E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i aksidenteve, ndëshkohen më pak autorë

Numri i aksidenteve dhe viktimave në rrugë ka ardhur në rritje, ndërsa numri i masave administrative ndaj drejtuesve të automjeteve është në rënie krahasuar me një vit më parë dhe situatën e përgjakshme në rrugët e Durrësit. Statistikat zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës flasin për një rritje të numrit të ngjarjeve të rënda rrugore dhe pasojave të tyre në jetën e njerëzve. Gjatë 9 muajve të parë të vitit, në rrugët e qarkut bregdetar janë regjistruar 155 aksidente me 34 të vdekur dhe 187 të plagosur. Në numrin e të plagosurve, 36 janë plagosur rëndë dhe gjymtuar gjatë këtyre aksidenteve në rrugë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, të dhënat zyrtare flasin për 133 ngjarje rrugore me 24 të vdekur dhe 133 të plagosur. Viktimat kanë qenë kryesisht meshkuj të moshave të reja, të cilët udhëtonin në automjete si pasagjerë a drejtues të tyre, ndërsa grupmosha më e prekur mes këmbësorëve është mosha e tretë. Vetëm katër nga viktimat e këtij viti kanë qenë gra, por numri i tyre rritet ndjeshëm mes të dëmtuarve nga aksidentet në rrugë. Sipas inspektorëve të qarkullimit, gjatë këtij viti, ku vera ka qenë stina më e nxehtë jo vetëm në temperatura, por edhe për shkak të numrit të lartë të aksidenteve me të vdekur, territoret më problematike kanë qenë rrugët e Durrësit dhe Shijakut e më pak ato të Krujës. Në këtë kuadër, kontrollet e rrugorëve u përforcuan ndjeshëm gjatë verës, duke u shoqëruar me masa të shumta administrative ndaj drejtuesve të automjeteve që u kapën në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Masat kanë konsistuar në vendosje gjobash, pezullim të lejeve të qarkullimit, si edhe bllokim të automjeteve. Gjatë këtij 9-mujori të vitit janë bllokuar 482 automjete, u është hequr përkohësisht e drejta e drejtimit të automjetit përmes pezullimit të patentës 954 drejtuesve, ndërsa janë vendosur 36234 gjoba në vlera të ndryshme. Vlera e përgjithshme e gjobave me të cilat janë ndëshkuar shoferët e kapur në kundërvajtje për periudhën janar-shtator të këtij viti është afro 21.8 milionë lekë të reja. Por, në rast se ato do të krahasoheshin me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me lehtësi do të vihet re që forca goditëse ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor ka qenë më e ashpër se ajo e këtij viti e ngarkuar në aksidente. Kështu, një vit më parë janë bllokuar 572 automjete, pezulluar 1412 patenta dhe vendosur 61138 gjoba, me një vlerë të përgjithshme prej afro 56 milionë lekësh të reja.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›