Rrëshen, plagos me pistoletë bashkëshortin
Grindjet dhe dhuna e vazhdueshme kanë shtyrë një 28-vjeçare të marrë armën dhe të plagosë babanë e foshnjës së saj, vetëm 6 muajshe. Ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes, rreth orës 09:00, në fshatin Ndërfushaz të Mirditës. Pak minuta pas krimit, autorja është arrestuar nga uniformat blu, ndërkohë që në cilësinë e dëshmitares okulare u mor edhe nëna e autores së ngjarjes, e cila ka parë gjithë skenën. Burime zyrtare të Policisë së Mirditës bëjnë të ditur se 28-vjeçarja Mimoza çupi, pas një zënke me bashkëshortin, 32-vjeçarin Dritan çupi, e ka qëlluar atë tri herë me një armë zjarri, tip pistoletë. Nga dëshmitë e mbledhura, policia bën të ditur se 32-vjeçari kishte kohë që ushtronte dhunë mbi bashkëshorten, pasi kjo e akuzonte shpeshherë për tradhti bashkëshortore dhe mungesë të angazhimeve në familje. Grindjet kanë qenë të pranishme në familjen çupi prej kohësh dhe mëngjesin e djeshëm ka nisur sherri i radhës dhe dhuna e përditshme. Në një moment, Mimoza është shkëputur dhe ka shkuar në dhomën e gjumit, nga ku ka marrë një pistoletë. Më pas ka qëlluar tri herë mbi bashkëshortin, i cili është plagosur në pjesën e barkut. Skena është parë nga nëna e vajzës, e cila ka qenë duke u kujdesur për vajzën e çiftit, 6 muajshe. Krismat e armës janë dëgjuar nga fqinjët, të cilët të alarmuar kanë lajmëruar policinë. Uniformat blu kanë mbërritur brenda pak minutash në shtëpinë e çiftit çupi, duke bërë arrestimin e zonjës së shtëpisë. Ndërsa i lënduari, Dritan çupi, është dërguar për në spitalin e Rrëshenit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjatë deponimit të saj përpara ekspertëve kriminalë, 28-vjeçarja ka treguar se bashkëshorti e rrihet vazhdimisht dhe grindeshin për arsye xhelozie. Gruaja e re nuk ka krijuar një arsye fort bindëse për gjetjen e armës. Ajo ka thënë se ka mundur ta sigurojë lehtë pistoletën, por pa dhënë shumë sqarime. Hetimet e mëtejshme do të zbardhin origjinën e armës së krimit. Ndërkohë që i plagosuri Dritan çupi ka mohuar ta ketë keqtrajtuar sistematikisht bashkëshorten, ndërsa e ka quajtur një përplasje të momentit konfliktin e djeshëm. Ai është shprehur për uniformat blu se nuk e priste kurrë që bashkëshortja e tij do t’i drejtonte armën.
#