme nga Partia e Punës, ku ishin angazhuar prej kohësh. Të shpallnin një parti që ta kishte emrin socialiste, apo socialdemokrate, larg konservatorizmit tradicional dhe më pranë zhvillimeve që diktonte koha. Por pikërisht këto zhvillime bëjnë që plani të prishet. Zhvillimet diktojnë tjetër strategji dhe për më tepër një sy i kujdesshëm vëzhgonte nga afër dhe gatiste urët që kjo parti e re të mos shpallej... Këto të reja dhe të tjera, përgjatë një rrëfimi ekskluziv për “Panorama” i argumenton ish-ministri dhe ish-deputeti Sabit Brokaj, një prej anëtarëve të këtij grupimi konspirativ, që më pas do të merrte gjithsesi frenat e Partisë Socialiste të sapokrijuar. Ja dëshmia e plotë e tij për këtë periudhë kurioze të konvertimit të Partisë së vjetër të Punës në Partinë e re Socialiste.
Zoti Brokaj, kohët e fundit “Panorama” ka botuar një cikël intervistash të protagonistëve të formimit të Partisë Socialiste, që të gjitha të marra nga libri “Trashëgimtarët” i gazetares së njohur të politikës, Luljeta Progni. Në materialet e botuara ka zgjuar shumë kureshtje fakti se në vitin 1991, para se të zhvillohej Kongresi i 10 i Partisë së Punës, ka pasur një tentativë për krijimin e një Partie Socialiste apo socialdemokrate nga një grup që do të dilte nga Partia e Punës. Ju keni qenë një nga pjesëtarët e këtij grupi. A mund të na tregoni se cilët ishin anëtarët dhe si lindi ideja?
Ishte një grup prej 8 vetash, mos gaboj, në përbërje të së cilit isha edhe unë. Koha duhet të ketë qenë prill-maj 1991. Të tjerët ishin Fatos Nano, Maqo Lakrori, Kastriot Islami, Anastas Angjeli, mos gaboj një tjetër ishte Moikom Zeqo, ndërkohë që Ismail Lleshi kishte dijeni. Që të gjithë vendosëm të mblidheshin në mënyrë konspirative në zyrën e Kastriot Islamit, që në atë kohë ishte kryetar i Parlamentit, pra e zgjodhëm atë ambient si më të qetë dhe më të sigurt. Aty diskutuam shumë seriozisht që të formonim një Parti të re Socialiste apo socialdemokrate. Tre ishin temat e diskutimeve të grupit, apo pikëpyetjet që donin zgjidhje: Çdo të bëhej me Partinë e vjetër të Punës? A do dalim si parti më vete para apo pas Kongresit të 10-të që po afronte? Si do e tërheqim me vete një pjesë të anëtarësisë?
Dhe çfarë ndodhi, pasi një parti e tillë, dihet se nuk u shpall?
Thashë që ishim të dyzuar, me dy mendje, për shpalljen e partisë së re para kongresit. Sepse kishte një gjykim që pranohej nga pothuaj të gjithë, sipas të cilit nuk duhet të nxitoheshim. Pra, duhet bënim durim dhe të prisnim se çfarë do të ndodhte në kongres. Kështu dhe e vendosëm. Pra, e lamë që nëse kongresi do të mbetej në pozitat e vjetra konservatore, do të shkëputeshim dhe do të shpallnim menjëherë partinë e re, në të kundërt, nëse aty do të triumfonte platforma e re, s’kishim arsye përse të krijonim një parti të re.
A kishte dijeni për këtë grupim e ide tuajën Ramiz Alia?
Ne mendonim se ishin konspirativë, se nuk dinte kush për grupimin tonë, pasi askush nuk ka shqetësoi, askush nuk na ndërhyri. Por koha tregoi se Ramiz Alia ndërkohë kishte pasur informacion të plotë. Koha tregoi se si Maqo Lakrori, ashtu edhe Fatos Nano, takoheshin rregullisht me Ramiz Alinë. Pra, koha tregoi se këto mbledhje nuk ishin shumë të fshehta. Sepse Ramizit në atë kohë nuk i interesonte të shpërbëhej Partia e Punës. Prandaj merrte kontakt me këta persona, pra ai operonte me efikasitet në atë periudhë zhvillimesh të vrullshme. I vëzhgonte, i testonte njerëzit, i thërriste në takime private. Pra, bënte lojën e vet për të pasur gjithçka nën kontroll, me qëllimin e vetëm që mos lejonte shpërbërjen e Partisë së Punës.
Çfarë ndodhi në Kongresin e fundit të Partisë së Punës? Si rrodhën ngjarjet?  
Siç pohova, ne nuk e shpallëm partinë e re dhe shkuam në kongres për të parë si do vente filli. Por aty gjithçka shkoi shumë mirë për grupin tonë. U përjashtua udhëheqja e vjetër dhe u pranua një platformë pothuaj social-demokrate. Pra, ndodhi ajo që ne e quajtëm “versioni numër dy”. Por edhe për grupin tonë shkoi shumë mirë. Pasi të gjithë u përfshimë në Komitetin Drejtues të Partisë, apo KPD, si thuhet tani, apo Komitet Qendror si quhej në kohën e Partisë së Punës (qesh). Po kështu edhe Fatos Nano, një prej anëtarëve të grupit tonë konspirativ, u zgjodh Kryetar i parë i Partisë Socialiste. Kështu që gjithçka doli në shtegun tonë.
Si u prit në kongres fjalimi i Dritëro Agollit?
Dritëroi dha goditjen më të fortë. Por edhe Moikom Zeqo foli me të njëjtën gjuhë. Fjalimet e tyre ishin brenda caqeve të linjës së grupit tonë. Kujtoj se pati një moment stepjeje të sallës pas fjalimit të Agollit. Pati edhe disa nga salla që shfaqën agresivitet ndaj tij, por në asnjë rast ai nuk u sulmua nga anëtarët e Byrosë Politike. Këta kishin kapitulluar ndërkohë.
Ka një ide sipas së cilës Ramiz Alia ishte i bindur dhe kishte dëshirë që ndryshimet të bëheshin më shpejt sesa realisht ecën në atë kohë, por ai nuk nxitohej që të mos shkaktonte përplasje që mund të nxirrnin situatën nga kontrolli. Janë bërë edhe aludime, sipas të cilave, vetëm Enver Hoxha kishte staturën, kishte mundësinë, pra nuk kishte pasoja, nëse bënte ndryshime radikale. Se një ndryshim të ngjashëm, mund ta bënte vetëm ai pa pasur pasoja. Ju si protagonist i asaj kohe, si e mendoni këtë ide?
Për mua Ramizi kishte mundësi për më shumë. Pasi në atë kohë ai nuk e kishte problemin te telashet që mund të dilnin prej ambientit konservativ. Ramizi idetë i kishte të qarta, por kishte pasiguri. Ka qenë një tip që e karakterizonte pasiguria në vetvete. Kështu që për mua ai gjatë gjithë kohës ka vepruar për inerci të situatave.
Duke parë përmbysjen e madhe që ishte duke ndodhur, në shumë raste në adresë të Ramiz Alisë ka pasur akuza se ai e lëshoi. Kujtoj edhe thirrje në kor të të ashtuquajturve Vullnetarë të Enverit që e donin Ramizin të varur në litar. Nga ana tjetër ndryshimet gjithmonë konsideroheshin si rrëshqitje nga vija e Enver Hoxhës, duke sjellë si pasojë shumë kundërshtarë. Si mendoni?
Do ta argumentoj bindjen time se Ramizi mund të ecte më shpejt me reforma në këtë periudhë. Sepse Partia e Punës, që ai drejtonte, ishte një formacion që ishte mësuar t’i rrinte “gatitu” kryetarit të saj. Sepse një parti e rreshtuar, gjithmonë bindet. Ne shqiptarët iu bindëm Enver Hoxhës brenda një dite kur na shkëputi nga Bashkimi i madh Sovjetik, nga “të lavdishmit” Lenin e Stalin. Sepse ne në atë kohë bënim be për Leninin e Stalinin. Por u bindëm sepse funksiononte pikërisht kjo magjia e rreshtimit. Nga ana tjetër Ramizi me shumë lehtësi mund ta shmangte Enverin. Kishte përvojën kineze, të cilët në asnjë kohë, edhe tani, nuk e kanë sulmuar Mao Ce Dunin, por e kanë anashkaluar. Pra, për mendimin tim Ramizi mund të bënte ndryshime të forta, por nuk i bëri ato vetëm për shkak të karakterit të tij defektiv, sepse nuk ishte veprues. Ah, kam edhe një tjetër histori që mund të shërbej për ilustrim. Kujtoj në këtë kohë një plenum të KQ. Rreth tre muaj para nisjes së protestave të studentëve. Kujtoj se si mjeku Petrit Gaçe, kolegu im, tha: Si mund të ndryshojmë kur mbajmë Stalinin në sallë? Salla heshti. Ndërkohë Ramizi e kundërshtoi dhe vetëm në këtë moment salla reagoi. Pra salla priste komandën. Kjo ngjarje mendoj se shërben për të ilustruar se Ramizi ishte i fuqishëm, apo më saktë, askush nuk kishte fuqi të dilte përmbi vullnetin apo vendimet e tij. Pra, ai mund t’i bënte më shpejt ndryshimet, pasi të gjithë i bindeshin. Por unë po ju rrëfej edhe një tjetër moment që shërben për të treguar se askush nuk mund të dilte mbi Ramiz Alinë në ato kohëra. Ishte data 20 shkurt 1991, dita që u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Unë isha ministër i Shëndetësisë në këtë kohë. Kur populli u grumbullua në shesh, Ramizi na thirri në godinën e Komitetit Qendror. Ai mblodhi plenumin, por thirri edhe anëtarët e qeverisë. Kujtoj se mu desh të futesha pothuaj fshehurazi në atë zonë, pasi lashë makinën e ministrit dhe mora një tjetër, që nuk binte në sy. Ramizi doli një moment nga mbledhja dhe kur u kthye na tha se monumenti ra. Një çast më pas doli sërish dhe u kthye e na sqaroi se në atë kohë po e tërhiqnin zvarrë. Pati 2-3 zëra të reagimit të fortë. Por pati më shumë që reaguan për qetësi. Kujtoj Muntaz Dhramin, që tha: “Jo, merreni ngadalë merreni qetë...” Pra, u rrëzua monumenti i Enverit dhe nuk ndodhi asgjë. Dolën dy kundër, por shumica ishin që kjo të pranohej. Prandaj them se Ramizi mund të kishte ecur më shpejt. Sepse shqiptarët kishin 45 vjet që ishin edukuar të respektonin urdhra nga lart. Por edhe sot kështu ndodh, edhe në Partinë Socialiste, sidomos në atë Demokratike. Të gjithë e vërtetojmë përditë.

Ismail Lleshi: Si projektuam në vitin 1991 një parti të re

Ismail Lleshi, ish-anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe ish-nënkryetar i parë i Partisë Socialiste të sapoformuar, ka pohuar në një intervistë dhënë gazetares së mirënjohur Luljeta Progni, përfshirë në librin e sapobotuar “Trashëgimtarët”, se ai, bashkë me disa kolegë në krye të Partisë së Punës, kishin projektuar të formonin një parti të re, jo të lidhur me Ramiz Alinë. Por kjo iniciativë ishte “hedhur në erë” nga vetë Ramiz Alia, që u kishte rekomanduar të mos braktisnin partinë e vjetër, por të merrnin frenat e saj. Ja pohimi i Lleshit: “Ne nuk kishim kontakte me Ramiz Alinë, sepse ne e quanim nevojën e lindjes së një partie të re, jo të lidhur me Ramiz Alinë dhe me asnjë emër tjetër të asaj partie. Ne e konceptonim partinë e re, që kishim projektuar, si një e majtë e re, e cila të ishte natyrshëm e lindur në truallin shqiptar dhe problematikën shqiptare, por edhe një e majtë moderne bashkëkohore, ashtu siç aspironim të gjithë atëherë. Vonë, në prag të kongresit, disa nga shokët bashkëbisedues të grupit iniciator, siç duket e panë të udhës, që ta diskutojnë këtë temë me Ramiz Alinë. Përgjigjja që unë kam dëgjuar prej tyre, pas takimit me Ramiz Alinë, pra që u kishte thënë Ramizi, ishte: Ju e keni partinë tuaj. Kjo është PPSH. Merrni udhëheqjen e saj, sepse ju takon tashmë ju dhe vazhdoni rrugën tuaj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›