E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau emigrantin 27-vjçar, identifikohet autori i dyshuar

Tiranë Sipas policisë, ai kishte veshur një bluzë dhe kapele të kuqe. Hetime për hakmarrje

Leonard Bilali, ish-mundës, sapo ishte kthyer nga Italia për të kaluar pushimet në Shqipëri, por nuk e kanë lejuar, duke i marrë jetën me katër plumba pistolete. Ngjarja ndodhi dy net më parë te rruga “Irfan Tomini” në Tiranë dhe autori mendohet se ka qenë një person rreth 30 vjeç, i veshur me bluze të kuqe dhe kapele të kuqe, që ka qëlluar gjashtë herë në drejtim të 27-vjeçarit, pak para se të hynte në një dyqan ushqimor. Pista kryesore e policisë për këtë vrasje është hakmarrja, ku Bilalit i kanë vrarë një tjetër vëlla në vitin 1997, ndërkohë që pak muaj më parë i kanë plagosur vëllanë tjetër, ish-polic, i cili qëndronte në një lokal te stadiumi “Dinamo” në Tiranë. Policia tha se e ka identifikuar autorin e krimit, por nuk e ka publikuar emrin e tij, pasi po punohet për ta kapur dhe për të dokumentuar tërësisht këtë ngjarje të rëndë.

Sipas të dhënave hetimore, telefonata për ngjarjen është marrë rreth orës 22:00, megjithëse dëshmitarët në vendin e ngjarjes tregojnë se ajo kishte ndodhur edhe më parë, por nuk ishte njoftuar policia. Leonard Bilali, 27 vjeç, emigrant në Itali, sapo ishte kthyer në Shqipëri dhe banonte jo shumë larg vendit ku ndodhi krimi. Ai kishte ndaluar te dyqani ushqimor për të blerë, por një person e ka ndjekur nga pas. Aty, sipas dëshmive, pasi ka pasur edhe persona të tjerë, kanë debatuar dhe mendohet se Bilali e ka qëlluar me shuplakë. Autori i ngjarjes, i veshur me xhins, bluzë të kuqe dhe kapele të kuqe, ka nxjerrë një pistoletë, duke qëlluar gjashtë herë. Tre plumba e kanë kapur Bilalin në trup dhe një në kokë, ndërsa dy të tjerë janë ngulur në mur. Më pas, autori është larguar me shpejtësi, ndërsa i plagosuri është mbështjellë me një çarçaf dhe është vënë në një makinë për në Spitalin Ushtarak. Rrugës ka ndërruar jetë, pa mundur të tregojë asgjë, por policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes. Sipas të dhënave, Bilali ishte kthyer nga Italia në mes të muajit korrik dhe kishte pasur një sherr, që ka bërë policinë të hetojë si pistë të mundshme të krimit. Megjithatë, pista më e fortë është ajo e hakmarrjes. Në vitin 1997, vëllai i Bilalit, ka qenë i dyshuar nga policia dhe sipas të dhënave të pakonfirmuara ka mbetur i vrarë. Ndërsa vëllanë tjetër, ish-polic kanë tentuar ta vrasin para disa muajsh pranë stadiumit “Dinamo”, por ai shpëtoi nga plagët e marra. Të dyja këto ngjarje mendohet se kanë lidhje me atentatin e dy netëve më parë, ku mbeti i vrarë 27-vjeçari, por që pritet të zbardhet plotësisht pas arrestimit të autorit, që sipas policisë është identifikuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›